Ndërlidhjet

Duke e konsideruar rritjen e numrit të vetëvrasjeve si dukuri tejet shqetësuese dhe brengosëse, në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve, institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje për gjetjen e një strategjie, që do të ndikonte në parandalimin e kësaj dukurie.



Mekanizmat e sigurisë në Kosovë dhe ekspertët e shëndetit mendor, kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të mos e neglizhojnë dukurinë në rritje të rasteve të vetëvrasjeve, por të krijojnë mekanizma adekuatë për parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë janë shënuar 38 vetëvrasje dhe 156 tentim-vetëvrasje.

Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës, thotë se krahasuar me vitet paraprake, ka një trend të rritjes së kësaj dukurie në Kosovë.

“Me këto raste dhe parandalimin e tyre duhet të merren edhe instancat tjera, të cilat janë këtu në Kosovë, e jo vetëm ne, si polici. Vërtet, është një dukuri mjaft shqetësuese. Duhet të punohet më tepër, sepse kemi raste të shumta, sidomos të tentim-vetëvrasjeve”
, thotë Kamberi.

Ekspertë të shëndetit mendor, ndërkaq, tregojnë se faktor mjaft ndikues në shtimin e numrit të të vetëvrarëve, në Kosovë, përveç gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, është edhe moskujdesi për identitetin dhe mirëqenien shpirtërore në këtë kohë krize sociale e ekonomike.

Duke e konsideruar rritjen e numrit të vetëvrasjeve si dukuri tejet shqetësuese dhe brengosëse, doktoresha Shukrije Statovci apelon te shoqëria kosovare që të punohet më shumë për parandalimin e kësaj dukurie.

Ajo thekson se tentim-vetëvrasjet duhet të shikohen si një akt tejet serioz dhe në mënyrë që të mos vihet deri tek akti final, këtyre personave duhet t’iu ofrohet përkujdesje.

“Nëse e krahasojmë periudhën e paraluftës me periudhën e pasluftës, atëherë rritja është shumë e shpejtë dhe me përmasa shqetësuese. Kjo rritje po na alarmon të gjithë neve dhe institucionet duhet të mundohen të bëjnë më shumë për parandalimin e këtij fenomeni”
, thotë Statovci.

Për doktoreshën e psikiatrisë, Shukrije Statovci, vetëvrasja është një veprim i qëllimshëm i individit, ndërkaq tentim-vetëvrasja, është një gjë e ngjashme, por që individi nuk arrin ta realizojë atë.

Sipas saj, shkaktarët kryesorë të vetëvrasjeve, përveç problemeve sociale e ekonomike, janë edhe alkoolizmi, drogat dhe rrethi familjar.

Ndërkohë, këtë vit Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të kryeministrit dhe Fondacioni “Together” nga Sllovenia, me rastin e 10 shtatorit-Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve, kanë organizuar një debat, i cili kishte për qëllim të grumbullojë mendime të ekspertëve për hapat që duhet të ndërmerren për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë.

Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të kryeministrit, thotë se janë duke punuar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të bërë diçka më shumë për parandalimin e kësaj dukurie.

“Vetëvrasjet janë një dukuri mjaft shqetësuese për Qeverinë e Kosovës. Në gusht të këtij viti, Qeveria ka marrë vendim për të hartuar një program dhe një plan nacional për t’i parandaluar vetëvrasjet”.

“Duhet të ketë synime për të asistuar dhe socializuar tentim-vetëvrasjet. Do të ketë akterë të shumtë që do të merren me zbatimin e këtij programi”,
shpjegon zoti Hajredini.

Prej vitit 2000 deri në vitin 2008, sipas statistikave të policisë, vetëvrasje kanë bërë 526 persona. Mosha e atyre që kanë kryer këtë akt është prej 21 deri në 30 vjeç.

Ndërkaq, individët që i përkasin gjinisë mashkullore kanë kryer disa herë më shumë vetëvrasje, sesa individët e gjinisë femërore, por e kundërta e kësaj paraqitet te rastet e tentim-vetëvrasjeve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG