Ndërlidhjet

Këmbimet tregtare të Kosovës me vendet e rajonit, nga autoritetet kosovare vlerësohen të jenë të mira, ndonëse jo shumë të avancuara. Problem, sipas tyre, mbetet bashkëpunimi me Serbinë dhe Bosnjën, për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes për tregti të lirë me vendet e Evropës Juglindore, CEFTA, nga këto dy vende.


Kosova, sipas përfaqësuesve të institucioneve ekonomike, këmbimin tregtar e ka më të lartin në vendet e rajonit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se bashkëpunimi i mirë ekonomik mes vendeve të rajonit ka sjellë përfitime edhe për shtetin e Kosovës.

Por, siç thekson ai, duhet avancuar bashkëpunimi me këto vende dhe duhet ngritur niveli i këmbimeve tregtare, që Kosova të mos mbetet edhe më tej një vend më shumë importues, sesa eksportues.

“Për neve, partnerë të rëndësishëm janë të gjitha vendet e rajonit. Maqedonia është një partner mjaft i rëndësishëm në këmbimin tregtar”.

“Ky vend eksporton në Kosovë 300 milionë euro në vit dhe importon nga Kosova rreth 14 milionë euro, që praktikisht është një gjendje e debalancuar. Kjo ka nevojë për një rishqyrtim të marrëdhënieve ekonomike në mes këtyre dy vendeve, në mënyrë që të krijohen partneritete të qëndrueshme dhe jo të kemi marrëdhënie të thjeshta tregtare”, thotë Beqaj, duke treguar se me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova ka këmbime tregtare deri në 40 milionë euro.

Sipas tij, Kosova nga Serbia importon në formë të rregullt produkte të ndryshme në vlerë prej 200 milionë eurosh në vit, përderisa Kosova nuk eksporton as edhe një produkt në këtë vend, për shkak të bllokadës që i ka bërë produkteve të Kosovës.

“Në përgjithësi, më pak se 50 për qind e këmbimeve tregtare të Kosovës bëhet me vendet e rajonit, një pjesë e madhe bëhet me Unionin Evropian, pastaj me Turqinë”.

“Rajoni, si i tillë, në vitin e kaluar ka shënuar një ngritje që mund të thuhet se është rezultat i CEFTA-s, por problemet që kanë ndodhur me Serbinë dhe Bosnjën, kanë krijuar probleme serioze me Kosovën dhe këmbimet tregtare me vendet e rajonit”,
thotë Beqaj.

Zyrtarja për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Igballe Rexha, pohon se raportet ekonomike me Shqipërinë mbesin më të avancuara krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Kosova vazhdon të bashkëpunojë me eksport dhe import me Maqedoninë. Vendin e parë me eksporte vazhdon ta zërë Shqipëria, ndërsa sa i përket importit, kemi një import të vogël me Shqipërinë”.

“Pastaj, kemi Serbinë në vendin e tretë, Kroacinë e Bosnjën. Me Malin e Zi kemi një ulje të madhe të shkëmbimeve tregtare”, shpjegon Rexha.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë mendojnë se autostrada Durrës-Kukës është mundësi mjaft e mirë për këmbimet tregtare me vendet e rajonit, e në veçanti ato Kosovë-Shqipëri.

Kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari-Lila, thotë se funksionalizimi i autostradës ka ndihmuar në një bashkëpunim më të mirë në mes këtyre dy vendeve.

“Më tepër e shoh si rrugë që do të mundësojë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, sesa që do të mundësojë formën e transitit”.

“Transiti më i mirë për kosovarët do të ishte përmes portit qoftë të Shëngjinit apo atij të Durrësit, që përmes Shqipërisë të kalojmë në pjesën tjetër të Evropës”,
thotë Kusari-Lila.

Doganat e Kosovës tashmë kanë filluar të mendojnë për pritjen e fluksit të madh të mallrave të ndryshme, që pritet të kalojnë transit në Kosovë, pas funksionalizimit të autostradës Durrës-Kukës-Merdare.

Sfidë për institucionet e Kosovës dhe vendet tjera të rajonit mbetet nënshkrimi i marrëveshjeve zyrtare dhe zbatimi i tyre për një zhvillimmë të qëndrueshëm ekonomik rajonal.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG