Ndërlidhjet

Mashtrimet pronësore



Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë i ka kërkuar misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, angazhim më të madh në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me shitblerjet e pronës me qëllim të mashtrimit.

OSBE publikoi raportin, i cili trajton këtë problem në rajonin e Pejës, mirëpo, sipas zyrtarëve të këtij misioni, edhe në rajone të tjera të vendit është e pranishme kjo dukuri.

Zëvendësshefi i OSBE-së, Mark Lamanen, tha se mashtrimet që në mënyra të ndryshme janë bërë gjatë procesit të shitblerjes së pronës, nuk janë përmirësuar që nga viti 2003.

“Po i referohem përvojës sime të parë në Kosovë, në vitin 2003, kur po lexoja raporte të ngjashme që pasqyronin atë që po ndodh ashtu si po ndodh sot. Ka nevojë për më shumë veprime në këtë sektor, jo të politizohet çështja, por të respektohet sundimi i ligjit. Jo vetëm EULEX-i, por edhe gjykatat lokale duhet të marrin më seriozisht këtë çështje”, tha ai.

Sipas EULEX-it, rastet e shitblerjes së pronës me qëllim mashtrimi janë më të theksuara në rajonin e Klinës, atë të Istogut dhe të Pejës, ku, siç thuhet, ka raste, të cilat janë zvarritur me vite të tëra, për shkak të mungesës së dokumentacionit të mjaftueshëm.

Përfaqësuesja e EULEX-it, Verginia Miçeva-Ruseva, tha se EULEX-i si mision këshillues, monitorues dhe mentorues, mund të mbështesë gjyqësorin kosovar në këtë drejtim, porse obligimi kryesor, sipas saj, u mbetet gjykatave të Kosovës.

“Kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it ka autorizuar gjykatësit e EULEX-it të merren me këto raste. Për momentin, EULEX-i ka marrë përgjegjësinë për 15 raste civile, 7 prej të cilave kanë përfunduar, ndërsa për 6 të tjera është marrë vendimi”, tha Verginia Miçeva-Ruseva.

Në raport thuhet se shitblerjet me qëllim mashtrimi duhet të shqyrtohen në dy nivele: përmes procedurës penale, në mënyrë që të vërtetohet ekzistimi i shitblerjes me qëllim mashtrimi, dhe përmes procedurës civile, për të shpallur të pavlefshme kontratën me qëllim mashtrimi.

Mirëpo, ka edhe probleme të tjera që, sipas OSBE-së, vështirësojnë këtë proces.

“Raporti mund të jetë i përqendruar në rajonin e Pejës, por edhe në deklaratën time edhe në rekomandimet tona; ne trajtojmë çështjen e të gjithëve që blejnë prona, ngase është e qartë se kjo gjë paraqet një problem. Nëse njerëzit blejnë pronën e njerëzve të zhvendosur, sigurisht se ka hapësirë që të bëhen mashtrime. Njerëzit mendojnë se kanë blerë një pronë në mënyrë legjitime dhe pastaj humbin të gjitha paratë”.

“Pra, kur çështja të dalë para gjykatave, ndodh që për shkak të mashtrimeve, njerëzit të humbin paratë e tyre”,
u shpreh drejtori i Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në OSBE, Kristofer Deker, i cili theksoi se mashtrimet në shitblerjen e pronës së njerëzve të zhvendosur bëhen kryesisht përmes falsifikimit të dokumeneteve.

Andaj, raporti drejton një varg rekomandimesh për gjykatat dhe institucionet e tjera përgjegjëse në këtë drejtim, ku theksohet nevoja për një bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet gjykatave, policisë, komisionit për kërkesa pronësore e banesore dhe të tjera.

Mirëpo, zëvendësdrejtori i Gjykatës Supreme në Kosovë, Fejzullah Hasani, sqaroi një problematikë tjetër në këtë drejtim.

“Shumica e provave dhe fakteve gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës, kështu që gjykatat e Kosovës nuk mund t’i procedojnë ato raste, derisa nuk sigurohen provat. Po e përmend vetëm një shembull: në Gjilan, diku para dy vjetësh, lënda pret për një autorizim nga Vranja”, tha ai.
XS
SM
MD
LG