Ndërlidhjet

Kundërshtimi i protokollit të EULEX-it dhe Serbisë për Kosovën ka të bëjë me mbrojtjen e interesit nacional, thonë autoritetet në Prishtinë. Sipas tyre, protokolli megjithatë nuk është çështje e mbyllur.

Ndonëse çështja e protokollit të EULEX-it me Serbinë për institucionet e Kosovës ishte shpallur çështje e mbyllur, kjo temë vazhdon të trajtohet në debatet e zyrtarëve kosovarë dhe atyre të Bashkimit Evropian. Njëherësh, të hënën, Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme ka diskutuar çështjen e protokollit edhe me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe në fund i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe presidentit për pozicionin e deritashëm, sipas të cilit asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të nënshkruhet pa institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se i kishte siguruar deputetët në këtë Komision Parlamentar se Qeveria nuk do ta mbështesë zbatimin e asnjë marrëveshjeje në Kosovë, e cila nuk e ka nënshkrimin dhe mbështetjen e institucioneve.

“Unë mendoj se për ashtu çfarë ka qenë dhe është protokolli, ‘jo’-ja ka qenë e hershme dhe do të jetë përgjithmonë. Nuk është çështje e hershme ose e vonshme, mendoj se është çështje e mbrojtjes së interesit nacional. Nëse e lexojmë me kujdes do të shohim se cili ka qenë qëndrimi”.

“Unë kisha dashur që t’u japim hapësirë institucioneve që të bëjmë zgjidhjen më racionale për vendin, po sido që të jetë, jam i bindur se nuk duhet të frikësohet asnjë qytetar i Republikës që ne do t’i dëmtojmë raportet me BE-në, apo raportin me interesin nacional”,
tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se paralajmërimet e zyrtarëve në Bruksel, përmes medieve, se protokolli me Serbinë do të nënshkruhet së shpejti, është një formë e presionit që bëhet mbi Prishtinën zyrtare.

Sidoqoftë, ai tha se pozicioni i kundërt i Prishtinës me Brukselin në këtë rast, nuk do ta dëmtojë bashkëpunimin e Kosovës me BE-në si edhe agjendën e saj integruese në strukturat evropiane.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputeti Sabri Hamiti, tha se i mbështet institucionet në qëndrimet e tyre, duke besuar se asnjë marrëveshje nuk ia vlen që të dëmtohen interesat e shtetit të Kosovës.

Ai ka konfirmuar vazhdimin e konsultimeve ndërmjet Prishtinës dhe BE-së në lidhje me këtë çështje.

Komisioni ua ka mbështetur qëndrimet e deritashme të institucioneve dhe i trimëron që të mbrojnë interesin e Kosovës. E, ana tjetër, a ka-a s’ka bisedime..., ka, ashiqare ka bisedime dhe asgjë nuk është ndërprerë. Se po bisedohet se është çështja akute, besoj se e di gjithkush dhe s’ka pse të mos thuhet kjo”, theksoi Hamiti.

Në anën tjetër, deputetët opozitarë adresuan kritika te Qeveria.

Deputeti i AAK-së, në Komisionin për Politikë të Jashtme, Ardian Gjini, tha se zëvendëskryeministri gjatë debatit e kishte sqaruar se Qeveria ishte në dijeni për bisedimet e EULEX-it me Serbinë, por nuk kishte besuar se në fund këto bisedime do të përfundonin me marrëveshje.

“Definitivisht kjo është një rrjedhojë e gjashtë pikave, i cili është shpallur i vdekur dhe tash i kemi në dokument, edhe ky protokoll është shpallur i vdekur dhe tash po e dëgjoni se po ndryshojnë fjalët... Kemi një mos-seriozitet total një mos-kompetencë totale, e kemi një neglizhencë totale, një vendnumërim të Kosovës dhe një poshtërim të Kosovës në vazhdimësi, e shihni edhe vetë çdo gjashtë muaj”, vlerësoi Gjini.

Ndërsa, ka konfirmuar mbështetjen që i është dhënë Qeverisë për kundërshtimin e protokollit, deputeti Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e Re, tha se institucionet duhet të qëndrojnë të palëkundura në marrëveshjet e tilla, përderisa ato janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Përmbajtja e dokumentit tregon se janë anashkaluar tërësisht institucionet e Kosovës, të cilat do të duhej që me dokumentet në fuqi, si Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit, të ishin së paku të bashkërenditura”.

“Prandaj, ky dokument i EULEX-it mund të jetë i pranueshëm, nëse është lidhur me Serbinë dhe një i tillë do të duhej të lidhej edhe me Ministrinë e Brendshme të Kosovës. Vetëm atëherë mund të bie shqetësimi”,
shprehet Gashi.

Ndryshe, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, i cili këto ditë është kthyer nga Brukseli, i ka vazhduar bisedimet në Prishtinë me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për t’i informuar ata me qëndrimet e fundit të BE-së në lidhje me protokollin mes EULEX-it dhe Serbisë.

Takimet e tilla janë mbajtur pa praninë e mediave.

Kohë më parë, zyrtarët e EULEX-it patën konfirmuar se e kanë mbështetjen e 27 vendeve anëtare që të vazhdojnë tutje me nënshkrimin e marrëveshjes, duke e përkufizuar atë si një aranzhim teknik për bashkëpunim policor, ndërkohë që është paralajmëruar finalizimi edhe i dy marrëveshjeve tjera; asaj për bashkëpunim gjyqësor dhe doganor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG