Ndërlidhjet

“UNMIK-u, EULEX-i dhe Qeveria-të gjithë thonë se kanë kompetenca”



BOTA SOT
Ishin serbët që shtëpitë shqiptarëve ua kishin kthyer në gërmadha, dhe janë po ata që sot, me çdo kusht përpiqen ta ndalojnë kthimin. Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, e drejta për ta gëzuar pronën është e garantuar. Po sipas Kushtetutës, konventat evropiane dhe protokollet e saj kanë fuqi ligjore mbi ato kushtetuese. Konventa evropiane për të Drejtat e Njeriut, Protokolli i parë e saj thotë se, prona është e shenjtë dhe, po ashtu, e drejta për qasje të lirë të saj. Por, të gjitha këto, institucionet kryesoe, që duhet ta garantojnë pikërisht zbatimin e këtyre të drejtave, OKB-ja, përkatësisht UNMIK-u dhe BE-ja, përkatësisht EULEX-i, po shkelin haptazi dhe pa ‘u lodhur’ fare të drejtat e shqiptarëve...

EPOKA E RE
Në Libi ka shkuar me pasaportë të Kosovës. Ka treguar se me presidentin Gadafi ka biseduar rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, edhe pse njohja në këtë kohë s’është e mundshme, me Libinë po hapen rrugët e bashkëpunimit ekonomik. Behxhet Pacolli ka treguar se arsyeja kryesore pse Libia ka qenë dhe është kundër pavarësisë së Kosovës, është mungesa e kontakteve dhe e informimit nga ana e institucioneve të Kosovës. “Libia nuk është ajo që e kundërshton pavarësinë, Libia nuk është kundër asaj që ka ndodhur, por Libia ka qenë më e informuar prej palës serbe dhe është fare pak, ose aspak, e informuar nga pala shqiptare, gjegjësisht nga pala e Kosovës”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se rezultati më i madh i takimit të tij me Gadafin ishte informimi që i ka bërë atij për Kosovën...

KOHA DITORE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christofer Dell, ka lënë të kuptohet se protokolli EULEX-Serbi është çështje evropiane dhe se SHBA-ja nuk do të përzihet në këtë proces. I pyetur se cili është pozicioni i SHBA-së për protokollin EULEX-Serbi, diplomati amerikan ka thënë se nuk është nga Evropa. “Unë nuk i përkas Evropës”, ka qenë komenti i vetëm i ambasadorit Dell. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk e kanë dhënë ndonjë qëndrim zyrtar në raport me protokollin për bashkëpunim ndërpolicor, që EULEX-i planifikon të nënshkruajë me Serbinë, ndryshe nga 27 shtetet anëtare të BE-së, të cilat i kanë mbështetur protokollet e tilla, duke i vlerësuar si “aranzhime teknike”...

LAJM
Banka Botërore e klasifikon Kosovën të parafundit në rajon në raportin “Të bësh biznes 2010”. Vetëm Bosnja është renditur më keq se Kosova . Por, zëdhënësi i Qeverisë shpreh dyshime se raporti mund të ketë për bazë të dhëna të vjetra. Nënkryetari i Odës Ekonomike tha se lista tregon qartë situatën reale të tregut të Kosovës. Sipas raportit, Maqedonia është vendi që ka bërë përparim më të madh në vënien e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe është radhitur më lart se vendet e tjera të rajonit, e 32-ta, në saje të përmirësimeve të pothuajse në gjitha 10 kategoritë kryesore. Mali i Zi i 71-ti, Shqipëria 82-ta, Serbia 88-ta, kurse Kroacia është vendosur e 103-ta...

INFOPRESS
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) është treguar tërheqës për shumë kompani nga e mbarë bota. Interesimin e madh të kompanive botërore për të konkurruar për marrjen e ANP-së me koncesion, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF). Burimet e gazetës “Infopress”, brenda ANP-së kanë pohuar se kompania që mbikëqyrë Aeroportin “Sharl Degol” në Francë, ka tërhequr dokumentacionin që mund të aplikojë në kërkesën e hapur për kualifikim. Mirëpo, zyrtarë nga Partneritetet Kosova në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, nuk kanë dashur të japin emra konkretë të kompanive të interesuara në këtë proces...

KOSOVA SOT

Nëpunësit e administratës publike në Kosovë, për 10 vjetët e pasluftës, janë nëpunësit më të diskriminuar në aspektin e trajtimit material nga ana e institucioneve të vendit, me paga minimale, që varësisht nga koeficienti i tyre, nuk e kalojnë vlerën e pagës mujore përtej 250 eurosh, me ndonjë përjashtim në rast të së drejtës për ndonjë shtesë eventuale, varësisht nga specifikat e punës. Një gjendje e tillë sociale në vend, me një numër jo shumë të kënaqshëm të të punësuarve në sektorin publik, sa vjen e bëhet gjithnjë e më e rëndë, me pak shpresa për t’u bërë zgjidhja adekuate- ngritja e pagave në një nivel mesatar që sado pak sjell zbutjen e gjendjes ekzistuese...

EXPRESS
Departamenti i Shtetit i Amerikës ka mbështetur ministrin Fatmir Limaj për projektin e autostradës Vërmicë - Merdar. Limaj, gjatë një takimi me zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë, Stuart Jones, është mbështetur edhe për integrimin e minoriteteve serbe. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka marrë mbështetje prej Departamentit të Shtetit të Amerikës për projektin e autostradës Vërmicë–Merdar. Pak para fillimit të ndërtimit të saj, ministri Limaj ka vizituar SHBA-të dhe ka raportuar për gjitha projektet e mëdha infrastrukturore të këtij vendi. Vizita e tij është përcjellë edhe me mesazhe dhe përkrahje politike për qëndrimet dhe lëvizjet e kësaj qeverie në integrimin e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera në shoqërinë kosovare...

ZËRI

UNMIK-u pretendon se ka ende autorizime në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Qeveria thotë se UNMIK-u është mision i tejkaluar dhe se pritet vetëm një vendim i KS- të OKB-së që kjo administratë të largohet nga vendi. Ndërsa, EULEX-i “noton” mbi kompetencat e 1244-shit dhe të akteve të Kosovës, varësisht se si i nevojiten... Tri pushtete legale në Kosovë, një paralel dhe shumë dokumente e akte juridike, e kanë bërë të paqartë ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive në vend. Kushtetuta e Kosovës, ligjet në fuqi dhe Pakoja e Ahtisarit, janë aktet dhe dokumentet në të cilat mbështetet qeveria dhe institucionet e Kosovës, si organet kompetente dhe sovrane të këtij vendi...
XS
SM
MD
LG