Ndërlidhjet

Kosova ende pa vaksinë të virusit A-H1N1



Numri i të infektuarve në Kosovë me virusin A-H1N1, që nga rasti i parë i paraqitur në korrik të këtij viti, ka arritur në 12 persona. Autoritetet shëndetësore në Kosovë parashikojnë që në vjeshtë, numri i të prekurve me këtë virus, mund të rritet.

Drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, pohon se në fillim të shtatorit do të fillojë një fushatë sensibilizuese kundër virusit A-H1N1. Ndërsa, në shkolla, thotë ai, do të merren edhe masa të tjera.

Përgatitjet janë të mira dhe solide. Ka medikamente të Tamiflusë. Shpresojmë me kohë edhe për vaksinë. Besojmë në një ballafaqim më të suksesshëm, jo për ta mundur pandeminë në nivel global, sepse është një problem që ka përfshirë shumë shtete, por për t’i zbutur sa më tepër pasojat e saj”, thotë Hoti.

Fushata sensibilizuese janë ndërmarrë edhe nga Polica e Kosovës. Zëdhënësi Arbër Beka tregon për masat e marra në vendkalimet kufitare që nga regjistrimi i rastit të parë në Kosovë, të infektuar nga gripi i derrave.

“Ne po mundohemi të kontaktojmë me qytetarët dhe t’i informojmë ata për virusin A-H1N1. Ne shpresojmë që një bashkëpunim mes policisë kufitare dhe qytetarëve do të vazhdojë. Po ashtu, në pikat kufitare vazhdojnë të jenë të vendosura fletushkat, ku qytetarët mund të informohen për simptomat e këtij virusi”, sqaron Beka.

Ditë më parë, nga Evropa janë dhënë sugjerime që të gjitha qeveritë t’i bëjnë porositë e vaksinës kundër këtij gripi dhe të vaksinojnë popullatën e tyre.

Në lidhje me këtë, drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, bën të ditur se kërkesa e paraqitur në qeveri për 500 mijë vaksina, është miratuar në parim.

“Sot, në mbledhjen e kabinetit qeveritar në parim janë dakorduar që të bëhet blerja e vaksinave. Detajet tjera rreth çmimit, sasisë dhe gjërave tjera procedurale do të kryhen në bashkëpunim midis qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Në këtë proces do të ketë lehtësira nga UNCEF-i dhe OBSH-ja. E rëndësishme është që Kosova të hyjë në mesin e vendeve që kanë bërë porosinë e vaksinave dhe ato t’i ketë në kohën dhe momentin e duhur”,
shprehet Hoti.

OBSH-ja, sipas Hotit, pati rekomanduar që në valën e parë të gripit të vaksinohen 25 deri në 30 për qind e popullsisë. Andaj, shton ai, fillimisht do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, shtatzënat, nënat dhe personat që kanë kontakte të shpeshta me qytetarët.

Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thonë se janë duke bërë trajnimin e personalit mjekësor, në mënyrë që të krijohen kapacitete, të cilat, siç thonë, do të mund të ballafaqohen me një fluks më të madh të të infektuarve me virusin A-H1N1.
XS
SM
MD
LG