Ndërlidhjet

logo-print

KOHA DITORE
I kthyer në Prishtinë pas tetë vitesh, tashmë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Christofer Dell, shprehet pozitivisht për zhvillimet që sheh në vend, por thekson nevojën që Kosova – institucionet, politikanët dhe shoqëria në përgjithësi – t’i kthehen më tepër ndërtimit të shtetit, dhe t’i shmangen përfshirjes në debate për gjëra që i cilëson minore - si protokolli policor EULEX-Serbi – e që e konsumojnë energjinë e nevojshme për agjendën e vërtetë të Kosovës. Ambasadori Dell thotë se procesi rreth Kosovës në GJND nuk mund ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, kritikon kritikët e lobimit të institucioneve për mosnjohje të diplomacisë, insiston në zbatimin e decentralizimit, paralajmëron se zgjedhjet lokale nuk do të mund të mbahen në të gjitha komunat e parapara të krijohen, por gjithsesi do të mbahen në disa prej tyre...

LAJM
Pas nënshkrimit të marrëveshjes EULEX-Serbi, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë reaguar duke ritheksuar pozicionin e Prishtinës zyrtare se Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhimet teknike ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë. Reagimet ndaj protokollit vazhdojnë edhe nga subjekte të ndryshme politike të Kosovës. Opozita ka reaguar, duke i kritikuar institucionet e Kosovës se nuk po e tregojnë të vërtetën para qytetarëve. Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar se Prishtina zyrtare nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje teknike ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë dhe se institucionet e vendit do të punojnë me agjendën e tyre të integrimeve euroatlantike...

INFOPRESS
Për ta kundërshtuar dokumentin e nënshkruar mes EULEX-it dhe Serbisë, mbi 20 organizata joqeveritare të hënën (sot), pritet të zhvillojnë një protestë paqësore në Prishtinë. Aktivistë të këtyre OJQ-ve, kanë shpjeguar të dielën skenarin e protestës.”Demonstrata do të fillojë këtu në ora 12.00, do të nisemi prej Bibliotekës Kombëtare dhe do të ngjitemi lart kah mensa e studentëve dhe do të vazhdojmë në rrugën “Agim Ramadani”, pastaj në fund të rrugës “Agim Ramadani” do të kthehemi kah ndërtesat e institucioneve të Kosovës, domethënë te ndërtesa e Kuvendit dhe Qeverisë dhe aty do të bëjmë ndalesën e parë ku do të kemi disa fjalime nga përfaqësues të organizatave bashkorganizuese të kësaj demonstrate”...

KOSOVA SOT
Letër përkrahjeje e intelektualëve botërorë protestës së sotme... Republika e Kosovës ekziston si shtet i privuar nga shtetësia. Ajo ekziston si një subjekt i desubstancializuar. Administrata ndërkombëtare, e konstituuar nga NATO-ja, BE-ja, OKB-ja, BB-ja, FMN-ja ekzistojnë si struktura kolonialiste. Strukturat kolonialiste morën përsipër përgjegjësitë ë aparateve esenciale shtetërore. Ato i kontrollojnë dhe qeverisin me to dhe, rrjedhimisht, me Republikën e Kosovës. Konfiguracioni ekzistues politik i vendit duhet të lexohet dhe kuptohet si simptomë e spektakleve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo si shprehje e vullnetit të popullit të Kosovës. Menaxhimi i krizës do të thotë parandalimi i eksplodimit të krizës dhe jo eliminimin e krizës ose shkaqeve të saj...

EXPRESS
Aleanca Kosova e Re, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia e Drejtësisë kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhjet e sivjetshme lokale në shumicën e komunave. Marrëveshja pritet të nënshkruhet të hënën në ambientet e Parlamentit të Kosovës, nga kryetarët e tri partive që përbëjnë koalicionin: Behgjet Pacolli, Nexhat Daci dhe Ferid Agani. Kështu formohet koalicioni i parë i shumicës së subjekteve që përbëjnë bllokun opozitar. Burime të gazetës “Express” kanë thënë se ideja është që në komunat ku një parti garon me figura të forta, atëherë dy partitë mbështesin atë kandidat. Ndërkaq, në balotazh, secila prej partive në koalicion mbështet kandidatin e partnerit që ka arritur edhe më tej të mbesë në garë...

ZËRI
Ndonëse muaj më parë ishte kompletuar zgjedhja e nëntë gjyqtarëve, si dhe formalisht ishte inauguruar edhe ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës, fillimi i punës së instancës më të lartë në vend për “shkaqe teknike”, ishte shtyrë për fillimin e muajit shtator, por sërish janë shfaqur vonesa në fillimin e punës së saj. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, edhe pse kishte thënë se qysh në fillim të muajit shtator do të nisë shqyrtimi i lëndëve të para, kjo gjykatë punës ia ka filluar gati me dy javë vonesë. “Zëri”, përmes burimeve të veta brenda Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka mësuar se kjo gjykatë para pak ditësh ka filluar punën...

BOTA SOT
“FSK-ja është një ushtri e qytetarëve të Kosovës dhe një ushtri vullnetare dhe natyrisht apolitike. Përgatitjet dhe aktivitetet e saj janë të nivelit të lartë dhe sipas standardeve të NATO-s dhe ky zhvillim i forcës sonë është virtyt i bashkëpunimit të mirëfilltë me forcat e KFOR-it në Kosovë”, ka deklaruar për kombëtaren “Bota sot”, Gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Sylejman Selimi, po prezanton Kosovën në Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën “MARSHALL”, në Garmish Parkihenchen të Munchenit në Gjermani, i cili po mban punimet e veta nga 08 -17 shtator 2009...

EPOKA E RE
Paralajmërimin e ish-ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, se Serbia do të duhej ta pranojë Kosovën nëse dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, Beogradi po e përjeton si veprim lobues të këtij diplomati, i cili që nga fillimi ka punuar për pavarësinë e Kosovës, kanë shkruar mediat serbe. Është interesante se edhe qeveria edhe opozita janë të bindura se BE-ja nuk do t’ia vë këtë kërkesë të re Serbisë, madje as ashtu siç e ka formuluar Ahtisari. Burime nga qeveria serbe kanë pohuar se një kërkesë të tillë Serbisë deri tani nuk ia ka përmendur askush dhe se në asnjë forum nuk bisedohet për këtë...
XS
SM
MD
LG