Ndërlidhjet

logo-print

“Tensione politike muajt e ardhshëm”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Maqedonia eksporton në Kosovë 300 milionë euro në vit dhe importon nga Kosova 14 milionë euro, që praktikisht është gjendje e debalancuar. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se Kosova duhet të avancojë bashkëpunimin ekonomik me vendet e rajonit që të mos mbetet edhe më tej një vend më shumë importues, sesa eksportues. “Maqedonia eksporton në Kosovë 300 milionë euro në vit dhe importon nga Kosova rreth 14 milionë euro, që praktikisht është një gjendje e debalancuar”...

EPOKA E RE
I përjashtuari nga AAK-ja, Bujar Dugolli, është rrëfyer për “Epokën e re”. Veprimin e fundit të ish-partisë së tij për përjashtim e ka krahasuar me atë të kohës së sistemeve totalitare komuniste. Dugolli ka thënë se Haradinaj e eliminoi për t’u liruar nga një njeri, i cili do t’i kërkonte dorëheqjen në rast të mosfitimit të 20 për qind të votave në zgjedhje. Si njëri ndër themeluesit e AAK-së, të ardhmen e kësaj partie e sheh të pasigurt. Dugolli ka folur gjerësisht për tendencën e Haradinajt për ta koncentruar tërë pushtetin partiak në duart e tij. Ka folur për eliminimin sistematik të mendimit ndryshe brenda AAK-së. Ka folur për mungesën e debatit brendapartiak. E ka akuzuar Haradinajn për nxitje të urrejtjes në politikën e Kosovës...

KOHA DITORE
Fiks një javë pasi që i është vënë kurora e përcjellëses së dytë të “Miss Universe 2009”, në spektaklin e mbajtur në Atlantis, Paradise Island në Bahame, kosovarja 18-vjeçare Marigona Dragusha është kthyer në Kosovë. Pak minuta para orës 20.00 të së dielës në mbrëmje, Dragusha ka ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. E veshur me fustan të zi, qafore të zezë dhe take të larta, bukuroshja 18-vjeçare ka zbritur nga aeroplani, teksa është mahnitur me pritjen që i është bërë në Prishtinë...

LAJM
Trendi i investimeve të huaja në Kosovë ka shënuar rënie, ndërsa për tërheqjen e këtyre investimeve duhet që institucionet e Kosovës të krijojnë lehtësira të ndryshme doganore dhe fiskale. Kështu kanë vlerësuar ekspertë të ekonomisë dhe drejtues të organizatave ekonomike, të cilët ngrenë shqetësimin për stagnimin e investimeve të huaja direkte në Kosovë dhe i kritikojnë institucionet e vendit se nuk janë duke bërë gjë në këtë drejtim. Drejtori i Odës Ekonomike për Marrëdhënie me Jashtë, Safet Gërxhaliu, tha se nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë për ngritjen e atraktivitetit të Kosovës për investitorët e huaj...

INFOPRESS
Uebfaqja e EULEX-it në Kosovë mbrëmjen e ditës së premte është sulmuar nga hakerë kosovarë, më saktësisht nga grupi i quajtur Kosova Hackers Group (KHG). Hakerët kosovarë nga grupi “Kosova Hackers Group” kanë sulmuar uebfaqen zyrtare të EULEX-it në Kosovë www.eulex-kosovo.eu dhe aty kanë vendosur një porosi se ky mision nuk guxon të nënshkruajë marrëveshje, çfarëdo qofshin ato, kundër vullnetit të popullit. Në uebfaqe është vendosur ky mesazh: “ Ju nuk mund t’ia shisni vendin tonë prapë Serbisë, ne kemi luftuar me gjak... Ne të rinjtë e Kosovës jemi të lodhur nga gënjeshtrat se EULEX-i është prapa popullit dhe nënshkruan marrëveshje për të shkatërruar të ardhmen e Kosovës”...

KOSOVA SOT
Situata politike në Kosovë mund të tensionohet gjatë muajve të ardhshëm. Ky është konstatimi i dalë nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë lidhur me zhvillimet e fundit në vend, duke marrë si referencë qëndrimet e kundërta të institucioneve të BE-së lidhur me marrëveshjen protokollare me Serbinë, gjendjen në veri dhe zgjedhjet lokale të nëntorit. Agjencia amerikane për hulumtime strategjike “Stratfor”, në një raport kushtuar zhvillimeve në Kosovë, thekson se kontestet ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe perëndimit rreth prezencës së misionit të BE-së mund të shndërrohen në sfida serioze të sigurisë...

EXPRESS
Diplomacia e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për ngjarjen më të madhe diplomatike botërore të vitit - Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila fillon punimet më 15 shtator, në selinë e organizatës në Nju-Jork. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, do ta përbëjnë delegacionin kosovar, i cili duke mos pasur të drejtë të marrë pjesë në punimet e asamblesë, do të mundohet që në margjina të kësaj ngjarjeje të shpërthejë murin e trashë që ndan Kosovën me shtetet që ende nuk e kanë pranuar atë. Ethet diplomatike për këtë ngjarje tashmë janë duke u ndjerë në Prishtinë, njëjtë sikur edhe në Beograd... Në një intervistë për “Express”, shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, thotë të ketë kërkuar takime me delegacione nga rreth 80 shtete, shumica nga të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Nga këto kërkesa ai pret përgjigje pozitive nga të paktën gjysma e tyre...

ZËRI
Vetëm një ditë pasi i dyti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se edhe partia më e madhe në vend është pro vendosjes së kamerave në vendvotime dhe në vendnumërime, edhe pse përfaqësuesit e saj në KQZ kishin votuar kundër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i partive opozitare, të cilat këto deklarata të Kuçit i kanë quajtur një lojë politike. Përfaqësuesit e partive opozitare parlamentare dhe joparalmentare, duke i komentuar deklarimet e të dytit të PDK-së, kanë thënë se kjo është pika kulminante e lojës politike te PDK-së, e cila me çdo kusht ka insistuar që të mos ketë kamera në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit...
XS
SM
MD
LG