Ndërlidhjet

Vlerësime pozitive të zgjedhjeve në Shqipëri


Pamje nga zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.
Pamje nga zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.
Koalicioni i vëzhguesve vendorë publikoi raportin përfundimtar mbi zgjedhjet, i cili në thelb procesin e vlerëson si arritje pozitive.

Raportin e lexoi Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


“Me gjithë problematikën që e shoqëroi, e cila në jo pak raste për mendimin tonë ishte produkt i lojës politike midis partive dhe subjekteve zgjedhore, këto zgjedhje në tërësinë e tyre prodhuan arritje pozitive, në rrugën për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës për zgjedhje demokratike”,
tha Kume.

Rreth 400 vëzhgues vendorë afatgjatë dhe 2,450 vëzhgues afatshkurtër u përfshinë në hartimin e këtij raporti, që sjell një panoramë të zhvillimeve parazgjedhore, të ditës së zgjedhjeve dhe të procesit të numërimit të votave.

Në raport thuhet se tonet negative që përdorën forcat politike në fushatë, nuk arritën të mbizotëronin ditën e votimit.

“Megjithëse periudha parazgjedhore si dhe fushata u karakterizua nga një klimë politike e polarizuar, procesi i votimit në ditën e zgjedhjeve u zhvillua i qetë dhe pa probleme të rendit. Votuesit shqiptarë morën pjesë në votime në një përqindje të lartë, duke shprehur në këtë mënyrë nivelin e lartë të interesit”, u shpreh Kume, duke lexuar pjesë të raportit.

Raporti i vëzhguesve vendorë citon se procesi paszgjedhor u shoqërua nga një ngarkesë e tillë politike, e cila apriori vuri në dyshim rezultatin e zgjedhjeve. Madje, kundërshtitë në këtë drejtim raporti i sheh vetëm si argument për të përmirësuar më tej cilësinë e zgjedhjeve në kushtet kur vendi është anëtar i NATO-s.

Vëzhguesit flasin gjithashtu për një proces normal të numërimit të votave, bazuar në kërkesat që parashikon ligji. Ato pak probleme të evidentuara, sipas vëzhguesve vendorë, erdhën si pasojë e nivelit të ulët profesional të grupeve të numërimit. Raporti vlerëson po aq pozitivisht dhe punën e KQZ-së.

“Shqyrtimi i ankimimeve nga KQZ-ja në tërësinë e tij u realizua në përputhje dhe në zbatim të kodit zgjedhor”, tha Kume.

Raporti vlerëson dhe vendimmarrjen në shkallë të dytë, atë të kolegjit zgjedhor, kur thotë se kolegji veproi si organ i pavarur. Raporti referon dhe rekomandime më të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e kodit zgjedhor, si dhe ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar.
XS
SM
MD
LG