Ndërlidhjet

Gjenerali gjerman në krye të KFOR-it


Nga ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit
Nga ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit

Gjenerallejtënant Markus Bentler nga Gjermania, ka marrë komandën e KFOR-it. Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës është bërë në komandën e KFOR-it, në Prishtinë, nën udhëheqjen e komandantit të forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli, admiralit amerikan Mark Ficxherald.

NATO-ja dhe forca shumëkombëshe e KFOR-it, pavarësisht reduktimeve në numrin e ushtarëve, do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, duke siguruar një ambient të qetë e paqësor për të gjithë, u tha sot gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it në Prishtinë.

Gjenerallejtënant Markus Bentler
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga komandanti i deritashëm, italiani Gjysepe Emilio Gaj, tek gjermani Markus Bentler, është bërë në komandën e KFOR-it në Prishtinë, nën udhëheqjen e komandantit të forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli, admiralit amerikan Mark Ficxherald, e ku ishte i pranishëm dhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Admirali Ficxherald tha se të gjithë procesin e reduktimit të trupave të KFOR-it gjatë periudhës së ardhshme, do ta udhëheqë gjenerali Markus Bentler, i cili ka një përvojë të gjatë në Kosovë. Ficxherald tha, po ashtu, se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë paqen dhe stabilitetin në gjithë Kosovën.

“Tani kur NATO-ja po zvogëlon numrin e saj në Kosovë, Markus do të menaxhojë në tërësi shumë çështje që lidhen me to dhe do të vazhdojë, në anën tjetër, të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt për Kosovën. Kam besimin e plotë se ju do ta kryeni punën me guxim të plotë dhe kam besim në ju”, tha Ficxherald.

Ai i siguroi kosovarët se KFOR-i do të vazhdojë t’i mbështesë dhe në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, do të krijojë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se institucionet vendase do të kenë bashkëpunim të ngushtë me forcën e KFOR-it në përpjekjet e përbashkëta për siguri e stabilitet në Kosovë.

Njëherësh, Sejdiu rikujtoi synimet e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike, duke e ngritur dhe forcuar Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Sot, kur Republika e Kosovës është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 62 shtete anekënd globit, ne ritheksojmë zotimin tonë të plotë se do të punojmë me të gjitha mundësitë dhe në bashkërendim të përhershëm me vendet mike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjithë vendet e tjera të botës demokratike, për ta forcuar shtetin tonë, për ta vendosur rendin dhe sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës”, tha Sejdiu.

Presidenti i Kosovës ka dekoruar komandantin e deritashëm të KFOR-it, Gjyzepe Emilio Gaj me “Medalje të artë” për shërbim ushtarak në Kosovë.

Admirali Mark Ficxherald dhe komandanti i deritashëm i KFOR-it, Gjyzepe Emilio Gaj
Me këtë rast, gjenerali italian tha se KFOR-i në shenjë të suksesit dhe përmirësimit të gjendjes së sigurisë, ka filluar fazën e re, atë të shkurtimit të trupave.

“Në shenjë të performancës tonë të suksesshme, KFOR-i ka filluar të lëvizë drejt një faze të re, duke parë që situata është përmirësuar".

"Reduktimi gradual i KFOR-it nuk shënon fundin e angazhimit tonë, por ka për qëllim të forcojë përparimin pozitiv që kemi arritur”, tha gjenerali Gaj.

Aktualisht, NATO-ja ka rreth 13.500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë, por numri i tyre pritet të zvogëlohet deri në rreth 10 mijë.
XS
SM
MD
LG