Ndërlidhjet

Vazhdojnë tensionet në Mitrovicë


Kroi i Vitakut (foto arkiv)
Kroi i Vitakut (foto arkiv)

Gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës edhe sot është vlerësuar të jetë e tensionuar. Ndonëse nuk janë shënuar incidente, autoritetet e rendit kanë njoftuar për tubime të qytetarëve serbë e atyre shqiptarë tek lagjja Kroi i Vitakut.


Qytetarët shqiptarë dhe ata serbë në pjesën veriore të Mitrovicës, tek lagjja Kroi i Vitakut, edhe sot kanë vazhduar të kenë mospajtime rreth ndërtimeve që po bëhen në këtë pjesë të qytetit.

Serbët e atjeshëm vazhdojnë t’i pengojnë banorët shqiptarë në renovimin e shtëpive të tyre, përderisa në mes dy komuniteteve të revoltuara mbetet e përqendruar Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, me qëllim të pengimit të eskalimeve dhe dhunës.

Përveç akuzave ndaj serbëve, të cilët kanë uzurpuar vendin ku shqiptarët po ndërtojnë shtëpitë e tyre, banorët shqiptarë akuzojnë edhe Policinë e Kosovës, komandën në veri, e cila drejtohet nga serbët, se është e përfshirë në pengimin e ndërtimit të shtëpive të tyre.

Këto akuza, ata i mbështesin në faktin se policia nuk i ka penguar serbët që të pozicionohen në pronat e shqiptarëve ku po kryhen punimet.

Musa Haliti, banor i kësaj lagjeje, thotë se fajtorë për gjendjen e krijuar dhe bllokimin e punëve janë edhe policët e stacionit verior, edhe ata të EULEX-it.

“Sot ndodhin këto marri nga ana e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, kurse ajo që na nxit edhe më shumë, është se Policia e EULEX-it i është bashkangjitur palës joreale që ka ardhur këtu. Marria më e madhe është që këta njerëz (policia) kanë bërë kordonë pikërisht këtu tek ne”, thotë banori Musa Haliti.

Mirëpo, në anën tjetër, komandanti i stacionit verior, Millija Millosheviq, thotë se policia nuk është e përfshirë në çështjen e lejimit apo pengimit të ndërtimeve dhe se ajo përkujdeset vetëm për sigurinë e atjeshme.

“Ne, si polici, nuk duam që t’ia ndalojmë dikujt dhe as që e kemi atë të drejtë që dikë ta pengojmë në ndërtimin apo kthimin në pronën e tij. Të gjithë njerëzit që jetojnë në territorin e Kosovës, kanë të drejtë të kthehen nëpër pronat e tyre”, thotë Millosheviq.

Policia, shton ai, ka autorizim që të pengojë dhe parandalojë çdo incident dhe dhunë të mundshme.

Ndërkohë, një banor serb i veriut të Mitrovicës, Dragosllav Zhivkoviq, thotë se serbët tubohen në shenjë proteste ndaj punimeve të shqiptarëve në pronat dhe shtëpitë e tyre.

“Jemi marrë vesh që të rinovohen pesë shtëpi në të dyja anët. Shqiptarët i kanë rinovuar 23 shtëpi, kurse ne pesë sosh”, shprehet Zhivkoviq.

Me zhvillimet në Mitrovicë dhe përfshirjen e policisë së atjeshme po merret edhe Komanda Qendrore në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se janë duke u zhvilluar disa hetime të brendshme për të vërtetuar nëse komanda në veri ka marrë vendime të shkëputura nga zinxhiri komandues apo jo.

“Është një zinxhir unik komandues, ashtu siç është e paraparë në Ligjin për Policinë. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është duke u bërë një vlerësim sa u përket veprimeve të ndërmarra policore në veri të Mitrovicës”.

“Në rast se rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se ka pasur ndonjë devijim sa i përket zinxhirit komandues, atëherë do të formohet një ekip i veçantë hetimor, ose rasti do të përcillet tek Inspektorati Policor i Kosovës”,
thekson Beka.

Gjendja në Mitrovicë, ndonëse e qetë, nga institucionet vendase vlerësohet e tensionuar. Aktualisht, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që banorët serbë të tërhiqen dhe të lejojnë banorët shqiptarë t’i vazhdojnë punimet.

Dje, kryeministri Hashim Thaçi i ka quajtur të papranueshme veprimet e grupeve të serbëve për moslejimin e shqiptarëve që të jetojnë e punojnë në pronat e tyre. Ai ka paralajmëruar masa edhe kundër zyrtarëve, përfshirë dhe ata të policisë, që pengojnë normalizimin e jetës në këtë qytet.
XS
SM
MD
LG