Ndërlidhjet

"Detajet e protokollit EULEX-Serbi"



EXPRESS

Shtyhet për kohë më të përshtatshme një vizitë e kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel dhe takimi i tij me Javier Solanën. Në Prishtinë, institucionet çimentohen edhe më shumë kundër Protokollit EULEX- Serbi. Hajredin Kuçi denoncon presionin medial të zyrtarëve të BE-së ndaj institucioneve të Kosovës. Qeveria merr mbështetje nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës për qëndrimin ‘kundër’ Protokollit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë dashur që këtë javë të niset drejt Brukselit për t’u takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Javier Solana, por në momentin e fundit duket se ky takim është anuluar. Zyrtarë të Qeverisë së vendit konfirmojnë planifikimet për një vizitë të tillë, por nuk japin arsyet që kanë çuar tek anulimi i vizitës...

ZËRI

“Të gjithë shërbyesit civilë që dëshirojnë të marrin pjesë në fushatën zgjedhore, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit do të mund ta bëjnë këtë, por duhet të marrin pushim pa pagesë për atë periudhë kohore, ndërsa zyrtarët e lartë, sekretarët permanentë, drejtorët, kryeshefat etj., duhet të japin dorëheqje të parevokueshme”, tha ministri Bajrami. Kjo, sipas tij, është përcaktuar edhe me ligj, por që të mos ketë keqkuptime shkresa shpjeguese mbi të drejtat dhe kufizimet e nëpunësve civilë gjatë zgjedhjeve lokale, që është nënshkruar nga Bajrami dhe Ferati, do t’u dërgohet kryetarëve të komunave, kryesuesve të kuvendeve komunale, sekretarëve të përhershëm dhe kryeshefave ekzekutivë të agjencive...

BOTA SOT
Në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, kreu i diplomacisë shqiptare, Lulëzim Basha, zhvilloi pak muaj më parë një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, me ftesë të homologut të tij, princit Al-Saud. Gjatë kësaj vizite n Riad, Basha mori mbështetjen e plotë të zyrtarëve më të lartë sauditë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Kreu i diplomacisë shqiptare zhvilloi takime me mbretin saudit Abdullah, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu, ministrin e Punëve të Jashtme, princin Al-Saud, nga të cilët mori mbështetjen e plotë, jo vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti saudit, por edhe për influencën që mbretëria e Arabisë Saudite do të ushtrojë tek vendet e tjera islame për njohjen e Kosovës...

EPOKA E RE
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar të hënën kërkesën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për t’i monitoruar zgjedhjet lokale të 15 nëntorit si dhe ka certifikuar si subjekt politik iniciativën Qytetare të Komunës së Ranillugut (GIZOR). Në këtë mbledhje të KQZ-së është aprovuar kërkesa që votimi me postë të shtyhet deri më 15 shtator. Drejtoresha e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ, Miradije Mavriqi, ka paraqitur para anëtarëve të KQZ-së kërkesën e KDI-së për t’i monitoruar zgjedhjet lokale dhe kërkesën e GIZOR-it...

KOHA DITORE

“Nganjëherë mendoj se nëse kriza financiare do të kishte nisur dy vjet më herët, shumë më tepër shtete do ta kishin njohur deri sot Kosovën”, tha Ahtisaari. Duke iu kthyer pasojave të ndasive serioze që paraqiten në BE rreth pavarësisë së Kosovës, Ahtisaari tha:”Sjellja e disa shteteve të BE-së është, thënë me fjalë të zbutura, e pafat, sepse do të ketë ndikim negativ në tërë procesin e zgjerimit”.”Këto shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, do të mbajnë fajin për vonesa serioze në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, tha fituesi i çmimit “Nobel” për paqe, Marti Ahtisaari...

LAJM

Bartësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë i konsiderojnë shumë të rëndësishme për imazhin e shtetit, zgjedhjet e 15 nëntorit. Me gjithë problemet që kanë karakterizuar përgatitjen e deritashme të procesit, përfaqësuesit politikë besojnë dhe angazhohen që të ndërmarrin të gjitha veprimet që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standardet demokratike evropiane. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha të hënën gjatë një takimi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, se zgjedhjet e sivjetme lokale, duke qenë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, janë tepër të rëndësishme që të përgatiten si duhet dhe të përmbyllen sipas standardeve më të larta demokratike...

INFOPRESS
Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë qetë dhe t’i shprehin qëndrimet e tyre, mirëpo këto kërkesa reflektojnë tendencat e këtyre strukturave paralele që ligjin ta bëjnë sipas qejfit të tyre”, tha kryetari Bajram Rexhepi. Situata, përkundër tensioneve që kanë qenë gjatë javëve të fundit në rajonin e Mitrovicës, është nën kontroll, kështu është vlerësuar në mbledhjen e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se gjendja gjatë dy javëve të fundit ka qenë me tensione, për shkak të protestave të dhunshme të pjesëtarëve të komunitetit serb, që kundërshtojnë procesin e rindërtimit në Kroin e Vitakut...

KOSOVA SOT

Ja çfarë përmban protokolli EULEX-MPB SERBI... “Asistojnë njëri-tjetrin në kontrollin e bashkëpunimit mbi çështjet e ndërlidhura me çdo lloj aktiviteti të dëmshëm, kriminal apo të ngjashëm joligjor në vijën kufitare mes zonave të tyre respektove të përgjegjësisë; Do të informojnë njëri-tjetrin mbi ligjet relevante, rregullat, dhe çdo informacion relevant për parandalimin e aktiviteteve të dëmshme, si të aplikuara në zonat e tyre respektove të përgjegjësisë; Do të informojnë njëri-tjetrin mbi çdo veprim, zhvillim apo ngjarje relevante për forcimin e ligjit si të ndërlidhur me aktivitetet e kalimit kufitar/kufijve dhe çdo aktiviteti tjetër të dëmshëm. E gjithë asistenca e ofruar nga pjesëmarrësit në kuadër të këtij protokolli, duke përfshirë bashkëpunimin me autoritetet relevante, do të drejtohet sipas dhe në kohëzgjatjen e lejuar nga ligjet respektive të aplikueshme”...
XS
SM
MD
LG