Sllovenia dhe Kroacia e arritën marrëveshjen, e cila do t’i zhbllokojë përpjekjet e Kroacisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Njoftimi u bë pas bisedimeve të sotme në Lubjanë ndërmjet kryeministres kroate Jadranka Kosor dhe homologut të saj slloven Borut Pahor.
Sllovenia ka insistuar që mosmarrëveshja për kufirin, e cila daton nga viti 1991, të zgjidhet para se Kroacia t’i vazhdojë bisedimet për anëtarësim në BE.
Dy kryeministrat janë dakorduar që kontesti i kufirit të zgjidhet më vonë, ndërsa Kroacia t’i tërheqë nga negociatat të gjitha dokumentet e kontestuara, të cilat Sllovenia i konsideron kundërthënëse.
Në shkëmbim, Sllovenia u zotua të heqë bllokadën.