Ndërlidhjet

Rindërtime të "qeta" në Kroin e Vitakut


Mitrovica
Mitrovica

EULEX-i u ka mundësuar banorëve shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut që të nisin punimet në rindërtimin e shtëpive të tyre. Zyrtarët komunalë të Mitrovicës dhe autoritetet e rendit pohojnë se punimet janë duke vazhduar pa probleme.


Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, u ka mundësuar sot banorëve shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut që të fillojnë punimet në rindërtimin e shtëpive të tyre.

Zyrtarët komunalë të Mitrovicës thonë se punimet e kontestueshme deri më tash, kanë filluar. Drejtori i shërbimeve publike dhe infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Rasim Veseli, pohon se punimet po vazhdojnë pa probleme në praninë e një numri të shtuar të forcave të rendit.

“Sot kanë filluar punimet në shtëpitë e familjes Vitaku, për të cilat nuk është lejuar deri tash të punohet. Një grup i vogël i serbëve është mbledhur në anën tjetër, në afërsi të shtëpive, dhe deri më tash nuk ka ndonjë problem. Ka forca të mëdha të sigurisë dhe të Policisë së Kosovës e të EULEX-it, por ka edhe prezencë më të madhe të KFOR-it”, bën të ditur Veseli.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, konfirmon vazhdimin e punimeve, duke pohuar gjithashtu edhe për numrin e shtuar të forcave të rendit.

“Ne kemi një prezencë të shtuar të policisë, kryesisht të EULEX-it dhe të KFOR-it, që mbajnë një perimetër më të gjerë të sigurisë”, thotë Hoti.

Ai po ashtu thekson se punimet nga qytetarët shqiptarë dhe ata serbë në lagjen Kroi i Vitakut po vazhdojnë pa problem. Siç thotë Hoti, një grup banorësh serbë po vezhgojnë situatën nga ana e tyre.

“Punët në terren kanë filluar nga të dyja palët, nga kontraktuesit e punimeve në terren, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët. Është me rëndësi që nuk kemi incidente të shënuara deri më tash, përkundër faktit që në afërsi të vendit, ku janë duke u kryer punimet në terren, janë diku rreth 20 persona, të cilët janë tubuar dhe të cilët vezhgojnë zhvillimin e ngjarjeve në terren”,
thotë Hoti.

Ndërkaq, zëdhënësi i EULEX-it për rajonin e Mitrovicës, Hans Kristjan Klasin, pohon se Policia e EULEX-it po vëzhgon punimet dhe po ruan situatën nga ndonjë provokim i mundshëm.

“Mision i EULEX-it sot është që të sigurojë zonën dhe të pengojë çfarëdolloj provokimi, dhune, që mund të dëmtojë njerëzit dhe pronën”, thekson Hans Kristjan Klasin, duke shtuar se është e drejtë e secilit që të kthehet në shtëpinë e vet.

Nga ana tjetër, Nebojsha Miniq, përfaqësuesi i serbëve të lagjes Kroi i Vitakut, fillimin e punimeve nga shqiptarët e sheh si një sulm klasik ndaj serbëve për t’u larguar.

“Në ndërkohë shqiptarët kanë ndërtuar 18 shtëpi pa e pyetur as UNMIK-un, domethënë pa kurrfarë leje, pa kurrfarë procedure të kthimit që vlen për të gjithë Kosovën”,
thotë Miniq, duke shtuar se ky është një sulm klasik ndaj serbëve për largim.

Kroi i Vitakut
Megjithatë, drejtori për infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës, Rasim Veseli, pohon se qeverisja lokale e vendit është e vendosur që punimet të vazhdojnë dhe të mos ketë më ndërprerje.

“Në atë pjesë ku tash kemi filluar punimet, janë më tepër se 100 shtëpi dhe sigurisht që këtë vit nuk mund të fillohet në të gjitha. Mirëpo, sot është filluar në shtepitë e familjeve Vitaku, është duke u pastruar oborri dhe gërmadhat e shtëpive të djegura. Ndërsa, në ditët në vijim, do të nisim me hapjen e themeleve të reja dhe ndërtimin e shtëpive të reja”, thekson Veseli.

Ndryshe, për disa javë radhazi, lagjja Kroi i Vitakut është përshkuar me tensione. Banorët serbë disa herë kishin protestuar, duke kundërshtuar rindërtimein e shtëpive të shqiptarëve. Policia e EULEX-it kishte përdorur edhe gazin lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
XS
SM
MD
LG