Ndërlidhjet

Në pritje të finalizimit të marrëveshjes


Misioni EULEX është në pritje të finalizimit të marrëveshjes teknike të bashkëpunimit policor me Serbinë. Autoritetet vendore kanë përsëritur qëndrimin se Prishtina nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.


Misioni EULEX është në pritje të finalizimit të marrëveshjes teknike të bashkëpunimit policor me Serbinë. Mbështetja që ky mision siguroi nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit, e ka sjellë në finalizim çështjen e nënshkrimit.

Sidoqoftë, zëdhënësja e këtij misioni në Prishtinë, Karin Limdal, tha sot se nuk mund ta konfirmonte kohën e nënshkrimit të marrëveshjes teknike me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Nuk mund ta konfirmoj se kur do të ndodhë kjo. Por, ne jemi në pritje që kjo çështje të finalizohet”, tha Limdal.

Nënshkrimi i marrëveshjes teknike për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit, të cilat kanë konsideruar se nënshkrimi i marrëveshjes është në përputhje me mandatin e EULEX-it në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur se Prishtina zyrtare nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Mirëpo, pavarësisht këtij pozicioni, Thaçi e ka mirëpritur deklaratën e djeshme të vendeve të Kuintit dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, e cila, mes tjerash, përkrah EULEX-in në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Unë e mirëpres deklaratën e Kuintit, e cila u jep mbështetje të fuqishme zhvillimeve pozitive që kanë bërë institucionet e Kosovës në perspektivën euroatlantike të vendit”.

“Dua të theksoj edhe një herë, fuqishëm, se institucionet e Kosovës në asnjë rrethanë nuk janë palë e këtij pretendimi të aranzhimit teknik, por Qeveria e Republikës së Kosovës do ta vazhdojë luftën e pakompromis ndaj fenomeneve negative”
, tha Thaçi.

Ndërsa, çështja e protokollit të EULEX-it me Serbinë po finalizohet, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Pitër Feith, në një komunikatë për opinion ka kërkuar nga EULEX-i të vë nën kontroll pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në pjesën veriore, duke kërkuar për herë të parë që atje të fillojë edhe mbledhja e taksave doganore.

“E përkrahim plotësisht punën e ndërmarrë nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, për mbajtjen e pranisë së tij të pandërprerë në Portat 1 dhe 31 në veri të Kosovës që nga data 9 dhjetor 2008”
, thuhet në deklaratën e zotit Feith.

“Në linjë me mandatin e tij, EULEX-i është i angazhuar që të vazhdojë të përmirësojë punën e doganave në mbarë Kosovën, dhe të rivendosë kontrollet e plota doganore në Portat 1 dhe 31 në mënyrë që të përmirësojë mbledhjen e të hyrave dhe të parandalojë kontrabandimin e mallrave dhe evazionin e taksave”,
thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e zotit Feith.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar një vendim pozitiv për Kosovën nga ana e Brukselit, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në proceset integruese.

Thaçi tha se pret që në vjeshtë Brukseli t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin evropian për procesin e integrimeve.

“Sot dua t’ju konfirmoj lajmin e ri nga Brukseli, i cili është konfirmuar për Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.


“Një lajm shumë pozitiv, që Kosova gjatë fillimit të kësaj vjeshte do ta pranojë udhërrëfyesin pozitiv të perspektivës evropiane. Një udhërrëfyes ky për shtetin tonë, një udhërrëfyes i agjendës së qartë evropiane dhe meritore të perspektivës evropiane për Kosovën shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”,
theksoi Thaçi.

Ndryshe, protokolli i EULEX-it me Serbinë për bashkëpunim policor, ka nxitur reagime kundërshtuese nga Prishtina zyrtare, por njëherësh, institucionet vendase në vazhdimësi janë deklaruar për bashkëpunim me BE-në në proceset integruese.

Analistët patën paralajmëruar se Kosova do të mund të kërkonte në këmbim të protokollit udhërrëfyesin evropian, i cili mes tjerash i qartëson rrugën Kosovës për proceset integruese, përfshirë edhe atë të liberalizimit të vizave, në të cilin Kosova ishte lënë krejt anash për shkak të pengesave që asaj i shkakton mosnjohja nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
XS
SM
MD
LG