Ndërlidhjet

Pasojat e bombës atomike ruse

  • Bruce Panier

Bashkimi Sovjetik testoi bombën e tij të parë atomike, 29 gusht 1949.

Bashkimi Sovjetik testoi bombën e tij të parë atomike, 29 gusht 1949.

Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 29 gusht të vitit 1949, një ngjarje ndodhi në Kazakistan, që ngjalli frikën e një gare vdekjeprurëse. Bashkimi Sovjetik testoi bombën e tij të parë atomike, duke shpërndarë një re kërpudhe mbi stepat e Kazakistanit verior, por edhe një re frike për pjesën tjetër të botës, ndërsa po fillonte epoka e garës atomike. Ai shpërthim dhe shumë teste që e pasuan, lanë pasoja në banorët e Kazakistanit.


“Vetëtima e parë”, një bombë atomike 22 kilotonëshe shpërtheu në orën 7, më 29 gusht të vitit 1949, në rajonin Semipalatinsk në Kazakistanin verior.

Gara me armë bërthamore e Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara kishte filluar.

Amerika, që tashmë kishte demonstruar kapacitetin e saj bërthamor me dy bombardimet vdekjeprurëse në Hiroshimë dhe Nagasaki, e pagëzoi provën sovjetike sipas Josef Stalinit “Xho One”.

Atëbotë, shpërthimi ishte burim krenarie për popullin e Bashkimit Sovjetik. Por, ai shpërthim dhe qindra të tjerë që pasuan në një zonë prej 18 mijë kilometrash katrorë në Semipalatinsk kanë lënë një trashëgimi fatkeqe për njerëzit që jetojnë atje.

Në kohën kur përfundimisht u mbyll në vitin 1989, ky rajon, i zgjedhur nga ish-shefi i policisë sekrete, Lavrenti Beria, ishte vendi ku u kryen 456 teste atmosferike dhe nëntokësore bërthamore - sa një e katërta e të gjitha testeve të kryera në botë.

Në mes të festimeve për testin e parë, pak vërejtën se pretendimet e Berias që rajoni ishte i pabanueshëm, ishin të gabuara.

Kjo çështje nuk tërhoqi vëmendje as për katër dekadat e ardhshme, ndërsa njerëzit që jetonin në Kazakistanin verior pa vullnetin e tyre, ishin shndërruar në subjekte eksperimentuese.

Banorët ishin urdhëruar që të rrinin jashtë shtëpive të tyre ndërsa ndodhnin testet, në mënyrë që më vonë të ekzaminoheshin si pjesë e studimeve mbi efektet e radioaktivitetit.

Zoja Mihajlovna është banore e Kurçatovit të Kazakistanit, qytet ky që ishte qendër për shkencëtarët që zhvilluan armët bërthamore të Bashkimit Sovjetik.

“Sipas atyre që më thoshte nëna ime, forcat ushtarake u kërkonin banorëve që t’i linin shtëpitë, për ta parë më pas në qiell tymin në formë kërpudhe, pas ndonjë shpërthimi. Unë i ndjeja tërmetet kur flija. Kur ndjenim tërmetet, e dinim se kishte pasur shpërthim. Më vonë u mësuam me këtë. Pastaj, autoritetet filluan t’i shpërthenin këto bomba pa kurrfarë paralajmërimi”, rrëfen Mihajlovna.

Mijëra raste të lindjeve me defekte, kancereve dhe sëmundjeve neurologjike janë regjistruar që atëherë në rajonin e Semipalatinskit. Madje, edhe kafshët shtëpiake të rajonit vuanin nga deformime dhe defekte të tjera.

Zhanbolat Gilmanov është i punësuar në Qendrën Kombëtare Bërthamore të Kazakistanit. Ai thotë se autoritetet sovjetike shtrembëruan të vërtetën në lidhje me fuqinë e bombave që ishin testuar.

“Informacioni i dhënë ishte larg nga realiteti. Për shembull, në media raportohej se ishte shpërthyer një bombë atomike 20 kilotonëshe, por kur matnim fuqinë e bombës, dilte të ketë qenë 80 kilotonëshe. Autoritetet zvogëlonin aq sa mundnin masën e bombave. Prandaj, shifrat prej 0 deri në 20 kilotonë që përmenden në disa libra, janë informata të rreme”, thotë Gilmanov.

Ai thotë se fshehja e së vërtetës ka lënë pasoja në pikëpamje ekonomike, morale e ambientaliste. Gilmanov thotë se asnjëherë nuk u shpjegua se pse 500 nga 715 testet sovjetike bërthamore ishin kryer në Kazakistan.

Në anën tjetër, Dmitri Kalmikov, nga Ekomuseum, thotë se pasojat mund të shihen edhe sot.

“Rajoni ku u kryen testet në Semipalatinsk është i vetmi në botë ku njerëzit jetojnë, dhe populli i Kazakistanit është i vetmi që jeton në një zonë ku janë kryer testet atomike”, thotë Kalmikov.

Mbetet e paqartë se sa njerëz jetojnë në zonën e kontaminuar, edhe pse Kalmikov thotë se mund të jenë disa mijëra.

Në përgjithësi, testet kryhen në zona të pabanuara. Kalmikov thotë se një problem tjetër është se këta njerëz as nuk e dinë nëse jetojnë në zonë të kontaminuar.

“Këta njerëz as nuk e dinë se ku është zona ku janë kryer testet. Ne kemi bërë një anketë me policë, doktorë apo qeveritarë. Ata nuk e dinë nëse janë duke jetuar në atë zonë. Praktikisht nuk ka informacione nga qeveria për mbrojtjen nga radioaktiviteti”, shprehet Kalmikov.

Qeveria e Kazakistanit ka thënë disa herë se do t’i zhvendosë njerëzit që jetojnë në “zonat e vdekura” të Semipalatinskit, apo se do të pastrojë zonën, por ka pak të dhëna se është ndërmarrë diçka konkretisht në këtë drejtim.

Sidoqoftë, përvjetori i 60-të i testit të parë duket të jetë më shumë ditë zie për njerëzit që jetojnë ende afër Semipalatinskit. Askush nuk mund të thotë se kur ose nëse zona do të jetë e sigurt sërish për banim.

XS
SM
MD
LG