Ndërlidhjet

(S')vazhdojnë punimet në Kroin e Vitakut


Kroi i Vitakut
Kroi i Vitakut

Përkundër tensioneve, rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë ka vazhduar, por me një intensitet më të ulët. Zyrtarët komunalë thonë se rindërtimi nuk do të ndalet, pavarësisht provokimeve të strukturave paralele serbe.



Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë edhe sot është përcjellë me probleme dhe tensione.

Një grup prej dhjetëra personash të përkatësisë serbe dje kishin hedhur gurë mbi punëtorët e kompanive që po ndërtojnë shtëpitë e shqiptarëve. Policia e EULEX-it ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërkohë që 7 persona janë lënduar - pesë shqiptarë dhe dy serbë.

Zyrtarët komunalë në Mitrovicë thonë se sot në Kroin e Vitakut kanë rifilluar punimet, por me një intensitet të ulët. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, thotë se strukturat paralele serbe të pjesës veriore po tentojnë të pengojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve.

Bajram Rexhepi
“Punimet janë duke vazhduar në pjesë të tjera. Aty ku është punuar dje, me shumë probleme, aty nuk ka pasur qasje, për arsye se policia e stacionit në veri ka lejuar serbët të hyjnë me mjete, ndërsa Policia e EULEX-it nuk po i lë punëtorët e kompanisë dhe pronarët të shkojnë në atë pjesë. Kështu që në një farë mënyre është dështim i policisë”,
thotë Rexhepi.

Komandanti i stacionit policor në pjesën veriore, Milija Millosheviq, pohon se situata e sigurisë në këtë pjesë të qytetit sot është e qetë dhe pa incidente.

Edhe pse situata është e qetë, një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it janë të pranishëm në të ashtuquajturën vijë ndarëse mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Në këtë lokacion edhe serbët, edhe shqiptarët po i kryejnë punët së bashku, pa ndonjë problem. Këtu kanë ardhur përfaqësuesit e komunës së jugut dhe ata të veriut, kanë biseduar. Siç kanë propozuar ata, më mirë do të ishte që të gjendej ndonjë zgjidhje, edhe me ato, edhe me këto letra”.

“Të gjendet një marrëveshje, sepse askush, as pala serbe, as ajo shqiptare nuk do tensionime apo probleme”,
shprehet Millosheviq.

Pavarësisht pengesave, zoti Rexhepi thotë se nuk do të hiqet dorë nga ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjen veriore të Mitrovicës, Kroi i Vitakut. Sipas tij, shqiptarët nuk janë të interesuar për tensionimin e situatës.

“Policia nuk është duke e kryer punën e vet, ndërsa UNMIK-u është më tepër pengues sesa ndihmues, si zakonisht në dhjetë vjetët e kaluar, dhe situata është e tillë. Ne nuk jemi të interesuar për provokime dhe jemi maksimalisht të vetëpërmbajtur. Mirëpo, vendosmëria për të vazhduar me punët dhe për t’u kthyer në shtëpi, do të jetë e vazhdueshme dhe në momentin që të krijohen kushtet minimale, do të vazhdohet”, thekson Rexhepi.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë krijuar sot një kordon për të mos lejuar punëtorët shqiptarë që t’i vazhdojnë punimet në vendin ku dje kishte pasur përleshje.

Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të lagjes Kroi i Vitakut shprehen të vendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Musa Haliti, banor i kësaj lagjeje, kritikon autoritetet e rendit për moslejimin e vazhdimit të punimeve në gjithë lagjen.

“Sot po ndodhin këto marritë e Policisë së Kosovës nga ana e serbëve. Ajo që na ka nxitur edhe më shumë, ishte kur Policia e EULEX-it i është bashkuar palës joreale, që ka ardhur këtu. Marria më e madhe është që këta njerëz kanë bërë kordonë pikërisht në pjesën tonë. Këta kordonë është dashur të bëhen atje. Ata janë në pronat tona”,
thotë Haliti.

Ndërkaq, autoritetet e rendit thonë se gjatë ditës së sotme nuk është shënuar ndonjë incident në lagjen Kroi i Vitakut. Arbër Beka, zëdhënës i policisë, shpjegon situatën atje:

“Bëhet fjalë për forca shtesë të Policisë së Kosovës, ashtu edhe të Policisë së EULEX-it, sidomos në aspektin e parandalimit të ndonjë incidenti të mundshëm ose të mos vijë deri te lëndimi i personave, sikur që e kishim situatën dje".

Rindërtimi i shtëpive në Korin e Vitakut është përcjellë gjatë tërë kohës me probleme dhe incidente të herëpashershme.
XS
SM
MD
LG