Ndërlidhjet

logo-print

"Luani i Senatit"

  • RFE /RL

Eduard Kenedi

Eduard Kenedi

Shtypi i sotëm perëndimor në faqet e para sjell editoriale dhe analiza për senatorin e ndjerë, Eduard Kenedi, i cili ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare. Emërues i përbashkët është se Eduard Kenedi mbeti shembull për politikanët e të gjitha ngjyrave.


“Uashington Post” (Washington Post) shkruan se senatori Kenedi i mbeti i përkushtuar liberalizmit të pasluftës, madje dhe kur duhej të notojë kundrejt baticës konservatore të politikës.

Zoti Kenedi e dinte se ishte një ligjvënës, i cili i mbante qëndrimet e tij dhe nuk shqetësohej për rizgjedhjen. Kjo e bëri që të bashkëpunojë me kolegët e mbarë spektrit politik dhe të bëhet forca kryesore jo vetëm në Senat, por edhe në vend.

Gjatë karrierës së tij, shkruan gazeta, ai u qëndroi pranë njerëzve më të neglizhuar dhe të abuzuar: pakicave, imigrantëve, të varfërve dhe atyre që u mungonte kujdesi shëndetësor.

Në komentin me titull “Luani i Senatit”, “Nju Jork Tajms” (New York Times) shkruan se Kenedi punoi me shumë ligjvënës republikanë për t’i miratuar ligjet mbi krimin, të drejtat civile, arsimin, shëndetësinë dhe nuk kërkonte që meritat t’i mvishen atij.

Ai nuk arriti ta shohë të miratuar kujdesin shëndetësor për të gjithë, por bëri që miliona fëmijë të përfitojnë.

Karriera e tij ndahet në dy pjesë: vitet e para ishin pothuaj të parëndësishme, ndërsa dekadat pas përpjekjes për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë u shënuan me triumfalizëm.

Por, prej fillimit, shkruan “Nju Jork Tajms”, ai shfaqi shkathtësi dhe pasion që u kurorëzuan me sukses, i cili e vuri atë në krye të senatorëve amerikanë.

“Uoll Strit Xhërnëll” (Wall Street Journal) shkruan se Kenedi e theu mitin e politikës se pushteti u takon vetëm atyre të qendrës. Ai ishte një politikan me bindje, i cili arriti më shumë se shumica e presidentëve demokratë të kohës.

Kenedi besonte në fuqinë e shtetit si forcë lëvizëse e drejtësisë sociale. Përveç bashkëpunimit me shumë senatorë republikanë, ai punoi edhe me presidentin Xhorxh Bush për reformat në arsim.

Gazeta shkruan se Kenedi ishte kampion i madh dhe efektiv i politikës së majtë, ndërsa karriera e tij në Senat është mësim për politikanët e të gjitha ngjyrave që duan të bëjnë histori.

“Fajnenshëll Tajms” (Financial Times) shkruan se vdekja e Kenedit shënon fundin e kapitullit të dashurisë së gjatë të Amerikës me familjen e tij.

Por, rëndësia e vërtetë qëndron në vendin paradoksal që e kishte në politikat amerikane, duke qenë mishërim i ndërgjegjes së majtë të Partisë Demokrate, si dhe kreator i kompromiseve me rivalët e djathtë.

Ai votoi kundër luftës në Irak, por, megjithatë, punoi për Ligjin mbi arsimin bashkë me presidentin Xhorxh Bush dhe Xhon Mekeinin.

Sot, të dyja partitë mund të mësojnë nga Kenedi, njeriu i cili dëshmoi se arritja e marrëveshjes nuk nënkupton shkelje të parimeve. Gazeta shkruan se mësime mund të nxjerrë edhe presidenti Barak Obama.

E përditshmja “Gardiën” (Guardian) shkruan se Kenedi i ka lënë gjurmët e tij në shumë ligje, sa asnjë senator tjetër në histori.

Me vdekjen e tij kaloi edhe një epokë e historisë së Senatit. Do të ketë edhe Kenedi të tjerë, por epoka e Kenedive tash mori fund. Tedi nuk ishte i përsosur, por të gjithë e dimë se sa më e mirë u bë Amerika për shkak të tij, përfundon “Gardiën”.
XS
SM
MD
LG