Ndërlidhjet

logo-print

“Thaçi zbut qëndrimin për protokollin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Partia Demokratike e Kosovës dhe kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë vënë në qendër të akuzave nga partitë opozitare, pas vendimit që të mos përdoren kamerat në vendvotime për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Dy përfaqësuesit e PDK-së, Nesrin Lushta dhe dy përfaqësues të komuniteteve kanë mundur në vota përfaqësuesit opozitarë të AKR-së, LDD-së e AAK-së si dhe atë të LDK-së, të cilët e kishin mbështetur vendosjen e kamerave. Partitë në opozitë janë ndjerë të shokuara me rezultatin e votimit të së hënës, kur u refuzua kërkesa e Aleancës Kosova e Re për vendosjen e kamerave në vendvotime...

ZËRI
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka kritikuar të mërkurën policët e Kosovës të stacionit të veriut për mospërmbushje të obligimeve të veta, pasi që kanë lejuar që serbët e “Kroit të Vitakut” të hyjnë në atë pjesë ku janë duke punuar punëtorët shqiptarë. Ai ka kritikuar edhe Policinë e EULEX-it, që, sipas tij, ka mbajtur një pozicion neutral, duke vlerësuar se kjo i bie si shpërblim i atyre që kanë shkaktuar dhunë një ditë më parë. “Pra, duhet ta rikonsiderojnë performancën e tyre dhe ta marrin përgjegjësinë policia rajonale ose ata që e kryejnë punën në mënyrë të paanshme dhe vendosin sigurinë për vazhdimin e punëve”, theksoi Rexhepi në konferencën e djeshme për shtyp...

BOTA SOT
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar të mërkurën kundër vendimit të KQZ-së për mosvendosjen e kamerave, duke e quajtur atë vendim politik, të ndikuar nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. Këto çështje u diskutuan nga Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, në një konferencë për media. Vendimi destruktiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket mosvendosjes së kamerave në qendrat e vendvotimeve është i papranueshëm për AAK-në, sepse me këtë bihet në kundërshtime me parimet e transparencës gjatë procesit zgjedhor, u shpreh Burim Ramadani...

EPOKA E RE
Institucionet e Kosovës duhet ta ndërpresin bashkëpunimin dhe komunikimin me EULEX-in deri atëherë kur, mbi të gjitha, të hiqen fuqitë ekzekutive të tij, të caktohet afati i qëndrimit të tij në Kosovë dhe të pranohet Republika e Kosovës si shtet i pavarur. Kështu ka thënë lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, një ditë pasi aktivistë të kësaj lëvizjeje dëmtuan dhjetëra vetura të misionit të BE-së. Kurti ka treguar se aksioni kundër veturave të EULEX-it ishte drejtuar pikërisht kundër misionit evropian, i cili, sipas tij, po shkel gjithçka në Kosovë. “Aksioni ynë protestues ishte kundër EULEX-it. Protokolli ishte shkasi i tij”, ka thënë Kurti...

KOHA DITORE
Kryeministri Hashim Thaçi ka zbutur qëndrimin refuzues karshi protokollit të bashkëpunimit ndërpolicor që misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, po përgatitet ta nënshkruajë me Serbinë. Ndonëse gjatë një vizite në Gjilan, të martën kreu i ekzekutivit kosovar e kishte shpalosur protokollin si çështje që i takon së kaluarës, ai gjatë një vizite në Viti të mërkurën, e ka zbutur refuzimin. Duke komentuar deklaratat e bëra nga presidenti Fatmir Sejdiu, në të cilat presidenti ka pranuar mundësinë e “kompromisit” me EULEX-in, kryeministri Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës kanë qëndrim të përbashkët dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me ICO-në dhe EULEX-in në gjetjen e një mundësie që do të ndihmonte bashkëpunimin e Kosovës me rajonin, por ku Kosova do të njihej si shtet i pavarur...

LAJM
Shkarravina, nënshkrime, emra njerëzish, duke filluar nga udhëheqësit shtetërorë e deri tek qytetarët e rëndomtë, ende figurojnë, por kanë nisur të veniten paksa në mungesë të kujdesit dhe të një hapësire, ku do të “rehatohej” përfundimisht. “NEWBORN” – monumenti simbol i pavarësisë së Kosovës, ka mbetur mu në mes të Prishtinës, edhe aty me “vendbanim” të përkohshëm, për shkak se komuna për më shumë se një vit e gjysmë nuk ka arritur t’ia gjejë hapësirën, ndërsa në vendin aktual nuk lejohet të qëndrojë. Arsyetimi – monumenti nuk u përshtatet planeve afatgjate të Komunës së Prishtinës. Ideatori Fisnik Ismaili është i dëshpëruar me trajtimin që po i bëhet kryeveprës së tij...

INFOPRESS
Republika e Kosovës, gjatë muajit shtator të këtij viti, do të fillojë me kthimin e këstit të parë të borxhit ndaj Bankës Botërore, në vlerë prej rreth 15 milionë eurosh... Ndërkaq, i pari që ka kontribuar në shlyerjen e këtij borxhi ka qenë Komisioni Evropian, që javën e kaluar kishte ndarë 5 milionë euro në Fondin e mirëbesimit të donatorëve, i cili përkrah pagesën e borxhit të Kosovës ndaj Bankës Botërore. Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, ka pohuar për “Infopress” se ndihma e Komisionit Evropian është pjesë e zotimeve në Konferencën e Donatorëve dhe i shtohet shumës së mjeteve, të cilat tashmë veç janë ndarë nga Thesari Amerikan...

KOSOVA SOT
Institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë kërkuar që monitorimi i zgjedhjeve të bëhet nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Por, misioni i OSBE-së nuk do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve pavarësisht kërkesës së institucioneve dhe subjekteve politike... Nikola Gaon, ushtrues detyre i zëdhënësit të misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë për “Kosova sot” se misioni ka filluar kohë më parë të mbështesë KQZ-në dhe ende vazhdon ta mbështesë atë në përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve, por nuk do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve dhe ky qëndrim është definitiv...
XS
SM
MD
LG