Ndërlidhjet

Kosova ka kapacitete energjetike


Kosova-A
Kosova-A

Një ndër problemet kryesore, me të cilat është ballafaquar Kosova në dhjetë vjetët e fundit, është ai i furnizimit me energji elektrike. Zyrtarë kosovarë thonë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme energjetike, ndërkohë ekspertët i rekomandojnë qeverisë ndryshimin e strukturës së prodhimit të energjisë elektrike.


Korporata Energjetike e Kosovës, nënshkruan sot një marrëveshje me “Alb-konfindustrinë” nga Shqipëria, për organizimin e forumit ndërkombëtar “Kosova-mundësi energjetike”,
i cili synon të prezantojë politikat dhe kapacitetet energjetike të Kosovës.

Administratori i përgjithshëm i “Alb-konfindustrisë”, Gjergj Buxhuku, thotë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme energjetike, por duhet në investohet në këtë fushë.

“Kosova ka një interes jashtëzakonisht të rëndësishëm që e tejkalon interesin rajonal për shkak të rezervave me rëndësi strategjike që ka të linjitit dhe veprave termo, të cilat po zënë vend të rëndësishëm në paraqitjen e mundësive që ka Kosova, ku përfshihet “Kosova C”, ose variantet e tjera të shfrytëzimit të linjitit.”


“Njëkohësisht, Kosova ka një pozicion gjeostrategjik që ua rrit shumë interesin në fushën e rrjetit të transmisionit”,
thotë Buxhuku.

Parashikimi i prodhimit të energjisë elektrike për periudhën 2009-2018, sipas një strategjie të energjisë së Kosovës, të përpiluar nga Qeveria e Kosovës, për këtë periudhë do të bazohet në prodhimin e energjisë nga Termocentralet Kosova-B, Kosova-A, Hidrocentrali i Ujmanit, Hidrocentralet distributive ekzistuese dhe të reja, Hidrocentrali i Zhurit dhe nga prodhimi i Termocentralit Kosova e Re.

“Nuk mjafton të kesh vetëm rezervat natyrore, por duhet edhe shtrati institucional, dhe unë mendoj, dhe me vlerësimin që ne e kemi bërë, Kosova ka bërë përmirësime institucionale dhe ligjore, ku përfshihet ndarja ligjore e KEK-ut dhe hapja e procesit të privatizimit”,
shprehet Buxhuku

Forumi ndërkombëtar “Kosova-mundësi energjetike”, sipas drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, ka të bëjë me prezantimin e politikave energjetike, kapaciteteve të reja gjeneruese dhe linjave energjetike të Kosovës para akterëve të kësaj fushe.

“Është një rast i mirë për të promovuar Kosovën dhe potencialin energjetik, që është potenciali më i fuqishëm i Kosovës”.


“Kemi për të prezantuar zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, kemi riparime që i kemi plasuar, kemi mundësi dhe rezerva tjera, të cilat i kemi në eksplatim, kemi mundësi tjera hidrike, mundësitë e gjenerimit e prodhimit të energjisë së gjelbër”
, thotë Gjukaj.

Megjithatë, eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, pohon se për stabilitet energjetik dhe për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, nevojitet shfrytëzim racional i energjisë nga kapacitetet ekzistuese, rritja e prodhimtarisë dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja.

"Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të ndryshojë strukturën e prodhimit të energjisë elektrike. Të mos bazohet vetëm në thëngjill, por të fillojë me zbatimin e projekteve për prodhimin e energjisë alternative, në radhë të parë të hidro-energjisë, ose përmes energjisë së erës",
rekomandon profesor Bektashi.

Zyrtarë kosovarë, në bazë të strategjisë për energji të Kosovës, për periudhën 2009 – 2018, thonë se furnizimi me energji elektrike gjatë kësaj periudhe do të realizohet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili do të jetë i nevojshëm deri në fund të vitit 2015.

Ndërkaq, në vitin 2016 pritet të futet në operim blloku i parë në Termocentralin Kosova e Re dhe, përfundimisht, më nuk do të ketë nevojë për import.
XS
SM
MD
LG