Ndërlidhjet

Kuinti e ICO kundër kamerave


Shtetet perëndimore dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë kanë hedhur poshtë idenë e instalimit të kamerave monitoruese në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Në një deklaratë të përbashkët për media, të ambasadorëve të SHBA-së, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe ICO-së, është potencuar se vendosja e kamerave në vendvotime nuk është normë as në Evropë e as në Shtetet e Bashkuara.

“Ne përkrahim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos instaluar kamera në vendvotime në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit”, thuhet në komunikatë.

Në sqarimin e tyre për këtë qëndrim, ambasadorët thonë se përdorimi i kamerave monitoruese paraqet një rrezik sinjifikativ për të drejtën fundamentale të çdo qytetari për votim të fshehtë.

“Derisa Kosova përgatitet për zgjedhjet e 15 nëntorit, mbrojtja e kësaj të drejte fundamentale duhet të jetë brengë e rëndësishme për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Tutje në komunikatë thuhet se nuk duhet pasur kurrfarë iluzioni se ka ndonjë zgjidhje teknike që mund të garantojë zgjedhje të drejta e të lira.

“Në shoqëritë demokratike, zgjedhjet e drejta e të lira janë çështje për të gjithë qytetarët, dhe varen, posacërisht, nga angazhimi politik dhe vullneti politik”, kanë thënë diplomatët ndërkombëtarë për të shtuar se "bashkësia ndërkombëtare do të kryejë pjesën e vet të punës në përkrahje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar zgjedhje të drejta e të lira, përfshirë angazhimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në votimet e 15 nëntorit".
XS
SM
MD
LG