Ndërlidhjet

logo-print

“Në anën e EULEX-it”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Qeveria e Kosovës ende nuk e di se sa është borxhi i saj i jashtëm. Rreth 20 muaj pas pavarësimit të vendit, Kosova ka arritur të definojë vetëm borxhin e saj ndaj Bankës Botërore që është marrë në kohën e ish-Jugosllavisë. Përderisa kosovarët nuk kanë arritur të definojnë saktë se sa është borxhi i saj i jashtëm, të kundërtën e thonë autoritetet e shtetit fqinj, Serbisë, sipas të cilëve Kosova ka një borxh të jashtëm në një vlerë prej afro 1.2 miliardë dollarë. Deri tani autoritetet kosovare janë në dijeni vetëm për borxhin që ka Kosova ndaj Bankës Botërore, i cili përfundimisht është definuar me pajtimin e tri palëve, Kosovë- Serbi – Bankë Botërore...

LAJM
Greva e filluar të hënën në oborrin e Institutit për Mjekësi Ligjore nga nënat që i kanë të humbur të afërmit e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë, po i pengon dikujt. Ekipet e gazetarëve të martën nuk janë lejuar që të hyjnë brenda në oborr për të biseduar nga afër me grevistet. Rojat e sigurimit fillimisht nuk e kanë hapur derën, pasi, sipas tyre, ashtu janë urdhëruar të veprojnë nga përfaqësues të EULEX-it.... Por, pas një orë pritjeje, drejtori i Institutit , përpara dyerve të të cilit zhvillohet greva, Arsim Gërxhaliu, i cili ndodhej në Shqipëri, nëpërmjet një mesazhi u ka kërkuar punëtorëve të institutit që gazetarëve t’u lejohet komunikimi me grevistet...

INFOPRESS
Reduktimi i forcave paqeruajtëse në qytetin më problematik të vendit, Mitrovicë, por edhe në Kosovë duhet konsideruar si një sinjal pozitiv për vendin. Tërheqja e tyre fillimisht nga ish-kazerma e APJ-së, pastaj nga shtëpia e armatës dhe disa punkte tjera në Mitrovicë, këtë e dëshmon më së miri. Tash, së fundi, edhe dilemat e shfaqura të disa përfaqësuesve të KFOR-it, pas tensioneve të ngritura të ditëve të fundit në lagjen “Kroi i Vitakut”, për të liruar ose jo hapësirën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, mbaruan përfundimisht, sepse komandanti i Task Forcës Shumëkombëshe në Veri (TFSHV), gjenerali francez Patrik Ribarol, të hënën ia ka dorëzuar kryetarit të Mitrovicës, Bajram Rexhepit, çelësat e pjesës së Qendrës së Kulturës, të cilën ushtarët e KFOR-it e kanë shfrytëzuar për nevojat e tyre që nga përfundimi i luftës...

KOSOVA SOT
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur në një frekuencë me idenë e homologut të tij të Shqipërisë, Sali Berisha, sipas së cilës bashkimi i shqiptarëve do të jetë i njëjtë me vlerat dhe parimet e BE-së, ku synojnë të anëtarësohen jo vetëm Shqipëria e Kosova, por tërë rajoni. I pyetur për deklaratën e kryeministrit Berisha për bashkim kombëtar, Thaçi ka theksuar se së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Berisha, janë fokusuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, por njëkohësisht edhe të Shqipërisë në BE. Në këtë rrafsh, ai tha se ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në të gjitha sferat me homologun e tij nga Republika e Shqipërisë...

EXPRESS
Zyrtarë të Bashkimit Evropianë u kanë dhënë mbështetje planeve të EULEX-it për të vendosur bashkëpunim policor me Beogradin, por kanë kërkuar që për këtë çështje të ketë konsultime mes faktorëve relevantë. Kjo temë është ngritur në dy takime veç e veç në Bruksel, të martën. I pari është mbajtur në mëngjes prapa dyerve të mbyllura, në të cilin ambasadorë të 27 shteteve anëtare kanë shprehur qëndrimet rreth kundërshtimit të liderëve të Kosovës ndaj protokollit policor me Serbinë. Duke shprehur përkrahje për nismën e EULEX-it, zyrtarët evropianë kanë përdorur termin “aranzhime teknike” në vend të termit “protokoll”...

ZËRI
Ndonëse nuk ka treguar konkretisht se për cilin institucion bëhet fjalë, auditori i përgjithshëm, Lars Lage Olofson, ka konfirmuar dje se këtë vit e ka dërguar në prokurori një raport të auditimit për shkak të shkeljeve të zbuluara. Ai në raportin e auditimit për vitin 2008 ka kritikuar drejtuesit e institucioneve për nivelin e lartë të shpenzimeve, sidomos në muajt e fundit të vitit...

BOTA SOT
Ish-kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, thotë se Kosova do t'ia dalë në rrugën e saj edhe pa tutorizmin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa ka bërë thirrje për investime. "Ajo që duhet bërë është kthimi i zhvillimit ekonomik dhe investimet në prioritet shtetëror. Tashmë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë pranuar Kosovën dhe do të investojnë atje, ndërsa shpresoj se rrugën e tyre do ta ndjekin edhe institucione financiare evropiane", është shprehur Ahtisari për gazetën vjeneze "Presse". Sipas tij, një nga shanset e zhvillimit të Kosovës është fusha e energjetikës, sepse Kosova me rezervat e veta të thëngjillit mund të shndërrohet në një vend të rëndësishëm të eksportimit të energjisë, ka thënë Ahtisari. Ahtisari ka paralajmëruar Serbinë se nuk guxon ta minojë pavarësinë e Kosovës dhe i ka sugjeruar BE-së që të mos e pranojë Serbinë në radhët e saj para se Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës...

EPOKA E RE
Daci u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale, por në to t’i dënojnë liderët partiakë. “U bëj thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe ta dënojnë me votën e tyre cilindo lider. Hajt po them për Dacin për të parin, pastaj Thaçin, Ramushin dhe Pacollin, se ma Sejdiun, patjetër duhet dënuar”, ka thënë Daci. Daci Ka folur edhe për djathtizmin e partive politike në Kosovë. Deklaratën e liderit të AAK-së për të djathtë, ai e ka përqeshur. “Djathtizëm në vepër në Kosovë nuk ekziston fare. Për të qenë i djathtë, është dashur ta kesh babën dhe katragjyshin e djathtë”, ka thënë Daci...
XS
SM
MD
LG