Ndërlidhjet

Problemet mes serbëve të Kosovës dhe Beogradit!


Mitrovicë

Mitrovicë

Qeveria e Serbisë ka negociuar me EULEX-in në lidhje me protokollin e bashkëpunimit policor, duke i anashkaluar serbët e Kosovës, thonë përfaqësuesit serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës, duke e kundërshtuar këtë marrëveshje.

Për një pjesë të politikanëve të komunitetit serb, kryesisht atyre të veriut të Kosovës, protokolli i bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është i papranueshëm.

Për këtë pozicion të tyre, ata i përmendin dy arsye: E para, me këtë marrëveshje, sipas përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës, Beogradi zyrtar po i njeh kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; dhe arsyeja e dytë, protokolli, nënvizojnë ata, është arritur pa konsultime fare me serbët e Kosovës.

Milan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për pjesën veriore të Kosovës, kritikon Qeverinë e Beogradit për injorim total të serbëve në arritjen e këtyre marrëveshjeve.

“Ne kemi paraqitur qëndrimin tonë dhe kundërshtimin ndaj kësaj marrëveshje, ngase përfaqësuesit legjitimë të serbëve nuk kanë qenë të informuar nga ana e Beogradit se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, kështu që detajet e saj ne nuk i dimë”
, thotë Ivanoviq.
Milan Ivanoviq, kryetar i KNS-së


Vetë fakti se serbët e Kosovës janë anashkaluar, i bën ata të ndihen të frikësuar dhe të shqetësuar,thotë ai.
“Ajo që dimë është se, kjo marrëveshje nënkupton një mbështetje më të fuqishme dhe kontroll më të fuqishëm të vijave kufitare. Ne, vijën kufitare me Kosovën si krahinë jugore serbe, nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë asnjëherë”, thekson Milan Ivanoviq.

Ndërkaq, Dragan Veliq, po ashtu nga Këshilli Nacional Serb, por për pjesën qendrore të Kosovës, pret që marrëveshja të definohet qartë me pozicionin e Serbisë në raport me statusin e Kosovës.

“Thënë kushtimisht, kjo mund të jetë e pranueshme vetëm me kusht që ajo të jetë në harmoni me Rezolutën 12 44, çka, para së gjithash, mendoj në çështjen e statusit që duhet zgjidhur”,
thotë Veliq.

Ndërkohë, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka paralajmëruar se protokolli policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë, pritet të nënshkruhet deri në fundi të shtatorit.

Bogdanoviq ka deklaruar se bëhet fjalë për një marrëveshje klasike politike, me të cilën do të duhej luftuar krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi me qenie njerëzore, ai me armë dhe me narkotikë, në të dyja anët e kufirit Kosovë-Serbi.

Mirëpo, gjendja e krijuar me këtë protokoll, sipas Milan Ivanoviqit, në anën tjetër, nuk do të kalojë edhe pa efekte, kur flitet për raportet e serbëve të Kosovës me qeverinë në Beograd.

“Kjo është një çështje e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Nënshkrimi i marrëveshjes që do të nënkuptonte vendosjen e doganës e kufijve, do të na e vështirësonte neve gjendjen”,
thotë Ivanoviq, duke shtuar se serbët e Kosovës e dinë më së miri kur dikush prek në interesat e tyre.

Sidoqoftë, Ivanoviq pret që para se të jepet një kundërshtim përfundimtar i kësaj marrëveshje, të sqarohen disa detaje të saj me serbët e Kosovës.

Në anën tjetër, Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, potencon pikërisht problematikën që mund të lindë te raportet mes serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

“Në Kosovë ka një ekip që është ngritur në kohën e bisedimeve për statusin e Kosovës, i cili i kishte koordinuar aktivitetet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe se ky ekip funksionon i lidhur ngushtë me Qeverinë e Kosovës. Kurse, Beogradi nuk ka arritur të funksionalizojë një aktivitet të tillë me serbët e Kosovës çka ka ndikuar që të dalin në pah elemente të anarkisë”,
thotë Janjiq.

Ndryshe, protokolli i EULEX-it me Serbinë është kundërshtuar edhe nga Prishtina zyrtare, duke e vlerësuar atë si shkelje të Kushtetutës së Republikës, ndërkohë që EULEX-i ka siguruar mbështetjen për këtë marrëveshje teknike nga Bashkimi Evropian, si edhe disa ambasada të vendeve evropiane që janë deklaruar publikisht në përkrahje të protokollit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG