Ndërlidhjet

Vendimin e institucioneve të Kosovës për t’i përmbyllur diskutimet rreth protokollit të paralajmëruar midis EULEX-it dhe Serbisë, analistët politikë në Prishtinë e mbështesin, por njëkohësisht e shohin me skepticizëm. Ata thonë se presidenti dhe kryeministri do ta kenë të vështirë t’i përmbahen asaj që kanë thënë.


Vendimi i presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi për të mbyllur debatin për protokollin e paralajmëruar midis EULEX-it dhe Serbisë, është mbështetur nga analistët politikë kosovarë. Por, megjithatë, ata shprehen skeptikë sa i përket qëndrueshmërisë së atij vendimi.

Analisti për çështje politike, Halil Matoshi, konsideron se presidenti dhe kryeministri nuk do të mund t’i përmbahen asaj që kanë thënë. Një vendim i tillë do të shkaktonte, siç thotë Matoshi, përplasje me EULEX-in.

Halil Matoshi
“Mua më duket që tendencat shkojnë andej, që normalisht duhet të bëhet një presion politik, qoftë edhe ndaj EULEX-it, sepse me këtë dëshmohet se, megjithatë, liderët kosovarë realisht po i kryejnë funksionet e tyre kushtetuese”.

“Mirëpo, kjo nuk mund të zgjasë, për shkak se Kosova nuk është në pozicion të tillë politik që të përplaset me misionin EULEX, që praktikisht është i vetmi mekanizëm, i cili e mban integritetin territorial të vendit dhe i cili objektivisht siguron funksion efektiv të pushtetit në tërë territorin e Kosovës”.

“Pa EULEX-in, praktikisht Prishtina zyrtare nuk mund ta kontrollojë veriun, as policinë, as gjykatat, madje as territorin”,
thotë Matoshi.

Se presidenti dhe kryeministri kanë vepruar konform obligimeve kushtetuese e pohon edhe analisti Ismail Hasani, por ai prapëseprapë mendon se çështja e nënshkrimit të një protokolli të tillë është në duar të EULEX-it.

“Unë mendoj që nuk kanë mundësi t’i përmbahen. Vendimi është marrë me përgjegjësi shtetërore do të thosha, është konform obligimeve kushtetuese që kanë presidenti i vendit dhe kryeministri”.

“Por, në të njëjtën kohë, mendoj se nuk mund t’i thuhet çështje e mbyllur një procesi që nuk është në duar as të presidentit, as të kryeministrit, për faktin që EULEX-i ka iniciativën për sajimin e atij propozimi dhe konsideroj që është një shkelje flagrante e proceseve demokratike në Kosovë”,
shprehet Hasani.

Për analistin Matoshi, lidershipi kosovar po bën një politikë në dy drejtime: në atë për konsum të brendshëm dhe një tjetër për misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“Presidenti i vendit, Sejdiu, dhe kryeministri Thaçi po bëjnë politikë në dy binarë: një politikë për konsum të brendshëm, pra për publikun kosovar, dhe një politikë në raport me misionet ndërkombëtare, në raport me Bashkimin Evropian dhe akterët e tjerë që janë të involvuar në mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. Mos të harrojmë se pavarësia e Kosovës, ndonëse nuk është e kushtëzuar, është e mbikëqyrur”, thekson Matoshi.

Ndërkaq, analisti Hasani shpreh bindjen se pavarësisht vendimit të marrë nga institucionet e Kosovës, EULEX-i do të vazhdojë synimin e vet.

Ismail Hasani
“Një vendim i tillë mendoj se nuk mund të ketë implikime të drejtpërdrejta në zhvendosjen e asaj që quhet vendim, që edhe më tutje e konsideroj të çuditshëm, e për të cilin EULEX-i do t’i marrë përgjegjësitë e veta në të ardhmen. Problemi është te pafuqia për të ndërruar atë që EULEX-i ka ndërmarrë”,
thotë Hasani.

Udhëheqësit e lartë të Kosovës kanë deklaruar se institucionet janë të përkushtuara që të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe ICO-në në interes të të gjithë qytetarëve.

Deri më tash, ende nuk është bërë e ditur se cili mund të jetë reagimi i Brukselit pas vendimit të liderëve të Kosovës që kjo çështje të mos diskutohet më në takimet e përbashkëta të krerëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG