Ndërlidhjet

Sfidat përballë doganave


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë

Kontrabanda ka shënuar rënie në krahasim me vitet e pasluftës. Me vendosjen e misionit të EULEX-it, niveli i kontrabandimit është zvogëluar edhe në veri të vendit. Këto komente u bënë me rastin e shënimit të 10-vjetorit të Doganave të Kosovës, udhëheqësit e të cilave u zotuan për përpjekje të vazhdueshme në eliminimin e kësaj dukurie.


Dhjetë vjet pas funksionimit të Doganave të Kosovës, lufta kundër kontrabandës vazhdon të jetë sfidë për këtë institucion.

Udhëheqësit e doganave thonë se kontrabandimi i mallrave vazhdon të jetë i pranishëm, por jo në masën sa ishte në vitet e pasluftës.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tha se kontrabandimi i mallrave po bëhet në rrugët ilegale apo, siç u shpreh ai, përmes vijave kufitare të kufirit të gjelbër. Kontrabandimi klasik, tha Huruglica, ka shënuar rënie. Ai shpjegoi format e reja që kanë nisur t’i përdorin kontrabanduesit.
Kontrabanda në kuptimin klasik të futjes së mallrave ilegale ka njohur rënie shumë të madhe. Tani ne jemi duke u përballur me një formë të re të evazionit fiskal...

“Kontrabanda në kuptimin klasik të futjes së mallrave ilegale ka njohur rënie shumë të madhe. Tani ne jemi duke u përballur me një formë të re të evazionit fiskal, i cili shfaqet me deklarimin e vlerave më të ulta doganore. Ka ende kompani që tentojnë t’i mashtrojnë organet doganore përmes prezantimit të vlerave më të ulta doganore të asaj çka duhet të paguajnë”.

“Kontrabanda në kuptimin klasik tani po zhvillohet përmes vijave kufitare të kufirit të gjelbër. Në asnjë rast nuk mund të gjesh ndonjë doganë në botë, e cila mund të thotë se kemi një kufi 100% të kontrolluar. Gjithsesi do të jetë sfidë edhe në të ardhmen”,
tha Hurgulica.

Këto deklarata, drejtori i Doganave të Kosovës i bëri me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Që nga vendosja e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, niveli i kontrabandimit edhe në veri ka rënë, pohoi zoti Huruglica.

“Tani ne kemi një kontroll shumë më të mirë të veriut të Kosovës. Kemi ekipet tona anti-kontrabandë të njësive që punojnë në atë pjesë. Është fakt që akoma nuk jemi prezentë në dy pikat kufitare. Por, në ato dy pika kemi forma të ndryshme të monitorimit. Forma më e mirë është me ndihmën e misionit të EULEX-it. EULEX-i çdo ditë na furnizon me të dhëna se çka ka hyrë dhe çka ka dalë”, tha Huruglica.

Huruglica po ashtu konfirmoi se doganierët kosovarë janë duke operuar në 12 pika doganore.

Nga ana tjetër, drejtori i operimeve për të hyra, Bajram Rexha, bëri të ditur se doganat kanë arritur të mbledhin 394 milionë euro apo 61% të planit për këtë vit.
Doganat e Kosovës kanë arritur të mbledhin 394 milionë euro, që nënkupton 61 për qind e planit vjetor ...

“Doganat e Kosovës kanë arritur të mbledhin 394 milionë euro, që nënkupton 61 për qind e planit vjetor. Sipas trendëve dhe përkundër krizës që ka kapluar edhe importin, ne besojmë se do ta arrijmë projeksionin 100%”, u shpreh Rexha.

Deri më tani, Doganat e Kosovës thuhet se kanë kontribuar në buxhetin e vendit me mbi 4 miliardë euro.

Ky institucion vlerësohet të jetë kontribuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: TVSH-në në import, taksën doganore dhe akcizën.

Sipas autoriteteve doganore, mallrat kryesore që sigurojnë më së shumti të hyra, janë: nafta, derivatet e naftës dhe cigaret.
XS
SM
MD
LG