Ndërlidhjet

Sa ka ndihmë për sektorin privat?


Sektori privat në Kosovë është shumë profitabil për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, por është ngulfatur nga politika jo të favorshme makroekonomike, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë. Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë pohojnë se institucionet kompetente vazhdimisht po punojnë për të përmirësuar gjendjen në këtë sektor.


Zhvillimi i sektorit privat dhe evitimi i barrierave teknike dhe legjislative, që aktualisht e bllokojnë këtë sektor, konsiderohen si sfidat kryesore të institucioneve qeveritare. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike, sipas të cilëve, sektori privat është shtylla kryesore për rimëkëmbjen ekonomike në vend.

Eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se kjo formë e biznesit, pas përfundimit të luftës, ka filluar në rrethana të ndërlikuara, të cilat po e përcjellin edhe sot. Kështu, gjendja e sektorit privat, thotë Rexhepi, nuk është në pozitë të mirë, për shkak se nuk ka ndonjë përkrahje apo masa që ndihmojnë dhe aftësojnë prodhuesin vendor të jetë i barabartë me konkurrentët, qoftë të brendshëm apo edhe të jashtëm.

Rexhepi pohon se përveç procedurave për regjistrimin e biznesit, ky sektor ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet.

“Fillimi i biznesit është shumë i ngarkuar me obligime. Do të thotë, bizneset e reja, e kam fjalën kryesisht për bizneset prodhuese dhe shërbyese, nuk kanë ndonjë përparësi apo lehtësi fillestare, në mënyrë që të përballohen dhe të aftësohen për konkurrentë. U nënshtrohen të gjitha taksave, obligimeve; mandej, nëse është prodhues, ende pa e futur në prodhim lëndën e parë, duhet të paguajë obligime fiskale - TVSH”, thotë Rexhepi.

Sektori privat, sipas tij, duhet të përkrahet me qëllim që të japë efekte më të mëdha sesa që jep tash. Rexhepi pohon se pas një periudhe të shkurtër, kur të fillojë së zbatuari edhe strategjia e qeverisë për energji, 90 për qind e potencialit ekonomik apo e tërë struktura e prodhimit vendor, siç thotë ai, do të jetë burim prej sektorit privat.

“Sektori privat është sektor kyç, sektor shtyllë, sektor që duhet të favorizohet, në mënyrë që të japë efekte më të mëdha sesa që jep tash. Prandaj, sektori privat, prona private është ajo ku duhet të mbështetet e ardhmja e ekonomisë se Kosovës”, shprehet Rexhepi.

Për këtë arsye, ai shton se Qeveria e Kosovës gjithsesi duhet të ketë prioritet krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo gjithsesi duhet të krijojë favore që prodhimi vendor të jetë i barabartë në treg, të jetë konkurrent në treg. A do të jetë ajo përmes formave të ndihmës, përmes subvencioneve apo benificioneve të ndryshme që mund t’i gëzojnë, kur është fjala për prodhimin e ushqimit, apo në ndryshimet me politikat fiskale, ku prodhimet e ndryshme, të importuara në formë të lirë, duhet t’i nënshtrohen një forme më rigoroze të kontrollit, qoftë të çmimit apo edhe të cilësisë së tyre...”, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se në kuadër të kapaciteteve ekzistuese, Qeveria e Kosovës vazhdimisht është duke punuar në këtë drejtim.

Nol Buzhala, udhëheqës i divizionit për zonat ekonomike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thekson se ministria ka kërkuar që të krijohet një fond, i cili do t’i garantonte bankat që biznesi, i cili do të fillojë veprimtarinë e tij, do t’i përgjigjet bankës për kthimin e kredisë.

“Kemi diskutuar me të gjitha bankat veç e veç, mirëpo është një draft që ende nuk ka kaluar në qeveri. Sa herë që po iniciojmë, nuk po kalon, pasi që skema e garantimit të kredive kërkon që të krijohet një fond, mirëpo Ligji për menaxhimin e financave publike ndalon çdo krijim të fondit në kuadër të buxhetit të Kosovës. Këtu pra është problemi, deri në gjetjen e një donacioni apo një pjese të ndarjes së mjeteve për mbështetjen e këtyre bizneseve”, shprehet Buzhala.

Ekspertë të ekonomisë vazhdimisht kanë vlerësuar se sektori privat është shumë profitabil për ekonominë e vendit, por, sipas tyre, është ngulfatur nga politika jo të favorshme makroekonomike. Sidoqoftë, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara mbi 90 mijë biznese private.
XS
SM
MD
LG