Ndërlidhjet

logo-print

Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të aplikuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, por problem, sipas zyrtarëve qeveritarë, mund të paraqesë numri i pamjaftueshëm i vendeve që deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ekspertë ekonomie thonë se, përveç këtij problemi, Kosova ende s'i ka plotësuar parakushtet e nevojshme për aplikim.


Me gjithë përgatitjet e deritashme të Kosovës për aplikim në Organizatën Botërore të Tregtisë, problem në këtë drejtim mund të paraqesë numri i pamjaftueshëm i vendeve që deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kështu pohon ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Ai, ndërkaq, thotë se pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, pranimi në këtë mekanizëm është një ndër synimet kryesore të Qeverisë.

“Gradualisht, ne po përgatitemi për atë çështje, ashtu siç e përmenda, më shumë është problemi i rritjes se njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur.Në OBT janë 153 shtete, kurse numri i njohjeve tona është 62. Logjikisht, ne duhet të kemi gjysmën e shteteve që na kanë njohur”, pohon Zharku...

Edhe pse numri i vendeve që kanë njohur shtetësinë e Kosovës, nuk është ndonjë parakusht për anëtarësim, ministri Zharku shprehet se Ministria po pret për aplikim, në mënyrë që të jenë të sigurt për pranim pas procesit të aplikimit.

Edhe ekspertë të ekonomisë e shohin problem kryesor numrin jo të mjaftueshëm të shteteve që deri më tash e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se në bazë të procedurave, anëtarësimi në këtë institucion bëhet me vota, dhe në këtë aspekt, problem mund të paraqesin vendet që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

"Dhe, me siguri që, ato vende që Kosovën nuk e kanë njohur politikisht dhe ato vende që ende kanë një botëkuptim të së kaluarës për Kosovën, do të tentojnë të pengojnë”.

“Por, fuqitë e tjera që mbështesin e Kosovën dhe reformimi i sistemit ligjor në vend, do t’u japë mbështetje partnerëve tanë që të na mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm”,
shprehet Shahini

Nga ana tjetër, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, pohon se Qeveria e Kosovës i ka përfunduar të gjitha përgatitjet administrative dhe teknike për aplikim në këtë organizatë botërore.

“Nga ana administrative janë të gatshme, që nënkupton aplikacionin, po ashtu edhe politikat tregtare, të cilat janë aprovuar në Qeveri në fund të gushtit, anëtarësimi në OBT shihet si një ndër synimet e Kosovës. Do të thotë, nga ana teknike dhe administrative nuk kemi asnjë problem”, thekson Zharku

Mirëpo, Agim Shahini thotë se Kosova ende nuk i ka krijuar të gjitha parakushtet për të filluar një proces të mirëfilltë të aplikimit formal.

Institucionet kosovare, thotë ai, duhet t’i shqyrtojnë në mënyrë emergjente rrugët për t’u anëtarësuar në OBT.

“Kjo organizatë kërkon kritere dhe kriteret Kosova ende nuk i ka plotësuar.”

“Prandaj, Kosova duhet të futet në reforma të thella të politikave ekonomike, të disiplinohen rrethanat ekonomike, tatimore dhe të gjitha këto do t’i mundësojnë Kosovës në ngritjen e infrastrukturës ligjore që Kosova të jetë pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm”, thekson Shahini

Sidoqoftë, të tjerë ekspertë ekonomie, mendojnë se është iluzion të thuhet që Kosova do të anëtarësohet shpejt në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Sipas tyre, një ndër parakushtet që një vend duhet të plotësojë për të aplikuar, është që vendi të ketë tërësi unike doganore dhe, duke pasur parasysh problemin e mosfunksionimit të plotë të doganave në disa pjesë të territorit, sipas tyre, Kosovës i vështirësohet aplikimi.

Aktualisht, në Organizatën Botërore të Tregtisë bëjnë pjesë 153 vende të botës, kurse 30 të tjera janë në proces të anëtarësimit, që përfaqësojnë mbi 97 për qind të shkëmbimeve tregtare botërore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG