Ndërlidhjet

Analistët për çështje politike në Kosovë vlerësojnë se nuk mund të flitet për debat politik në mes partive politike, në kohën kur po afrohet data për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale.

Ata thonë se, përveç akuzave të shumta dhe siç thuhet, fjalëve boshe, partitë politike në pushtet dhe ato opozitare nuk po ofrojnë asgjë.

Teksa po afrohet fushata elektorale për zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë, partitë politike opozitare sikurse ato në pushtet, duket se po e ashpërsojnë fjalorin e tyre politik.

Kështu, të paktën, pohojnë analistët për çështje politike në Prishtinë, të cilët thonë se në Kosovë nuk ka debat të mirëfilltë politik. Akuzat e ndërsjella, të cilat, sipas tyre, vërehen më tepër ndërmjet partisë në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, janë retorikë e panatyrshme për vendet demokratike.

Analisti Ismail Hasani thotë se, edhe pse akuzat për korrupsion, keqpërdorime, keqqeverisje dhe të tjera vijnë e shtohen, nuk ofrohen argumente të fuqishme për t’i mbështetur ato.

“Më i prirë jam që ta quaj shpërfaqje e mungesës së kulturës politike, pa marrë parasysh se për cilën anë është fjala-për opozitën apo koalicionin qeverisës”.

“Është krejtësisht tjetër ajo që provohet të akuzohet; të paktën deri tani ne nuk kemi pasur rast që të shohim veprimin e ligjit, ta zëmë, ngritjen e çështjes, depozitimin në prokurori të akuzës, për të cilën pretendohet
”, shprehet Hasani.

Kështu pohon dhe analisti Halil Matoshi, i cili thotë se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova po dëshmon se është larg standardeve për zhvillimin e një debati të shëndoshë politik parazgjedhor.

Sipas tij, krahasimi edhe me Shqipërinë ku, siç pohon ai, debati është tejet i ashpër, ajo që mund të ofrojnë përfaqësuesit e skenës politike në vend janë vetëm retorika boshe.

“Retorika e tyre që ashpërsohet, zakonisht, para zgjedhjeve ose fushatave parazgjedhore, është vetëm retorikë boshe, mirëpo modeli i qeverisjes është dëshmuar tashmë në këto nëntë vjet, pas çlirimit të Kosovës. Këto zgjedhje që organizohen, këto fushata dhe kjo retorikë më së paku kanë lidhje me demokracinë dhe kulturën politikë “,
thotë Matoshi, i cili vlerëson se, megjithatë, mund të vërehet një emancipim i popullit të Kosovës në këtë drejtim.

Matoshi shpreh bindjen se, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2007, dalja në zgjedhje do të jetë më e ulët-gjë në të cilën, sipas tij, ndikojnë dhe shkëmbimet e akuzave ndërmjet partive politike.

“Unë mendoj se interesimi i elektoratit kosovar për këto zgjedhje është, mund të them lirisht, dyfish më i vogël. Ajo që mund të bëhet është vetëm nëse partitë politike arrijnë t’i aktivizojnë militantët e tyre ekstremë. Përndryshe, mendoj se çdo pushtet që del nga këto zgjedhje, do të jetë legal, por jo legjitim, sepse do të del me një përqindje shumë të ulët të votuesve”,
pohon ai.

Në kuadër të akuzave që partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hodhi në drejtim të Partisë Demokratike, ishte keqpërdorimi i pozitës si parti qeverisëse për të bërë fushatë për zgjedhje.

Mirëpo, Hasani thotë se gjëra të tilla ndodhin jo rrallë, përderisa nuk caktohet data për fillimin e fushatës zyrtare parazgjedhore.

“Unë nuk mendoj se, përjashto rastet e demokracive të konsoliduara, secili që ka pushtetin nuk mund t’i ikë abuzimit me fillimin e fushatës parazgjedhore para se të jepet afati zyrtar për fushatë. Raste të tilla kemi, të cilat marrin konotacione të tilla, por unë nuk njoh raste të abuzimit me pozitën”
, theksoi Hasani.
XS
SM
MD
LG