Ndërlidhjet

logo-print

Ellison: Mburoja kundër-raketore (edhe) në Ballkan

  • D. Shtavlanin

Riki Ellison

Riki Ellison

“Nëse sistemi do të vendosej në Turqi, Ballkan ose Izrael, ai nuk do të mund t’i rrëzonte raketat eventualisht të hedhura nga Rusia dhe kjo do t’i ulte tensionet në marrëdhëniet e Uashingtonit dhe Moskës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Riki Ellison, president i Aleancës për Mburojën Kundër-raketore (MDAA-Uashington).


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ellison, a qëndroni pas pohimit të bërë në shtypin polak për transferimin e mburojës kundër-raketore amerikane nga Polonia dhe Çekia në Turqi, Izrael dhe Ballkan?

RIKI ELLISON
Kjo është një ide që preferohet nga administrata e Obamës. Nuk kemi të bëjmë me rilocim të sistemit anti-raketor, vendosja e të cilit ishte paraparë në Poloni, por me krijimin e një sistemi krejtësisht të ri që do të vendosej në anije.

Mundësitë e këtij sistemi janë më të kufizuara se të atij që eventualisht do të vendosej në Poloni.

Por, siç e thashë, ky është një opsion i pranueshëm për administratën e Obamës, sepse ndihmon në uljen e tensioneve në marrëdhëniet me Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa janë gjasat që sistemi të vendoset në Turqi, Izrael ose në Ballkan?

RIKI ELLISON
Kjo është një ide e administratës së tashme amerikane që do të bëhet publike gjatë muajit të ardhshëm. Me atë rast do të prezantohen opsionet se si të evitohet kërcënimi iranian ndaj Evropës.

Për radarin në Çeki ende konsiderohet se mund të jetë një zgjidhje e mirë, pavarësisht se ku do të vendoset mburoja anti-raketore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se lëvizja e mburojës kundër-raketore më larg Rusisë, përkatësisht drejt Turqisë, Izraelit ose Ballkanit, do të jetë e qëlluar në planin politik?

RIKI ELLISON
Po. Pikërisht ky është shkaku i shqyrtimit të rilocimit të sistemit. Por, duhet dëshmuar se sistemi që do të vendosej në këto hapësira, do të ketë aftësinë që në fazën e hershme të rrëzojë raketën që eventualisht do ta hidhte Irani.

Nga ana tjetër, kjo do të mundësonte uljen e tensioneve në marrëdhëniet me Moskën, sepse nëse sistemi do të vendosej në Turqi, Ballkan ose Izrael, ai nuk do të mund t’i rrëzonte raketat eventualisht të hedhura nga Rusia.

Në aspektin teknik, NATO ka përvojë me këtë sistem. Ky sistem njëkohësisht mund të sigurojë edhe mbrojtje nga raketat me rreze të shkurtër veprimi, me të cilat disponon Irani.

Për shkak të këtyre tipareve të këtij sistemi, mendoj se administrata amerikane do të deklarohet pikërisht për të.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe synimit për të përmirësuar raportet me Moskën, administrata amerikane në fund mund të heqë dorë krejtësisht nga mburoja kundër-raketore?

RIKI ELLISON
Për shkak të kërcënimeve nga Irani, sistemi është i domosdoshëm. Kuptohet që përpjekjet për të bindur Moskën se ai nuk është i drejtuar kundër Rusisë, komplikojnë procesin.

Mendoj se sistemi në fund do të vendoset në disa vende. Krahas raketave në anijet ushtarake, do të shfrytëzohej edhe sistemi i instaluar në tokë (SM3) që do të mbronte Evropën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur përmendët Ballkani, a mendoni se sistemi mund të vendoset në Shqipëri, Kroaci ose Slloveni – si vende anëtare të NATO-s?

RIKI ELLISON
Janë edhe vendet tjera si Bullgaria, Rumania dhe Greqia. Por, edhe ato duhet realizuar marrëveshje, ashtu siç ishte rasti me Çekinë dhe Poloninë.
Në këtë rast, sërish do të duhej diplomaci intensive ndërkombëtare për të bindur vendet e Ballkanit që të pranojnë vendosjen e sistemit kundër-raketor në territorin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vendet e Ballkanit do të tregohen të rezervuara për shkak të frikës nga reagimi i mundshëm i Rusisë, por edhe reagimi i Iranit që është relativisht afër?

RIKI ELLISON
Ato mund të jenë të matura, por kjo është çështje e marrëveshjeve që duhet jetësuar. Shtetet e Bashkuara duan të marrin diç si kompensim për heqjen dorë nga vendosja e sistemit kundër-raketor në Poloni.

Kjo do të thotë se edhe Rusia duhet të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe arritjen e konsensusit, duke lejuar vendosjen e këtij sistemi në Ballkan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG