Ndërlidhjet


INFOPRESS

I nominuari për postin e zëvendëskryeministrit dhe shefit të diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, ka theksuar se avancimi i njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës do të jetë prioritet, jo vetëm i diplomacisë, por edhe i gjithë qeverisë së re shqiptare. Po ashtu, Meta ka thënë se marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe në të gjitha fushat tjera mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të jenë shumë më intensive gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa ka vlerësuar se një rol të madh në këtë drejtim padyshim se ka rruga e re që bashkon shqiptarët. “Avancimi për njohjen ndërkombëtare për shtetin e ri të Kosovës do të jetë prioritet i veçantë dhe shumë i rëndësishëm i shtetit, qeverisë dhe diplomacisë shqiptare...”...

KOSOVA SOT

Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë ka prezantuar arritjet e deritashme operacionale në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj. Para udhëheqësve më të lartë shtetërorë, presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi, ministrit të FSK-së, Fehmi Mujota, dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Gjuzepe Emilio Gaj, disa batalione të FSK-së kanë demonstruar kapacitetet fillestare operacionale, të cilat janë vlerësuar me nota pozitive. Presidenti i Republikës është shprehur i kënaqur me arritjet e deritashme të FSK-së, siç tha ai, për të qenë në rolin që kanë, për të qenë partnerë të mirë për paqen, për stabilitetin e vendit, për bashkëpunimet e tjera që do të vijnë në fazat e mëvonshme...

EXPRESS

Kur kanë mbetur më pak se dy javë deri te qartësimi i kandidatëve për kryetarë të komunave dhe listave për këshilltarë të asambleve komunale, partitë politike u kanë dhënë ritëm përpjekjeve të tyre për të gjetur njerëzit, me të cilët mendojnë të arrijnë atë që synojnë. Meqë kërkon një kujdes të veçantë, gara për Prishtinën është duke u bërë interesante ende pa filluar mirë. Pasqyra lidhur me kandidaturat për kryetar të kryeqytetit aktualisht duket e qartë vetëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Aleancën Kosova e Re. E para ka zgjedhur t’ia besojë kandidaturën edhe për një mandat kryetarit aktual, Isa Mustafës, ndërsa e dyta është përcaktuar për Vegim Gashin. Ndër partitë e tjera, zhvillime të çuditshme dhe të papritura janë duke ndodhur për shkak të opsioneve që kanë ndryshuar nga java në javë dhe të tjera pritet të ndodhin në dhjetë ditët e ardhshme...

ZËRI

Qeveria e Kosovës insiston në rolin e vet kushtetues në çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjet e Kosovës me vendet tjera. Kryeministri Hashim Thaçi edhe dje ka përsëritur se qëndrimi i Kosovës në raport me marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë mbetet i njëjtë. Sipas tij, në Kosovë do të zbatohet vetëm kushtetuta e Republikës dhe se institucionet vendëse do të jenë ato që do të marrin përgjegjësitë që u takojnë. “Pozicioni ynë mbetet i njëjtë. Diçka tjetër janë çështjet teknike, e krejt tjetër janë çështjet politike”, thotë Thaçi. “Ne do ta respektojmë plotësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi në nivel rajonal me të gjitha vendet e rajonit, nënkupton marrjen e përgjegjësive edhe nga ana jonë dhe këshillat, rekomandimet dhe prej ICO-së dhe EULEX-it”, thekson kryeministri...

BOTA SOT

Intervistë me Doris Pack-un, euro-deputeten gjermane... “Beogradi këto ditë ka proklamuar se nënshkrimi i protokollit me EULEX-in vërteton faktin se BE-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo është marrëzi. Beogradi gjithmonë po i shtrembëron gjërat ashtu si ia ka qejfi. EULEX-i nuk është organizatë me karakter shtetëror. EULEX-i është organizatë që punon për Bashkimin Evropian dhe për shtetet e ndryshme të BE-së, dhe në Kosovë është për të ndihmuar forcimin e shtetit ligjor, pra ndodhet për të ndihmuar Kosovën. Fakti që EULEX-i ka dashur të ndihmojë në tejkalimin e vështirësive midis Kosovës e Serbisë përmes këtij protokolli, që nuk është nënshkruar, nuk do të thotë fare se pavarësia e Kosovës guxon të preket nga kushdo qoftë...”...

EPOKA E RE

Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tërthorazi ka treguar se nuk ka ambicie për të kandiduar edhe një herë për postin e të parit në “qytetin e Ibrit”. Ai ka thënë se që në fillim në Mitrovicë ka ardhur për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe, sipas tij, tashmë ajo gjendje ka kaluar. “Në fillim kur jam kandiduar, kam thënë se po shkoj në fazën më kritike të ndihmoj në uljen e tensioneve. Mendoj se Mitrovica gradualisht ka shkuar kah normaliteti, edhe pse është larg prej asaj që e duam ne”, ka thënë Rexhepi, i cili shpreson se do të ketë mirëkuptim nga ana e Këshillit Drejtues të PDK-së, në momentin e marrjes së vendimit për kandidatët...

KOHA DITORE

Shefi i ICO-s, Pieter Feith, ka preferuar që gjatë “zhurmës” për protokollet e EULEX-it me Serbinë ta heshtë të paktën publikisht interpretimin Pakos së Ahtisaarit. Përfaqësuesi civil ndërkombëtar (autoriteti më i lartë kushtetues për interpretimin e Pakos së Ahtisaarit) në Kosovë ka edhe kapacitetin e përfaqësuesit të BE-së, ndërkohë që gjatë gjithë angazhimit të tij rreth protokolleve është deklaruar zyrtarisht vetëm në cilësinë e PSBE-së (EUSR). Qëndrimi i tillë u ka pamundësuar zyrtarëve të ICO/EUSR-së që të interpretojnë pakon edhe në raport me të drejtën e EULEX-it për nënshkrimin e protokolleve me Serbinë, ndonëse interpretimi i kësaj pakoje është qëllimi kryesor i ekzistimit të ICO-s...

LAJM

Qeveria e Kosovës të enjten miratoi informatën e komitetit ndërministror për ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë dhe rekomandimet e kompanisë konsulente angleze “Ever Sheds”, që mjetet e kësaj autostrade të jenë të partneritetit publik-privat. Gjithashtu, është miratuar edhe lista e ngushtë e kompanive që konkurrojnë në këtë projekt. “Nga sot e tutje të gjithë ne nuk do t’i numërojmë muajt e vitet për fillimin e projektit historik, autostradës Morinë-Prishtinë, por nga sot do të fillojmë t’i numërojmë ditët e fillimit të punimeve të autostradës si projekti më kapital dhe më i rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë...
XS
SM
MD
LG