Ndërlidhjet

Përmbushja e standardeve ekonomike për integrim në Bashkimin Evropian po zhvillohet me hapa të ngadalshëm nga Prishtina zyrtare, vlerësojnë ekspertët për çështje ekonomike në Kosovë. Ata thonë se Kosovës do t'i duhet edhe një periudhë relativisht e gjatë për t’i përmbushur këto kritere.


Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë vlerësojnë se edhe pse Kosova nuk ka një marrëveshje zyrtare kontraktuale me Bashkimin Evropian, asgjë nuk mund ta ndalojë atë në përmbushjen e kritereve ekonomike drejt integrimit.

Këto kritere, sipas tyre, paraqesin problemet më të mëdha që i ka Kosova në përgjithësi dhe përmbushja e tyre, thonë ata, do të përmirësonte dukshëm potencialin që Kosova e ka drejt zhvillimit ekonomik.

Kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, vlerëson se Kosova aktualisht më shumë është duke bërë një ri-integrim në kuadër të rajonit, që, siç thekson ai, është një kriter që e mbështet Bashkimi Evropian.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi brenda rajonit e lehtëson rrugën për anëtarësim në Bashkësinë Evropiane, mirëpo ne, padyshim, jemi shumë larg në këtë kontekst, sidomos në aspektin ekonomik, duke mos shtuar këtu edhe problemet tjera, siç është politika, që kohëve të fundit është vërejtur edhe me mosliberalizimin e vizave për tre vendet e Ballkanit perëndimor“, thotë Mulaj.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Alban Zogaj, thekson se Kosova në aspektin ekonomik është larg integrimeve evropiane. Sipas Zogajt, Kosova ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në menaxhimin e buxhetit në pjesën e financave publike, në menaxhimin e politikave tregtare, si dhe në menaxhimin e politikave të privatizimit.

“Në aspektin ekonomik - integrimet evropiane, financat publike dhe menaxhimi i buxhetit të Kosovës janë çështje kryesore, pastaj liberalizimi i tregut, hapja e tregjeve të lira, konkurrenca. Në këto aspekte, Kosova është duke ecur përpara, por nevojitet ende kohë”,
konsideron Zogaj.

Ndonëse përmirësimi i kushteve infrastrukturore, në kuptimin klasik, nuk përmendet si kusht për integrimin e shteteve të caktuara në Bashkimin Evropian, angazhimi në këtë drejtim, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, është parakusht për përmirësimin e zhvillimit ekonomik.

Ne edhe ashtu në Kushtetutën e Kosovës jemi deklaruar se Kosova do të jetë ekonomi e tregut të lirë; në këtë aspekt, kemi bërë disa hapa. Po ashtu, duhet të përmirësohet korniza ligjore e politikave ekonomike, ku në Kosovë mungojnë ende disa ligje të rëndësishme sa i përket përmirësimit të kornizës legjislative ekonomike”, shprehet Zogaj.

Gjithashtu, edhe Komisioni Evropian, i cili raporton për progresin e arritur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, në raportin e fundit raporton shumë pak progres në përmbushjen e kritereve ekonomike.

Institucionet e Qeverisë së Kosovës, ekzekutivi dhe legjislativi i vendit, me qëllim të përmbushjes së të gjitha obligimeve që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, kanë përpiluar plane të veprimit për adresimin e çështjeve konkrete në plotësimin e kritereve të Kopenhagës dhe adresimin e sfidave që dalin nga raporti i progresit të Komisionit Evropian dhe partneritetit evropian të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG