Ndërlidhjet

Prishtina mbyll debatin për protokollin


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Institucionet e Kosovës kundërshtojnë përfundimisht protokollin e bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, duke i shpallur të mbyllura diskutimet me EULEX-in në lidhje me këtë temë. Përfaqësuesit evropianë kanë paralajmëruar se për këto qëndrime të Prishtinës do ta njoftojnë Brukselin.


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi i kanë shpallur të mbyllura përfundimisht debatet dhe bisedat për temën e protokollit midis EULEX-it dhe Serbisë.

Ky vendim i dy liderëve të institucioneve të Kosovës i është kumtuar edhe shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Piter Feith, gjatë një takimi të mbajtur sot në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij vendimi që të mos ketë më debate e biseda për këtë protokoll, duke e cilësuar atë të papranueshëm për Kosovën, ka reaguar edhe misioni i EULEX-it, i cili thotë se për këtë qëndrim do ta njoftojë Brukselin.

Por, sidoqoftë, në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga Zyra e presidentit të Kosovës thuhet se në takimin e sotëm me zyrtarët e lartë të pranisë evropiane, liderët e Kosovës ritheksuan qëndrimin e prerë në kundërshtim të këtij protokolli.

Fatmir Sejdiu
“Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet, për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane”,
thuhet në komunikatën e Presidencës.

Këtë qëndrim e konfirmoi edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se marrëveshjet për Kosovën dhe në emër të saj i nënshkruajnë vetëm institucionet e Kosovës dhe asnjë mision tjetër.
Kosova është shtet dhe përgjegjësitë shtetërore nuk i bart tek asnjë mekanizëm tjetër dhe asnjë mekanizëm tjetër nuk ka të drejtë të flasë, të diskutojë e të vendosë për Kosovën, pa Kosovën.

“Qëndrimi i institucioneve të Kosovës sa i përket situatës së krijuar me të ashtuquajturin protokoll bashkëpunimi me Republikën e Serbisë, është shumë i qartë. Ne e kemi theksuar edhe në takim, por edhe publikisht, se kjo çështje mbyllet përfundimisht sot. Mbyllet çdo debat, çdo takim, por edhe çdo bisedë për këtë temë”.

“Tanimë, Kosova është shtet dhe përgjegjësitë shtetërore nuk i bart tek asnjë mekanizëm tjetër dhe asnjë mekanizëm tjetër nuk ka të drejtë të flasë, të diskutojë e të vendosë për Kosovën, pa Kosovën”,
tha Thaçi.

Ndërkohë, ka reaguar edhe misioni i BE-së për siguri dhe sundim të ligjit. Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, tha se EULEX-i ka nxjerrë konkludimet nga takimi i sotëm i shefit të këtij misioni, Iv de Kermabo, me liderët kosovarë dhe përfaqësuesin e BE-së, Piter Feith, dhe për këto zhvillime do ta njoftojë edhe Brukselin.

“Piter Feith dhe Iv de Kermabo do të raportojnë për përfundimet e këtij takimi tek vendet anëtare të BE-së në Bruksel dhe posa të kemi një reagim nga Brukseli për këtë çështje, do ta njoftojmë opinionin në lidhje me këtë çështje”, tha zëdhënësja Limdal.

Ndërsa kanë kundërshtuar marrëveshjen që EULEX-i synon ta nënshkruajë me Beogradin me qëllim të shkëmbimit të informatave në fushën e policisë, liderët kosovarë kanë ritheksuar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me misionin civil ndërkombëtar dhe përfaqësuesit tjerë që punojnë në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe ICO-në në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Protokolli i EULEX-it me Serbinë është kundërshtuar tashmë nga të gjitha partitë relevante politike në Prishtinë. Ndërkaq, mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Brukselit pas vendimit të sotëm të liderëve, që kjo çështje as të mos diskutohet më në takimet e përbashkëta të krerëve vendorë dhe atyre të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG