Ndërlidhjet

Lufta e parreshtur e senatorit Kenedi


Eduard Kenedi
Eduard Kenedi

Më i vogli nga gjenerata e vëllezërve të famshëm, ku përfshihet presidenti i vrarë, Xhon F. Kenedi, Eduard Kenedi u rrit për t’u bërë një figurë udhëheqëse në skenën politike amerikane për dekada të tëra. Ai ndërroi jetë në moshën 77- vjeçare.


Senatori Eduard Kenedi, një nga figurat më të shquara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdiq nga kanceri në tru, në moshën 77 vjeçare.

Më i vogli nga gjenerata e vëllezërve të famshëm, ku përfshihet presidenti i vrarë, Xhon F. Kenedi, Eduard Kenedi u rrit për t’u bërë një figurë udhëheqëse në skenën politike amerikane për dekada të tëra.

Me standarde të jashtëzakonshme, të vendosura nga familja e tij, disa mund të argumentojnë se karriera politike e Ted Kenedit ishte e shkurtër.

Më 1969, ai ishte senatori në ngritje nga Masaçusetsi, kur pozita e tij morale u njollos përgjithmonë nga ai që njihet si incidenti i Çapakuidikut.

Pas një aksidenti me veturë, ai iku nga vendi i ngjarjes, dukë lënë të fundosur trupin e një gruaje të re, të cilën po e dërgonte në shtëpi pas një ahengu. Gruaja vdiq dhe Kenedi më vonë u deklarua fajtor për shkak se kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe iu dha një dënim i suspenduar.

Presidenti Xhon F. Kenedi me vëllezërit Robertin dhe Eduardin, 1963.
Ai, me lehtësi, në vitin pasues fitoi mandatin tjetër në Senat, por që nga atëherë ai u shfaq si hallka më e dobët në zinxhirin e vëllezërve të famshëm Kenedi.

Vëllai më i madh i tij, Xhoni, ka lënë shenja të pashlyeshme në historinë amerikane si një president karizmatik, që u qëllua për vdekje në Dallas, në vitin 1963.

Pesë vjet më vonë, vëllai tjetër, Roberti, u vra ndërsa po bënte fushatë për president. Por, në të vërtetë, Eduard posedoi magjinë e famshme të Kenedëve, edhe pse në dozë më të vogël sesa Xhoni apo Roberti.

Për pothuaj gjysmë shekulli në shërbim të publikut, ai gradualisht u shfaq si figurë kryesore dhe e palodhshme, e përkushtuar për kauzën liberale.

Vula e Eduard Kenedit është vënë në pothuaj çdo pjesë të legjislacionit të miratuar nga Kongresi për dekada të tëra, e që kishte të bënte me kujdesin shëndetësor, të drejtat civile, edukimin ose imigrimin.

Ai është konsideruar si një negociator i aftë të arrijë marrëveshje mbipartiake, madje edhe me konservatorët, për të cilët liberalizmi ishte një anatemë.

Senatori Eduard Kenedi
Kenedi ishte një orator prekës. Kështu shfaqet në Konventën e demokratëve në Nju Jork, në vitin 1980, kur pranoi disfatën për të marrë nominimin e partisë për president.

“Për të gjithë ata, përkujdesi për të cilët ka qenë brenga jonë, puna nuk ndalet, kauza vazhdon, shpresa ende jeton, ndërsa ëndrra kurrë nuk do të vdesë”, ka thënë i ndjeri Kenedi.

Xhimi Karter fitoi atë nominim, por ishin fjalët zemërgjera të Kenedit që vodhën vëmendjen e asaj nate.

Një tjetër fjalim i famshëm i tij ka qenë ai i qershorit të 1968-ës në funeralin e vëllait të tij Robertit, në Nju Jork, i cili u vra pasi që fitoi nominimin për president nga demokratët e Kalifornisë.

Robert ka qenë prokuror i përgjithshëm në administratën e Xhon Kenedit.

“Vëllai im nuk duhet të idealizohet pas vdekjes, përtej asaj që ishte në jetë. Duhet kujtuar thjesht si një njeri i mirë dhe i ndershëm, i cili e pa të gabuarën dhe u mundua ta ndreqë; i pa vuajtjet, u mundua t’i shërojë; e pa luftën, u mundua ta ndalojë”, pati thënë Eduard Kenedi.

Kujdesi shëndetësor për të gjithë amerikanët ka qenë shqetësimi kryesor i Eduard Kenedit.

Pavarësisht shëndetit të dobët të tij, ai mbështeti fuqishëm presidentin Barak Obama, i cili i dha prioritet të lartë përmirësimit të kujdesit shëndetësor. Këtu është Kenedi duke folur në një tubim për Obamën në fillim të 2008-ës.

Senatori Eduard Kenedi dhe presidenti Barak Obama
“Jam krenar të qëndroj pranë tij sot dhe të ofroj ndihmën time, zërin tim, të ofroj energjinë time, përkushtimin tim, për ta bërë Barak Obamën presidentin e ardhshëm të SHBA-ve”,
pati thënë Kenedi.

Obama tani po përpiqet të reformojë shëndetësinë përmes një ligji në Kongres, por Eduard Kenedi nuk do të jetë këtu për t’i parë rezultatet.

Ndryshe, vdekja e Kenedit ka nxitur reagime në SHBA dhe gjithandej në botë.

Me vdekjen e Eduard Kenedit, Shtetet e Bashkuara kanë humbur “senatorin më të madh të kohës sonë”, tha presidenti amerikan, Barak Obama.

Ai e quajti senatorin Kenedi “udhëheqës të madh” dhe i shprehu mirënjohje punës së tij për avancimin e të drejtave civile, shëndetësisë dhe mirëqenies së të gjithë amerikanëve.

“U përmbyll një kapitull i rëndësishëm në historinë tonë. Vendi ynë ka humbur liderin e madh, i cili pas vdekjes së vëllezërve të tij vazhdoi ta mbajë pishtarin dhe u bë senatori më i madh i kohës sonë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Obama me rastin e vdekjes së senatorit Kenedi.

Ish-presidenti Xhimi Karter tha se zoti Kenedi në mesin e anëtarëve të Senatit dhe Kongresit amerikan është person shumë i nderuar.

“Tashmë, unë dhe gruaja ime kemi shprehur ngushëllime për familjen e tij. Unë nuk mendoj se ekziston ndonjë person që ka shërbyer në Kongresin e SHBA-ve, që me gjasë do t’i mungojë popullit amerikan më shumë se Ted Kenedi”, tha Karter.

Senatori Eduard Kenedi, 2000.
Konservatori veteran, senatori republikan, Orrin Haç, e përshkroi Eduard Kenedin si një burrështetas të vjetër e të madh dhe “një mik të çmuar”.

Kryeministri britanik, Gordon Braun, tha se Kenedi, “megjithëse u përball me sëmundje të pashërueshme, kurrë nuk pushoi së luftuari rreth qëllimeve, për realizimin e të cilave punoi tërë jetën.

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, e quajti Kenedin “shërbyes të vërtetë civil, i përkushtuar ndaj mirësisë, drejtësisë dhe realizimit të mundësive”.

Kryeministri i Australisë, Kevin Rud, theksoi se Kenedi i “ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm politikës amerikane dhe rolit të Amerikës në botë”.

Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, tha se Kenedi “ishte i njohur në mbarë botën si luani i Senatit, kampion i drejtësisë sociale dhe ikonë politike”.

“Ai ishte shtylla e familjes sonë”, tha Shvarceneger, gruaja e të cilit, Marija Shriver, është mbesë e senatorit Kenedi.
XS
SM
MD
LG