Ndërlidhjet

Serbët të ndarë rreth daljes në zgjedhje


Serbët e Kosovës mbeten të ndarë në qëndrime në lidhje me pjesëmarrjen apo bojkotin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës janë regjistruar 6 subjekte serbe.



Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës shprehin qëndrime të ndryshme në lidhje me pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës përkrahet më shumë nga përfaqësuesit e pjesës qendrore të Kosovës, përderisa bojkoti ka shumë mbështetës në pjesën veriore.

Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb për pjesën qendrore të Kosovës, beson se serbët duhet të dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale, në mënyrë që t’i mbrojnë më mirë interesat dhe të drejtat e komunitetit.

Rada Trajkoviq
“Ekzistenca e serbëve në Kosovë mund të sigurohet vetëm me dalje në zgjedhje”,
thotë Trajkoviq, duke shtuar se një motiv plus në këtë aspekt është edhe krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, që do të pasojë në bazë të procesit të decentralizimit.

Po ashtu, me pjesëmarrje në zgjedhje, nënvizon Trajkoviq, do të garantohet që komunat të udhëhiqen nga njerëz legjitimë, që do të dalin nga ky proces zgjedhor.

Në anën tjetër, njëri nga liderët e serbëve në pjesën veriore, Marko Jakshiq, thotë se serbët nuk kanë pse të dalin në zgjedhjet e Kosovës. Ai i quan të mjerë ata serbë që vendosin të dalin të votojnë, duke besuar se me votën e tyre po ndihmojnë konsolidimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.
Çdo rrëfim se me këto zgjedhje do të ndihmohen serbët, është i zbrazët...

“Çdo rrëfim se me këto zgjedhje do të ndihmohen serbët, është i zbrazët, sepse me këto zgjedhje vetëm ndihmohet dhe legalizohet edhe një shtet shqiptar në Ballkan”,
thotë Jakshiq.

Ndërkaq, Millan Ivanoviq, po ashtu njëri nga liderët e serbëve në veri të Kosovës, thotë se shumë shpejt komunitetit serb do t’i drejtohen apele që të mos dalë në zgjedhjet e Kosovës.

Millan Ivanoviq
“Ditëve dhe javëve në vijim do t’iu drejtojmë thirrje serbëve të Kosovës si dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare që të mos dalin në zgjedhje, sepse ne i kemi përfunduar zgjedhjet tona”,
thotë Ivanoviq, duke aluduar në zgjedhjet lokale të Serbisë, të cilat zakonisht këta përfaqësues i organizojnë edhe në Kosovë.

Ndërkohë, qytetarët serbë shprehin mendime të ndryshme në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Aleksander Mijatoviq nuk sheh arsye pse duhet të dalë dhe të votojë.

“Nuk u besojmë institucioneve të Kosovës, sepse liderët kosovarë nuk i kanë sjellë komunitetit serb asgjë të mirë, kurse, e dyta, mungon besimi edhe te liderët serbë”, thotë ky qytetar.

Mirëpo, edhe nga votuesit serbë ka të atillë që mendojnë se vota e tyre mund t’ua përmirësojë kualitetin e jetesës. Jelena Dobrosavleviq mendon se duke votuar, ajo po dëshmon se është qytetare e këtij vendi.

“Unë dua ta shfrytëzoj të drejtën time qytetare dhe të dal të votoj, pavarësisht se si veprojnë apo çka thonë të tjerët”, thotë Jellena Dobrosavleviq.

Ndryshe, serbëve tashmë u ka drejtuar një mesazh politik edhe Beogradi, sipas të cilit, nuk ka kushte që ky komunitet të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit në Kosovë. Por, sidoqoftë, janë 6 subjekte politike serbe që tashmë kanë aplikuar dhe janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje tek Komisioni Qendror Zgjedhor.
XS
SM
MD
LG