Ndërlidhjet

Serbët dhe kultura e margjinalizuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjendja e kulturës dhe e artit në Kosovë mbetet jo e lakmueshme, por ekzistojnë kërkesat dhe përpjekjet qoftë nga institucionet qeveritare, qoftë nga komuniteti i artistëve, që kjo gjendje të përmirësohet dhe në këtë kuadër të bëhet më shumë edhe për zhvillimin e kulturës të komuniteteve pakicë.

Kështu u tha sot në debatin e organizuar në media-qendrën në Çagllavicë, me temën “Gjendja e kulturës në Kosovë”, në të cilën morën pjesë drejtuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe përfaqësuesit e komunitetit të artistëve.

Valton Beqiri, ministër i Kulturës, tha se përveç institucioneve kulturore, të cilat janë të varura nga Ministria e Kulturës, kjo ministri ka hapur rrugën për t’i ndihmuar edhe projektet e pavarura.

“Ne, vitin e kaluar, kemi pasur për herë të parë një konkurs publik, ku është ofruar mundësia e konkurrimit për të gjithë qytetarët e Kosovës, për projekte të ndryshme në fushën e kulturës dhe artit. Në këtë kontekst, ka projekte, të cilat kanë ardhur edhe nga komuniteti serb dhe komunitetet tjera dhe ato janë përkrahur nga ministria jonë”, tha ministri Beqiri.

Ndërkaq, Zoran Ristiq, regjisor i teatrit dhe filmit, tha se është e ndjeshme mungesa e përkujdesjes për zhvillimin e kulturës dhe artit dhe kjo reflekton edhe te komuniteti serb.

Ai tha se tashmë 6 vjet është duke e drejtuar trupën teatrore “Geto”, por ajo, sipas tij, nuk ka gëzuar ndonjë ndihmë nga institucionet kosovare.

“Tash e gjashtë vjet, jam duke u përpjekur që me disa të rinj nga kjo hapsirë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare dhe kombëtare, të krijojmë një rreth artistik ose kulturor, që, në njëfarë mënyre, do të bënte shkrirjen e kulturës dhe përmbajtjes së saj nga fusha të ndryshme. Mund të them se e githë kjo ka pasur pak jehonë”,
tha zoti Ristiq, duke shtuar se kultura po vazhdon të jetë e margjinalizuar dhe se për të flitet vetëm kur nuk ka shtegdalje tjetër.

Ndryshe, gjendjen e rëndë në përgjithësi në fushën e kulturës dhe zhvillimit të artit e vlerësoi edhe Blerim Gjoci, aktor dhe drejtor i kompanisë filmike “Prishtina-film”. Por, sipas tij, te komuniteti serb kjo gjendje është më e theksuar, ndonëse, siç tha ai, tashmë ekzistojnë lidhjet e bashkëpunimit në mes artistëve.

“Mënyrat e bashkëpunimit janë të ndryshme dhe mund të vihet deri te ato në bazë të dëshirës së mirë. Ne, si ‘Prishtina-film’, e kemi një bashkëpunim të mirë me teatrin ‘Geto’. Kemi bashkëpunim në saje të kërkesave që kemi ne si shtëpi filmike që të krijojmë apo sidomos përmes fushatave të ndryshme. Në njëfarë mënyre, një mur i vogël është thyer, por ekziston ajo barriera mentale, e cila duhet të thehet edhe më tutje, në mënyrë që këto ura të bashkëpunimit të forcohen edhe më shumë”,
theksoi Gjoci.

Në anën tjetër, zoti Ristiq tha se komunitetit serb aktualisht i mungojnë kapacitetet që do t’i artikulonin dhe realizonin kërkesat për zhvillimin e kulturës dhe artit brenda hapsirës ku jeton ky komunitet në Kosovë, por ka kërkuar që institucionet qeveritare kulturore të përkrahin përpjekjet alternative të individëve, si dhe t’u krijojnë mundësi serbëve që të kenë qasje tek ngjarjet kulturore.

“Prishtina duhet të ofrojë mundësinë që një fëmijë serb të shkojë në bibliotekë në Prishtinë të marrë libra, të shohë ekspozita, të shohë ndonjë film ose shfaqje teatrore. Prishtina, duhet t’i përkrahë njerëzit e kulturës, qoftë edhe kur gjejnë rrugë alternative dhe avangarde për zhvillimin e artit dhe kulturës”, tha Ristiq.

Por, minsitri Beqiri kërkoi një vetorganizim më të mirë të artistëve të komunitetit serb, në mënyrë që të krijohen parakushtet për t’iu ofruar ndihmën e nevojshme nga institucionet qeveritare përkatëse të kulturës.

“Ne i përkrahim organizimet e tilla. Ne i mbështesim, përpiqemi që t’i ndihmojmë në qoftë se ata kërkojnë ndihmë nga ne. Por, në qoftë se ata nuk janë të organizuar vetvetiu, atëherë Ministria e Kulturës nuk e ka përgjegjësinë dhe nuk e ka mandatin që të ndikojë në këtë proces”, tha ministri Beqiri.

Sidoqoftë, minsitri Beqiri theksoi se tendencat e artistëve nga komuniteti serb për krijimin e një jete kultuore si dhe tendencat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të ofruar bashkëpunim me këta artistë, duhet shikuar me pozitivizëm dhe si mundësi reale për ndihmë të ndërsjellë.
XS
SM
MD
LG