Ndërlidhjet

logo-print

Dell: Miqësi jetëgjatë SHBA-Kosovë


Kristofer Dell

Kristofer Dell

SHBA-të kanë një miqësi të kahershme me Kosovën, e cila do të zgjasë edhe viteve që vijnë, tha ambasadori amerikan, Kristofer Dell, gjatë lansimit të pullës postare “Miqësia e Kosovës me SHBA-të” nga ana e Postës dhe Telekomit të Kosovës.


Miqësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Republikën e Kosovës ka qenë dhe do të jetë afatgjate, tha sot ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Këto komente, ambasadori Dell i bëri gjatë një ceremonie të lansimit të pullës postare “Miqësia e Kosovës me SHBA-të”, të lëshuar nga Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Ambasadori Dell tha se Shtetet e Bashkuara janë të lumtura që Kosova po i nderon edhe me një pullë të tillë postare në dhjetëvjetorin e finalizimit të përpjekjeve për liri e pavarësi.

“Sivjet janë mbushur dhjetë vjet të fillimit të zhvillimeve që çuan deri te pavarësia e Kosovës dhe të kemi një pullë të tillë postare, tregon për miqësinë tonë në të kaluarën dhe të ardhmen”, tha ambasadori Dell.

“Jo vetëm miqësia jonë në të kaluarën, por miqësia jonë do të zgjasë edhe viteve që vijnë”, tha Dell, duke falënderuar institucionet e Kosovës për respektin e vazhdueshëm që tregojnë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hashim Thaçi
Miqësia dhe partneriteti i Kosovës me Uashingtonin u cilësua si esencial për Kosovën edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se Kosova dhe populli i saj nuk mund të harrojnë kurrë atë që SHBA-të kanë bërë për Kosovën.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës shpreh miqësinë e Kosovës për SHBA-të, që është miqësi edhe në të kaluarën, që po forcohet çdo ditë dhe do të jetë e përjetshme. Falënderoj ambasadorin dhe SHBA-të, popullin amerikan, për të gjithat që i kanë bërë për Kosovën dhe ne do të ecim çdo ditë krah për krah”, tha Thaçi.

Ndryshe, politika zyrtare e Kosovës afirmon në vazhdimësi një miqësi të përhershme me SHBA-të dhe ambiciet integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG