Ndërlidhjet

Shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e arsimimit kualitativ, hapësirat e kufizuara për pjesëmarrjen e të rinjve në jetën publike dhe institucionale, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen të rinjtë kosovarë. Kështu thonë përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe të qendrave rinore.

Lindita Loshi, udhëheqëse e qendrës rinore në Prishtinë, thotë se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë mekanizma për fuqizimin e rinisë, në realizimin e së drejtës për vendimmarrje, në përmirësimin e sistemit shkollor dhe të punësimit.

“Sot për sot, rinia e Kosovës në përgjithësi është duke u ballafaquar me problemin e punësimit, liberalizimin e vizave, moshapësirë për realizimin e ideve të tyre... financat mungojnë, shkollimi joadekuat. Këto janë problemet që i preokupojnë. Po ballafaqohen me këto vështirësi dhe rinia po shihet nëpër rrugë, nëpër lokale”, shprehet Loshi.

Edhe zyrtarë qeveritarë pranojnë se gjendja e të rinjve kosovarë nuk është në nivelin e kënaqshëm, por, siç thonë ata, përpjekjet për përmirësimin e kushteve të tyre nuk mungojnë.

Fatmir Hoxha, drejtor i departamentit të rinisë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se përkundër përpjekjeve, mundësitë buxhetore nuk lejojnë një gjë të tillë.

“Buxheti i departamentit të rinisë është 300 mijë euro, çka do të thotë se nuk është i kënaqshëm, është mjaft i limituar, i kufizuar për një milion njerëz. Ju e dini se mbi 50 për qind e popullsisë është e re, nga mosha 0 deri 30 vjeç dhe mund të kalkulojmë shpejt se sa centë janë ndarë për një kokë. Bëhet fjalë për centë, për para shumë të imta, çka nënkupton se vërtet është shumë problem të trajtohen këto çështje”, thotë Hoxha.

Ndërkaq, Lindita Loshi shpreh bindjen se të rinjtë janë të interesuar të kontribuojnë në shoqëri, sikur ata të kenë një opsion me perspektivë afatgjate. Pasiviteti i qeverisë, thotë ajo, nuk ka arritur që potencialin kreativ për punë, që posedon rinia kosovare, ta shndërrojë në veprimtari për projekte afatgjate.

“Rinia ka aftësi shumë të madhe, rinia është duke punuar, rinia ka tepër vullnet që të kontriubojë për vendin e saj. Por, nuk kemi hapësirë, është mungesa e vendeve të reja të punës”.

“Ka shumë ekspertë, ka shumë të rinj që kanë diplomuar në vende të ndryshme, janë kthyer, sepse nuk kanë mundur të gjejnë një vende të punës. Nuk është duke punuar askush që të bëjmë një zgjidhje për çështjen e punësimit për të rinjtë”,
thotë Loshi.

Por, Fatmir Hoxha pohon se në kuadër të projekteve të ndryshme, Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me organizata joqeveritare për të rinj, po bën përpjekje që t’i përgatisë të rinjtë për tregun e punës.

“Deri më tani, ne jemi munduar që të ndërmjetësojmë përmes këtyre kurseve, përmes bashkëbisedimit me partnerët socialë dhe me kompani të ndryshme, në mënyrë që të rinjtë, pas përfundimit të kurseve, të angazhohen në tregun e punës. Kuptohet, nuk jemi të kënaqur me gjithë atë çka është bërë”.

“Por, mund të themi lirisht se ende nuk jemi të kënaqur, për arsye se ende nuk kemi gjetur një mundësi për zhvillimin e një dialogu fer, social ndërmjet të gjithë partnerëve”,
deklaron Hoxha.

Sidoqoftë, më 1 shtator, në Kosovë ka filluar edicioni i tetë i “Muajit të Rinisë”, i cili organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Me moton “Edhe më afër jush”, aktivitetet e të rinjve synojnë sensibilizimin e opinionit për rolin e rëndësishëm të rinisë në shoqëri dhe përkushtimin e institucioneve dhe organizatave përkatëse ndaj këtij sektori.

“Muaji i Rinisë 2009”, edhe këtë vit zhvillohet sipas traditës, 30 ditë në 30 komunat e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG