Ndërlidhjet

Decentralizimi para zgjedhjeve


Krahas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe me afrimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, përfaqësuesit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thonë se procesi i decentralizimin është duke shkuar ashtu siç është paraparë.

Zëvendësministri i Pushteti Lokal, Shpend Tërdeva, thotë se pas pranimit të kandidatëve për formimin e ekipeve përgatitore, tashmë është duke u punuar më shumë drejt realizimit të planeve.

“Deri më tash janë sistemuar tri ekipe përgatitore, që është rasti i parë Kllokoti, Graçanica. Tash jemi në përzgjedhjen e ekipit përgatitor të Parteshit. Janë bërë të gjitha veprimet e nevojshme sa i përket MPL-së, sa i përket veprimeve administrative”.

“Ndërsa, sa i takon veprimeve politike, do të mbetet ende kohë për t’u zhvilluar ekipet përgatitore në terren për përgatitjen e fushatës ose pjesëmarrjes se komunitetit serb në procesin e zgjedhjeve
”, tha Tërdeva.

Zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal, ministri kjo e cila është e ngarkuar për zhvillimin e procesit të decentralizimit, pohojnë se pa pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet e nëntorit, vështirë se do të mund të formohen komunat e reja në ato komuna ku jeton komuniteti serb.

Zëvendësministri Tërdeva, thotë se, sikur në shumë çështje të tjera, edhe në procesin e decentralizimit serbët lokalë në Kosovë, po ndikohen nga Beogradi për mospjesëmarrje në këtë proces.

“Në këtë rast është një proces mjaft kompleks; Ministria e Pushtetit Lokal është mjaft e matur në zhvillimin e këtij procesi dhe varësisht gatishmërisë së komunitetit serb për të participuar në realitetin e ri në Kosovë, sigurisht që është një mundësi për t’iu afruar serbëve për t’u integruar në rrethanat e reja politike në Kosovë. Mirëpo, problemi më i madh është që ata punojnë në presion nga Qeveria e Beogradit, si gjithherë”, shprehet Tërdeva.

Kohë më parë, Beogradi zyrtar pati deklaruar se për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 15 nëntorit ende nuk janë krijuar kushtet e nevojshme.

Kurse, përfaqësues nga Instituti për Qeverisja Lokale, konsiderojnë se pranimi i procesit të decentralizimit nga ana e komuniteteve në Kosovë është një sfidë. Shpend Qamili nga ky institut shpjegon.

“Ekziston një sfidë e madhe e akceptimit të decentralizimit të komuniteteve, në realitet të vetë pjesëtarëve dhe rajoneve gjeografike ku duhet të bëhet decentralizimi”.

“Problem është kjo puna e komunitetit serb, kur tentohet të bëhet decentralizimi në njërën anë, dhe në anën tjetër, kemi komuna siç është komuna e Shtërpcës, në të cilën nuk dihet ende kush cilat kompetenca i mban; a i mban ajo komuna paralele, apo komuna e mirëfilltë, e cila është strukturë e Republikës së Kosovës”,
thotë ai.

Për zotin Qamili, procesi i decentralizimit në praktikë është duek u realizuar shumë pak. Siç thotë ai, flitet shumë për këtë proces, por punët në terren e tregojnë një realitet tjetër.

“Ka vende, në të cilat shkon ashtu siç duhet. Ndërsa, në vende të tjera nuk po shohim që ka ndonjë lëvizje. Pa dashur t’ia hedhim fajin dikujt, ose ta emërojmë fajtorin në këtë rast, flitet shumë për atë, por akterët të cilët duhet të ishin të përfshirë aty nuk janë duke bërë punë në terren”,
theksoi Qamili.

Me Planin e Ahtisarit parashihet formimi i pesë komunave të reja serbe dhe zgjerimi i një komune aktuale.
XS
SM
MD
LG