Ndërlidhjet

Siguria kushtëzon rindërtimin në veri


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë


Pas incidenteve dhe pengesave të shumta në lidhje me rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, zyrtarë të pushtetit lokal të këtij vendi dhe ata të administratës së Kombeve të Bashkuara kanë mbajtur një takim, temë boshte e të cilit ka qenë rindërtimi i këtyre shtëpive.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se në takim me kreun e UNMIK-ut, Lamberto Zanier, është ritheksuar një vendim i mëparshëm se nuk ka nevojë të kërkohet leje speciale për rindërtimin e shtëpive në veri, ashtu siç kishin pretenduar banorët serbë të kësaj lagjeje.

“Ne biseduam per rikonfirmimin që njerëzit kanë të drejtë të kthehen në pronat e veta. Nuk ka pengesa legale. Kryeadministratori shpesh ka qenë i dezinformuar dhe nga stafi i vet, dhe nga shërbyesit civilë që janë në këtë komunë. Duhet t’iu mundësohet njerëzve pa frikë, pa problem, të kryejnë rindërtimin, pastrimin... Pra, vetem një konfirmim i asaj që e kemi deklaruar edhe ne, edhe ai”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e UNMIK-ut e kanë konfirmuar mbështetjen e misionit të OKB-së për, siç thuhet, të drejtën e njerëzve për t’u kthyer në pronat e tyre. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, shpjegon:
Ajo që është me rëndësi është se UNMIK-u pajtohet në lidhje me të drejtën e njerëzve për t’u kthyer dhe për t’i rindërtuar shtëpitë e tyre...

Takimin në mes të PSSP-së dhe kreut të Komunës së Mitrovicës, do ta quaja pozitiv. Ajo që është me rëndësi është se UNMIK-u pajtohet në lidhje me të drejtën e njerëzve për t’u kthyer dhe për t’i rindërtuar shtëpitë e tyre, vetëm se duhet të bashkëpunojmë në të ardhmen në lidhje me këtë çështje”, tha Giki.

Mirëpo, rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve të Kroit të Vitakut mund të nisë vetëm pas, siç thuhet, stabilizimit të situatës, gjë e cila, sipas shefit të UNMIK-ut, Zanier, mund të arrihet në koordimin me trupat e KFOR-it në veri dhe pjesëtarët e policisë së EULEX-it.

Zanier ka shprehur shqetësimet e UNMIK-ut për destabilzimin e situatës. Kthimi i banorëve në Kroin e Vitakut, sipas tij, mund të bëhet në kushte që nuk rrezikojnë sigurinë e pronarëve të shtëpive.

Misioni i OKB-së, kohë më parë, ia kishte dhënë dritën jeshile ndërtimit të 5 shtëpive serbe në Kroin e Vitakut.

Kreu i Komunës së Mitrovicës sqaron problematikën e lejeve për ndërtim.

Bajram Rexhepi
“Për rindërtim nuk ka nevojë për leje të UNMK-ut as të askujt, as të komunës, as në jug, as në veri, as askund. Për ndërtimet e reja sigurisht që duhet një lloj leje. Për momentin, në bazë ligjore e ka kjo administrata e UNMK-ut në veri, derisa nuk kryhet procesi i decentralizimit. Mirëpo, këto janë rindërtime, nuk janë ndërtime të reja, prandaj kjo nuk na obligon neve”,
theksoi Rexhepi.

Sido që të jetë, disa pronarë, të cilët nuk po lejohen të rindërtojnë shtëpitë e tyre, kanë paralajmëruar që nesër sërish do të tentojnë të punojnë në pronat e tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG