Ndërlidhjet

Ndarja e trashëgimisë familjare


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Në Kosovë ekziston ligji që u mundëson femrave të gëzojnë të drejtën e trashëgimisë së pasurisë familjare, por, në praktikë, ky ligj nuk zbatohet. Kështu thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare, sipas të cilave, ndarja e trashëgimisë në Kosovë rregullohet sipas zakoneve.

Ndonëse trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, sipas të cilit, e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes, pa marrë parasysh gjininë, në Kosovë ky fenomen në disa raste ende rregullohet sipas zakoneve.

Merita Behrami, nga Prishtina, tregon se në familjen e saj janë gjashtë fëmijë.

Por, pasurinë e familjes, thotë ajo, do ta ndajnë në mënyrë të barabartë vetëm tre vëllezërit e saj.

Ky fenomen ekziston edhe në familjen time, femrës ende nuk ka filluar t’i ndahet asgjë”.

“Unë mendoj se është një e metë e madhe e popullatës sonë në përgjithësi, sepse rrjedh prej kohërave të lashta. Ma merr mendja se është mentalitet i popullit tonë, i cili gjithmonë femrën e ka konsideruar si subjekt dhe jo të barabartë”, thotë zonja Behrami.

85-vjeçari Shyqyri Sherifi thotë se ndarjen e trashëgimisë e ka bërë në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. I moshuari nga Prishtina pohon se e ka bërë këtë hap, pasi që vajza, pasi të martohet, ta ketë më lehtë të vijë për vizita te vëllezërit.

“Djemtë kanë hise, vajzat nuk kanë marrë hise, për shkak se ato martohen dhe krijojnë familje diku tjetër. Vëllezërit i marrin për pushime; ato kanë të drejtë dy herë në vit (për pushim) nga dy javë apo nga një muaj. Atëherë, në katund i kanë dhënë larg dhe për këtë, dy herë në mot ka shkuar vajza në shtëpi të vet”, shprehet Sherifi.

Edhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare e shohin traditën si arsye kryesore, e cila, siç thuhet, i ndalon femrat të realizojnë të drejtën e trashëgimisë.

Nëse femrat kërkojnë të gëzojnë pasurinë e familjes, e cila u takon edhe me ligj, ato do të gjykohen nga rrethi, thotë Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës ”Gratë për Gratë”.

Kur vjen koha e ndarjes së pasurisë në mes vëllezërve, ajo thekson se në shumicën e rasteve motrat as që janë të pranishme.

“Kur vjen puna te ndarja e pronës ose pasurisë, atëherë femra nuk konsiderohet si subjekt i bisedës, apo nuk kyçet në tavolinën vendimmarrëse, por lihet jashtë tavolinës”.

“Zakonisht, meshkujt janë ata që marrin vendimin për ndarjen e patundshmërisë dhe vajzat veç njoftohen për vendimin e fundit, ku ato nuk janë prezente as në vendimmarrje, por nuk janë akterë as në atë pasuri”, thotë Latifi

Pavarësisht të gjithave, në shumë raste është femra ajo që vetë heq dorë nga trashëgimia familjare vetëm e vetëm për t’i ruajtur raportet e shëndosha brenda familjes.

Këtë e pohon edhe Igballe Rogova, nga “Rrjeti i Grave të Kosovës”, duke shtuar se një gjë e tillë ndikon edhe më shumë në pozitën e tyre ekonomike.

“Ligji ekziston. Problemi te ne, në Kosovë, është që ne nuk e marrim dhe nuk e kërkojmë këtë ligj për të drejtat tona, për të drejtat e grave”.

“Tek ne problemi është se gratë nuk e kërkojnë trashëgiminë e vet. Gjithmonë, kur vjen puna te trashëgimia, thonë se do t’ia lënë vëllait, sepse na hidhërohet vëllai, e nuk kemi ku të shkojmë, etj. Arsye e vetme është që të mos prishen marrëdhëniet me vëllezërit e tyre”,
shprehet Rogova.

Por, Mejremja, qytetare nga Prishtina, e ka thyer këtë tabu. Ajo thotë se i ka kushtëzuar vëllezërit për t’u përfshirë në ndarjen e trashëgimisë së pasurisë familjare, duke mos lejuar, siç shprehet, që ligji i zakoneve të mbizotërojë karshi ligjit ekzistues për familje.

“Është edhe një gjë tjetër, e kushtëzojnë femrën ‘ma fal hisen që të vish tek unë ta pish një kafe’. Unë, faktikisht, po e blej atë kafe. Po e blej vendin tim që më takon mua. Po më kushtëzon dhe kjo nuk është aspak e drejtë”, thotë Mejremja.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, i cili rregullon të drejtën e trashëgimisë për të gjithë anëtarët e familjes.

Shqipe Krasniqi, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës, shpjegon më shumë:

“Tashmë edhe në gjykata, në momentin kur bëhet ndarja e trashëgimisë, gjyqtarët e kanë obligim të marrin informata prej të gjithë anëtarëve të familjes, për të parë se në çfarë forme po ndahet trashëgimia”.

“Do të thotë, në bazë të Ligjit për trashëgimi, e drejta në pronë, e drejta në trashëgimi është e barabartë dhe e pakontestueshme”,
thekson Krasniqi.

Por, ka dhe nga ata qytetarë që mendojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe ky fenomen duhet të çrrënjoset.

Pavarësisht faktit që duhet respektuar ligji, Fadil Demiri thotë se është obligim moral që pasuria e familjes të ndahet në mënyrë të barabartë, pa i përjashtuar motrat.

Demiri rrëfen se në familjen e tij janë katër vëllezër e një motër dhe se akti i ndarjes së trashëgimisë është bërë në mënyrë ligjore.

“Ne e kemi vetëm një motër dhe i kemi blerë shtëpi, e kemi rregulluar krejt. I kemi bërë të gjithë shtëpitë edhe vëllezërit, edhe motra”, tregon Demiri.

Për ta ndryshuar këtë fenomen, duhet të vetëdijesohen vetë femrat dhe të këmbëngulin në të drejtën e tyre që u takon me ligj, thotë Mejremja.

Ne duhet vetë të vetëdijesohemi, ta lexojmë ligjin, t’i njohim të drejtat tona dhe mos të presim që vëllai i madh apo i vëllai i vogël të na i japë neve ato të drejta, të cilat tashmë na takojnë”, thekson Mejremja.

Sidoqoftë, institucionet qeveritare, por edhe shoqëria civile në Kosovë, kanë mbajtur disa aktivitete për vetëdijesimin e popullatës që trashëgimia e pasurisë familjare të ndahet në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh gjininë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG