Ndërlidhjet

logo-print

Normat e kamatës për kredi në bankat, të cilat veprojnë në Kosovë, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, kanë ndikuar negativisht dhe kanë amortizuar trendët pozitive të ecurive ekonomike. Ata kërkojnë uljen e këtyre kamatave. Megjithatë, sipas autoriteteve bankare, nuk pritet të ketë përmirësime në këtë fushë.

Përpjekjet e Bankës Qendrore të Kosovës për uljen e normës së lartë të interesit në sistemin bankar, kanë qenë të pasuksesshme.

Sipas përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Kosovës, normat e interesit që aplikojnë bankat komerciale janë normat e tregut dhe me mekanizmat aktualë të bankës, siç thonë ata, kjo çështje nuk mund të kontrollohet nga ky institucion bankar.

Zëvendësguvernatori i mbikëqyrjes financiare në BQK, Nexhat Kryeziu, thotë se çështja e kamatave, që në publik shihet që janë shumë të larta, është mjaft shqetësuese edhe për BQK-në, pasi që është një problem, të cilin në fund e paguan konsumatori.

Por, megjithatë, zoti Kryeziu thotë se nuk kanë kompetenca që ta ndryshojnë këtë.

“Në parimet e ekonomisë të tregut, kamata punon në bazë të ligjit të ofertës dhe kërkesës. Trendi i interesave apo kamatave në depozita, është në rritje dhe kjo nënkupton që norma e interesit në kredi është në rritje dhe nuk ka mundësi të zvogëlohet”, tha ai.

Në anën tjetër, Virtyt Gacaferri, nga TEB-Banka, thotë se çmimi i kredive në Kosovë është rezultat i tregut. Ai thotë se normat në TEB –
Bankë janë konkurruese në treg dhe varësisht prej llojit të kredisë ndryshon edhe çmimi.

Sipas tij, normat e kamatës për kredi në TEB- Bankë sillen prej 10 për qind.

“Këto norma janë rezultat i tregut, pra janë rezultat i kërkesës dhe ofertës për financim. Në Kosovë, bankat siç lëshojnë kredi, ato edhe marrin depozitat nga kosovarët, të cilat i paguajnë gjithashtu në një çmim, i cili është konkurrues në treg”, shpjegoi Gacaferri.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se normat e larta të interesit në sistemin bankar, kanë ndikuar negativisht dhe kanë amortizuar trendët pozitivë të ecurive ekonomike.

Ata thonë se në bazë të informatave që ata kanë, normat e interesit në Kosovë sillen prej 11 deri në 14 për qind, varësisht nga lloji i kredisë, e që janë më të lartat në rajon.

Eksperti për çështje ekonomike, Xhumshit Duriqi, konsideron se derisa në Kosovë veprojnë tetë banka komerciale, ishte pritur që një konkurrencë e mirëfilltë bankare të ndikonte në zbutjen apo uljen e normave kamatare. Por kjo, siç thotë ai, nuk është duke ndodhur.

“Kosova, duhet të nxjerrë politikën kreditë monetare, e cila tani pa kurrfarë mekanizmi nuk rregullohet. Ne kemi sistem bankier, por nuk
kemi sistem kredito-monetar, pasi që nuk kemi mekanizëm që e rregullojmë këtë çështje”.

“Unë kam pritur që dy vitet e fundit të bie norma e interesit. Megjithatë, mund të ketë edhe marrëveshje mes të bankave që kamatat të jenë përafërsisht të gjitha të njëjta”,
tha zoti Duriqi.

Ditë më parë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga bankat, të cilat veprojnë në Kosovë, që të bëjnë uljen e normave të interesit të kredive.

Normat e larta të interesit në sistemin bankar, po ashtu kanë shkaktuar një ngecje në zhvillimin ekonomik të vendit, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Shumë biznese, sipas tyre, janë të privuar të marrin kredi për shkak të mos-rregullimit të kësaj çështjeje.

Sidoqoftë, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Kryeziu, ka bërë të ditur se për shkak të rrethanave ligjore, nuk mund të bëhet më shumë sesa që janë duke bërë aktualisht.

Banka Qendrore nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave. Megjithatë, ne kemi pasur një takim me bankat komerciale, Ministrinë e Financave dhe Kryeministrinë”.

“Një prej projekteve ka qenë që Qeveria ta financojë zhvillimin e bujqësisë dhe të ndikojë në zvogëlimin e interesave të kredive për bujqësi. Ky projekt është në zhvillim e sipër
”, shpjegoi ai.

Ndryshe, normat e kamatës për kredi sillen nga 10 deri në 13 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Por, këto norma i përcaktojnë
vetë bankat me politikat e tyre ekonomike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG