Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës i shohin në mënyra të ndryshme rezultatet e nënshkrimit eventual të protokolleve teknike ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.


Përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë e komentojnë në mënyra të ndryshme çështjen e protokolleve teknike që EULEX-i synon t’i nënshkruajë me Serbinë. Serbët e veriut të Kosovës mbajnë rezerva ndaj këtyre marrëveshjeve, përderisa ata të pjesës qendrore e favorizojnë nënshkrimin.

Rada Trajkoviq, kryetare e Këshillit Nacional Serb për pjesën qendrore të Kosovës, thotë se e mbështet EULEX-in në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve me Serbinë, pasi që këto protokolle, sipas saj, e ndihmojnë këtë mision në qëllimet që i ka në Kosovë në fushat e sundimit të ligjit, sidomos në pjesën veriore, ku, sipas saj, ka më së shumti probleme.

Trajkoviq thotë se nuk i kupton institucionet e Kosovës dhe të gjithë të tjerët, qofshin edhe politikanët serbë në veri, që e kundërshtojnë këtë marrëveshje. Krimi në rajon dhe në Kosovë posaçërisht, nënvizon Trajkoviq, është shumetnik dhe po e dëmton shumë në rend të parë Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Rada Trajkoviq
Në Kosovë, fatkeqësisht vetëm mafia është plotësisht shumetnike dhe ajo është faktori kryesor që si qëllim të vetin e ka destabilizimin e Kosovës dhe konfliktin ndëretnik”, vlerëson Rada Trajkoviq.

Sipas saj, kundërshtimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje nënkupton pajtimin me gjendjen ekzistuese dhe vazhdimin e papenguar të aktiviteteve kriminale.

Të gjithë ata që e kundërshtojnë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje i kuptoj në atë mënyrë që ata pajtohen me aktivitetet kriminale dhe nuk duan t’i pengojnë ato”, thekson Trajkoviq.

Në anën tjetër, Nebojsha Joviq, po ashtu kryetar i Këshillit Nacional Serb, por për pjesën veriore të Mitrovicës, thotë se ende i ka të freskëta deklaratat për 6-pikëshin, i cili atë kohë ishte vlerësuar si i dobishëm për serbët, por i cili nuk ishte zbatuar asnjëherë.

Andaj, edhe tash me protokollet e EULEX-it me Serbinë, ai nuk pret kushedi se çfarë ndryshimi.

“Do të ishte mirë që shteti ynë (Serbia) të na jepte mundësinë që në rend të parë ta lexojmë e komentojmë ne që jetojmë në Kosovë këtë protokoll dhe kjo të mos mbetet vetëm çështje e politikanëve, por edhe e popullit të cilit i dedikohet. Ashtu si qëndrojnë tash punët, nuk e dimë se çka do të sjellë ai”, thotë Joviq.

Ai thotë po ashtu se veprimet e EULEX-it e kanë detyruar komunitetin serb që edhe përmes peticioneve të kërkojë largimin e EULEX-it nga Kosova.

Tash, që ky mision të dëshmojë se dëshiron të punojë në të mirën e komunitetit serb, Joviq thotë se nuk janë të mjaftueshme marrëveshje e protokolle, por nevojiten veprime konkrete para se të kërkohet përkrahja e serbëve.

Nebojsha Joviq
Joviq nuk pajtohet me politikën zyrtare në Prishtinë, por edhe me deklaratat e disa serbëve nga pjesa qendrore se në veriun e Kosovës krimi është më i theksuar.

“Nuk duhet fokusuar vetëm në kriminalitetin në veri dhe kjo të merret si arsye për vendosjen e doganave. Ndoshta ka probleme, por jo në shkallën se si prezantohen dhe e gjithë kjo ka prapavijë politizimin e problemit atje”, thotë Joviq.

Sidoqoftë, vetë prezantimi i protokolleve apo aranzhimeve teknike, siç ka ndryshuar terminologjia e këtyre marrëveshjeve me Serbinë nga ana e EULEX-it, prezantohet me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, kontrabandës, trafiqeve dhe aktiviteteve tjera kriminale në kufirin verior të Kosovës me Serbinë.

Ndërsa për Serbinë, këto aranzhime teknike do të nënkuptonin dhe përmbushje të kërkesave të Brukselit për menaxhimin e kufijve në kuadër të liberalizimit të vizave, Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar protokollin e EULEX-it, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës, vetëm institucionet e Kosovës mund të nënshkruajnë marrëveshje me vendet tjera në emër të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG