Ndërlidhjet

Ebadi: Proceset në Iran – parodi e drejtësisë


Shirin Ebadi
Shirin Ebadi

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe dhe avokatja iraniane, Shirin Ebadi, i ka dënuar proceset gjyqësore që autoritetet e Iranit po i zhvillojnë kundër afro 100 personave, që janë arrestuar për trazira pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale.


RADIO EVROPA E LIRË
Sesioni i katërt i proceseve gjyqësore të një numri të reformistëve eminentë, intelektualëve dhe të tjerëve, këto ditë u mbajt në Iran. Në çfarë mase ato janë mbajtur në harmoni me ligjet iraniane?

SHIRIN EBADI
Këto procese janë tërësisht ilegale, sipas ligjeve të Republikës Islamike, që kanë të bëjnë me proceset, hetimet dhe arrestimet.

Ne mund t’i përshkruajmë gjykimet si parodi e drejtësisë. Ato ishin shpallur publike, por as familjet e të akuzuarve nuk lejohen që të marrin pjesë në to.

Shkurtimisht, këto procese, që janë thjesht një shfaqje dhe parodi e drejtësisë, nuk pranohen nga populli i Iranit dhe opinioni ndërkombëtar. Ato po e diskreditojnë vetveten dhe ne po na shqetësojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se akuzat kundër të arrestuarve dhe i gjithë procesi është i mbështetur në pranimin e të burgosurve, që në burg ishin mbajtur për më tepër se dy muaj. A mund të pranohen si dëshmi këto pranime dhe a kanë ato ndonjë vlerë juridike?

SHIRIN EBADI
Pranimet e bëra nga personi që është në burg, pa qasje të avokatit, dhe të drejtat e tij të tjera, që po ashtu janë të definuara me ligjet iraniane, nuk janë të rëndësishme.

Nga ana tjetër, ekziston një parim tjetër i pranuar nga e drejta islamike dhe ajo perëndimore, e kjo është që pranimi nuk mund të përdoret si dëshmi e vetme, por nëse personi i pranon fajësimet nën rrethana përkatëse, atëherë kjo mund të çojë te drejtësia, por kjo nuk mjafton.

Pranimet nuk janë të mjaftueshme për të provuar diçka, e aq më tepër janë të pavlefshme në këto procese, ku i gjithë rasti është mbështetur në pranimin e një numri të të burgosurve, që kishin qenë të izoluar nga bota e jashtme, nën kushte shumë të këqija, pa qasje tek avokati dhe është raportuar se ata ishin detyruar të bëjnë pranime të rrejshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri nga personat më të njohur, që u paraqit në një proces ditëve të fundit, ishte strategu kryesor reformist, Said Haxharian, i cili është i paralizuar dhe për të cilin familja e tij ka thënë se duket sikur nuk është ai. Ai kishte kërkuar falje për atë që e përshkroi si një analizë jo të saktë të tij. Si e shpjegoni këtë rast?

SHIRIN EBADI
Paraqitja e pranimeve nga ana e Said Haxharianit, i cili për 30 vjet ka shërbyer për Republikën Islamike dhe i cili, për shkak të paaftësisë, as që mund të lexojë se çka kanë shkruar ata për të, për fat të keq, paraqet korrupsion të sistemit të drejtësisë.

Secili gjyqtar, për të cilin do të ishin të vlefshme pranimet e tilla, nuk mund të arrijë asgjë, por vetëm e diskrediton vetveten.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kushte të tjera nuk po respektohen në proceset aktuale të reformistëve në Iran?

SHIRIN EBADI
Gjykimet duhet të jenë publike. Vetëm rastet e dhunimeve seksuale është mirë që të mbahen me dyer të mbylluara. Por, në rastet e tjera nuk ka arsye që gjykimet të mbahen me dyer të mbyllura.

Ishte thënë se ato do të jenë publike, por janë mbajtur në atë mënyrë saqë nuk kanë lejuar as praninë e avokatëve.
XS
SM
MD
LG