Ndërlidhjet

logo-print

Mllefi i familjarëve të të zhdukurve


Fotografitë e të pagjeturve të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Fotografitë e të pagjeturve të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Rreth 1885 persona mbesin të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Në prag të shënimit të Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve, familjarët shprehen të zhgënjyer me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ripërsërisin kërkesën e tyre që autoritetet kompetente të bëjnë më shumë përpjekje për zbardhjen e fatit të më të dashurve.

Familjarët e personave që vazhdojnë të figurojnë në listën e rreth 1885 të të pagjeturve në Kosovë që nga përfundimi i luftës, 10 vjet më parë, shprehen të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila, siç thonë ata, nuk ka treguar gatishmëri serioze për të formuar mekanizma profesionalë që do të merreshin me zgjidhjen e këtij problemi.

Nysrete Kumnova, e cila nuk di asgjë për të birin e rrëmbyer 10 vjet më parë, drejton një varg kritikash kah institucionet kosovare, të cilat, sipas saj, kanë lënë pas dore çështjen e personave të pagjetur në Kosovë.

Kumnova, e cila udhëheq Asociacionin e familjarëve të personave të pagjetur, “Thirrjet e nënave”, thotë se nuk është optimiste në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Kaluan 10 vjet dhe ne familjarët e të pagjeturve jemi në gjysmë të rrugës; mbi 200 persona konsiderohen si të zhdukur. Institucionet e Kosovës kanë pak interesim, pak i kanë kushtuar kësaj çështjeje. Duhet patjetër t’i gjejmë. Nuk ka pengesë për Kosovën nëse ata i kërkojmë. Jemi shumë të pakënaqur me rezultatet që janë bërë deri më tani rreth kësaj çështjeje”,
shprehet Kumnova.

Sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë 1885 persona të zhdukur, shumica prej tyre kosovarë, por edhe të nacionalitetit serb, rom, si dhe të komuniteteve tjera.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Idriz Gashi, thotë se do të vazhdojnë t’i inkurajojnë autoritetet në Beograd dhe Prishtinë që të kontribuojnë më shumë në dhënien e informatave se ku mund të gjenden personat që figurojnë si të pagjetur.

“Mendojmë që problemi kryesor pse ky proces ka stagnuar qëndron në faktin se mungojnë informatat për vendndodhjen e lokacioneve të mundshme të varrezave. Ne apelojmë tek të gjithë ata që kanë informata, t’i ndajnë me institucionet, në mënyrë që organizatat e specializuara që merren me identifikim, të bëjnë identifikimin e këtyre mbetjeve mortore dhe t’iu dorëzohen familjeve”, thotë Gashi.

Që nga shpallja e pavarësisë, janë organizuar takime mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndërkohë, prej vitit 2004, kur edhe kanë nisur punën këto grupe punuese, janë kthyer qindra mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, kufomat e të cilëve janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Kryesuesi i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kasumi, mendon se pa një angazhim të organizuar siç duhet, nuk do mund të mbyllet kjo çështje.

“Institucionet tona ende nuk janë të vetëdijshme për kompleksitetin e kësaj çështjeje. Kjo çështje kërkon qasje profesionale, angazhime serioze dhe me këto jemi shumë të bindur që do të arrihen rezultate, edhe pse paraprakisht është e pamundur të mbyllet tërësisht kjo kaptinë e dhimbshme e së kaluarës sonë, ngase kemi paralajmërime që një numër i madh i të pagjeturve tanë është i djegur dhe do t’i hulumtojmë deri sa te jemi gjallë”, thotë Kasumi.

Ndryshe, çështja e personave të pagjetur nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë vlerësohet të jetë një ndër çështjet prioritare, për të cilat duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG