Ndërlidhjet

Vazhdojnë nderimet për Kenedin


Qytetarët po nderojnë senatorin e ndjerë Eduard Kenedi në Boston, ndërsa po vazhdojnë përgatitjet per ceremoninë e varrimit që mbahet nesër.

Mijëra persona janë vënë në radhë para bibliotekës presidenciale në të cilën gjendet i shtrirë trupi i senatorit.

Bashkëshortja Viki Kenedi ka thënë se është e nderuar me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve.

“Jemi shumë të nderuar që kaq shumë njerëz kanë ardhur për të nderuar bashkëshortin tim dhe dua t’i falenderoj të gjithë”, ka thënë zonja Kenedi.

Ndërsa nipi i Kenedit, Robert Kenedi, pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve e ndërlidh me punën që ka bërë senatori i ndjerë.

“Kjo reflekton brengat që ai i kishte për klasën punëtore, për njerëzit e varfër dhe vizionin që kishte për vendin tonë. Kjo tregon se sa shumë njerëz besuan në të”, ka thënë Robert Kenedi.

Aktivisti për të drejtat civile Xhes Xhekson e quajti Kenedin një njeri që ndërmori rreziqe për respektimin e të drejtave civile.

“Po vajtojmë ikjen dhe festojmë jetesën e tij. I jemi shumë borxh Ted Kenedit për shërbimet e tij që ishin me rrezik të madh. Kur ai votoi për Aktin e të Drejtave Civile më 1964 që i dha fund segregacionit racor, ishte një territor tiranie. Për këtë u vranë vëllezërit e tij, Martin Luter Kingu e Mexhar Evers. Kur ai votoi për Aktin e së Drejtës së Votës, ai ndryshoi peizazhin politik amerikan”, tha Xhekson.
XS
SM
MD
LG