Ndërlidhjet

logo-print

"Mandati i EULEX-it për marrëveshje shtetërore, i paqartë"



ZËRI
Derisa zyrtarë nga Presidenca dhe nga Kryeministria vazhdojnë të thonë se shumë shpejt do të dihen emrat e zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit të AKI-së, në mënyrë që të funksionalizohet ky shërbim, opozita ndërkaq, ka kritikuar ashpër liderët e vendit për neglizhencë të panevojshme në këtë drejtim, dhe që po i shkaktojnë dëme vendit. Shefi i AKI-së, Bashkim Smaka, thotë se emrat nuk janë në dorë të tij. Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), si një nga mekanizmat kryesorë të sigurisë në vend, edhe më shumë se një vit që nga hyrja në fuqi e kushtetutës së Kosovës (kohë kjo e paraparë që të jetë funksional shërbimi inteligjent i vendit), vazhdon të mos jetë plotësisht funksionale, duke operuar me vetëm një drejtor dhe me një staf tepër të ngushtë...

BOTA SOT

“... Mendoj se kjo nuk është kuptuar mirë në Kosovë, kjo është njëfarë mënyre për të ‘paketuar’ njëfarë marrëveshje për Serbinë që të pranojë sërish kufijtë në veri, t’i hapë ata dhe t’i bëjë sërish funksionalë, të funksionojnë sërish normalisht doganat ashtu si para pavarësisë dhe në të njëjtën kohë për të operuar si më parë, por me EULEX-in si partner tani”, thotë ekspertja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus. Ajo thotë se zgjidhja për gjendjen e krijuar rreth protokolleve mund të ketë edhe shpërblim për qytetarët e Kosovës rreth liberalizimit të vizave. “Pavarësisht nëse i quani aranzhmane teknike apo protokoll, një formë e tij është e nevojshme, sepse e lejon EULEX-in të veprojë në veri, sidomos në kufij dhe lejon bashkëpunimin policor ndërmjet Serbisë dhe EULEX-it këtu. Po ashtu, ky është parakusht edhe për Kosovën në përmbushjen e disa kushteve të saj në procesin e liberalizimit të vizave. Por, në këmbim Prishtina duhet të fitojë diçka. Ky mund të jetë, për shembull, udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”...

EPOKA E RE

“Qeveria Thaçi është qeveri e keqpërdorimit të forcës së pushtetit. Ka arritur që të anashkalojë dhe ta largojë Kuvendin nga qendra, në të cilën duhet të jetë. Por, unë nuk e fajësoj krejt qeverinë, sepse secila qeveri ndoshta do të vepronte kështu po t’i jepej hapësira. Unë e fajësoj Kuvendin e pafuqishëm që s’po mund t’i parandalojë këto keqpërdorime. Kuvendi është tërësisht i pafuqishëm për shkak të konfliktit të interesit politik partiak. Duke e parë gjendjen në çdo fushë, Kuvendi nuk ka shkuar përpara, por mbrapa tyre. Nuk e di se çka do të duhej të ndodhte edhe më tutje që të veprojë Kuvendi, edhe pse jam skeptik se do të mund të veprojë në këtë gjendje që është...” Flet Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Makolli...

KOHA DITORE

Ndonëse misioni i Bashkimit evropian EULEX ka iniciuar nënshkrimin e një protokolli për bashkëpunim policor me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, legjitimiteti i lidhjes kontraktuale të EULEX-it me subjektet tjera shtetërore mbetet i paqartë. Burimi legal i nënshkrimit të Protokollit në mes këtyre dy palëve është mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar në vitin 1999 dhe në Veprimin e Përbashkët të Këshillit Evropian, me referencë të Raportit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së të 24 nëntorit, por askund nuk është përmendur se cili nen, ose cila pikë i jep këtë fuqi juridike këtij misioni. Megjithëse nuk ka qenë e specifikuar qartë as në protokollin e propozuar për nënshkrim me Serbinë, kompetencën legale të nënshkrimit të këtij protokolli nuk ka mundur ta shpjegojë as vetë EULEX-i...

LAJM

Përkundër problematizimit të çështjes së protokollit EULEX-Serbi, Kuvendi i Kosovës nuk do të debatojë për këtë temë, së paku në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha të martën, pas mbledhjes së Kryesisë, se çështja e protokollit nuk është shqyrtuar fare për shkak se nuk ka pasur një kërkesë me shkrim për këtë çështje. “Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë dje ka biseduar me zëvendëskryeministrin, i cili është në komisionin e përbashkët me EULEX-in dhe, si duket, komisioni është ndarë i kënaqur. Nuk kemi kërkesë që kjo çështje të debatohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e tij se çështja e protokollit nuk është menaxhuar mirë nga EULEX-i dhe institucionet e Kosovës, përfshirë presidentin dhe kryeministrin...

INFOPRESS

Jozefina Topalli është rikonfirmuar kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më shumicë parlamentare. Nga 75 deputetë të pranishëm në sallë, Topalli ka marrë 74 vota pro dhe 1 kundër, duke marrë sërish detyrën që ka mbajtur për katër vitet e shkuara. Edhe në këtë mbledhje të deputetëve opozita nuk ka qenë e pranishme. Keqardhje për opozitën që nuk është në Parlament, është shprehur nga Topalli, gjatë fjalimit të saj pas konfirmimit. Ajo përsëriti sërish se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim. Duke kundërshtuar opozitën, Topalli tha se zgjedhjet kanë qenë më të mirat të realizuara ndonjëherë dhe se deputetët kanë marrë mandatet me vendim unanim nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve...

KOSOVA SOT

Institucionet e Kosovës kanë vullnet dhe përkushtim për të bashkëpunuar me fqinjët, por gjithnjë duke ruajtur subjektivitetitn shtetëror. Kjo deklaratë ka dalë nga numri dy i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, pas takimit me Komisionin Evropian, ku veç planit të veprimit të partneritetit evropian, është prekur edhe çështja e protokollit midis EULEX-it dhe Serbisë. Anëtarët e Komisionit për Integrime evropiane kanë kritikuar Qeverinë për mostransparencë sa i përket çështjes së protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Kryetarja e këtij komisioni, Zylfije Hundozi, tha se deputetët është dashur të informohen me kohë për përmbajtjen e protokollit nga ana e EULEX-it. “Ne e përkrahim Qeverinë në të gjitha këto qëndrime që të ruhet sovraniteti i Qeverisë së Kosovës, por njëherazi të ruhet edhe bashkëpunimi me institucionet evropiane, gjegjësisht EULEX-in”...

EXPRESS

Ambasadori britanik, Andry Sparks, ka thënë se Protokolli duhet të nënshkruhet mes EULEX-it dhe Serbisë, pasi që një marrëveshje e tillë nuk mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. “Duke pasur parasysh se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ata nuk mund të nënshkruajnë ndonjë dokument me Republikën e Kosovës. Ky protokoll do të ndihmonte punën e EULEX-it, në parandalimin e krimit të organizuara dhe të çfarëdo krimi tjetër, sidomos në veriun e Kosovës”, ka thënë ai. Sipas tij, nënshkrimi i protokollit ndihmon në luftën ndaj krimit të organizuar. “Është e vërtetë, siç kanë thënë edhe disa media, se ky protokoll do të ishte edhe në të mirë të Serbisë. Sepse kjo është një pjesë e të arriturave në programin e liberalizimit të vizave”...
XS
SM
MD
LG