Ndërlidhjet

Presidenti Obama sot i drejtohet Kongresit



Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama do t’i drejtohet sot Kongresit me një fjalim, i cili pritet të fokusohet në reformimin e sistemit shëndetësor privat të Amerikës.

Bashkëpunëtorët e presidentit kanë premtuar se fjalimi i presidentit, i cili do të transmetohet në televizion, do të ofrojë detaje specifike për vizionin e tij lidhur me sistemin shëndetësor, i cili kap shumën prej 2.5 miliardë dollarësh.

"Presidenti do të nënvizojë se do ta shtyjë përpara planin e tij" për kujdesin shëndetësor, dhe mënyrën se si do të miratohet ligji nga Kongresi, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.

Në një intervistë për televizionin ABC, Obama tha se "do ta përdorë fjalimin për t'u siguruar se Demokratët dhe Republikanët do ta kuptojnë se ai është i hapur për ide të reja".

Një zyrtar i administratës tha se presidenti do ta artikulojë vizionin e tij për të mundësuar përkujdesin shëndetësor për ata që nuk kanë sigurim dhe nuk kanë mundësi për ta bërë.

Presidenti Barak Obama e mori zyrën duke u zotuar se do ta reformojë sistemin, shpenzimet e të cilit po rriten, ndërkohë që rreth 50 milionë amerikanë janë pa sigurim shëndetësor.

Republikanët e kundërshtojnë të ashtuquajturin “opsion publik”, ndërsa ndarje ka edhe në mesin e Demokratëve të presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG