Ndërlidhjet

SHBA ndihmon zhvillimin e Kosovës


Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, 14 shtator 2009

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, 14 shtator 2009

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndihmën amerikane për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Marrëveshja kap vlerën prej 13 milionë dollarësh për Policinë dhe Gjyqësorin.




Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë nënshkruar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, marrëveshjen e parë bilaterale, me të cilën Qeveria amerikane në formë zyrtare zotohet të ndihmojë zhvillimin e shtetit të Kosovës në shumë fusha.

Ambasadori Kristofer Dell tha se Qeveria amerikane mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën e pavarur, që si qëllim të përbashkët ka një Kosovë demokratike, shumë-etnike dhe prosperuese për të gjitha etnitë që jetojnë në të.

“Me këtë marrëveshje Qeveria e Kosovës dhe ajo amerikane rikonfirmojnë përkushtimin e përbashkët dhe se ne jemi pajtuar të punojmë së bashku për t’i arritur qëllimet e rëndësishme në rrugën e thellimit të prosperitetit ekonomik të Kosovës”, deklaroi ambasadori Dell.

Ai premtoi ndihmën amerikane në çështjet buxhetore, promovimin partneritetit publik dhe përmirësimin e infrastrukturës, si dhe krijimin e një ambienti për një ekonomi konkurruese dhe të lirë tregu.

Përmbushja e këtyre synimeve paraqet sfidë për Kosovën, tha ambasadori Dell, por duke punuar së bashku me Qeverinë amerikane, ai tha se për Kosovën do të arrihet një e ardhme edhe më e mirë sesa të arriturat që shihen sot, të cilat ai tha se i çmonte shumë.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu e cilësoi ditën e sotme si të veçantë. Ai rikujtoi ndihmat dhe mbështetjen amerikane në shumë fusha në dhjetë vjetët e fundit.

Por, me këtë marrëveshje u tha se mbështetja kalon në anën zyrtare, jo vetëm përmes agjencive të ndryshme, por përmes qeverisë amerikane.

“Ndihma do të orientohet në zhvillimin e gjithanshëm dhe, veçanërisht, në fushat infrastrukturore për Kosovën, pra edhe në ekonomi, edhe në transport, edhe në edukim, por edhe në aspekte tjera dhe, si e tillë, do të jetë një nxitje e veçantë për një zhvillim më të shpejtuar të vendit tonë”,
tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo marrëveshje rikonfirmon përkushtimin amerikan për Kosovën.

Sipas tij, marrëveshje të tilla ndihmojnë zhvillimin e Kosovës dhe u zotua që ndihmat amerikane të shfrytëzohen në mënyrë transparente.

“Marrëveshja e sotme paraqet edhe një garanci tjetër të përkushtimit të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e Republikës së Kosovës”.

“Përmes marrëveshjes që po nënshkruajmë, Republika e Kosovës do të ketë më tepër mundësi për zhvillim edhe më të qëndrueshëm ekonomik”, vlerësoi Thaçi.

Ambasadori Dell ka nënshkruar marrëveshje edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, për financim shtesë nga SHBA-ja, për përkrahjen e sundimit të ligjit.

Kjo marrëveshje kap vlerën prej 13 milionë dollarësh dhe ka për qëllim përmirësimet në infrastrukturën e Policisë dhe të Gjyqësorit.

Me këtë rast, ministri Hyseni tha se Kosova e sheh këtë ndihmë dhe përkrahjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të pazëvendësueshme në rrugën e realizimit të aspiratave të popullit të Kosovës.

“Unë ju siguroj, i nderuar Ambasador, se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë së afërmi me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar se kjo ndihmë-që kap vlerën prej rreth 13 milionë dollarëve dhe çdo ndihmë tjetër-do të përdoret në mënyrën më efikase dhe më të mirë të mundshme, për të ndërtuar struktura të qëndrueshme ligjore dhe për zbatim të ligjit, të cilat do të jenë në shërbim të një shoqërie të drejtë dhe të lirë”, tha Hyseni.

Ndërkaq, ambasadori Dell shprehu përkushtimin e vendit të tij për ndihmë Kosovës.

“Është nder për mua për të nënshkruar marrëveshjen e parë bilaterale për ndihmë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që këto marrëdhënie të vendosen edhe në mënyrë formale për ta ndihmuar Kosovën”.

“Marrëdhëniet tona do të zhvillohen në vazhdimësi përmes ndihmës sonë në Kosovë. Do t’i forcojmë dhe do t’i zhvillojmë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona sovrane, SHBA-së e Kosovës”,
theksoi Dell.

Për të dyja marrëveshjet e nënshkruara sot nuk janë dhënë shumë detaje, por është thënë se ato paraqesin përkushtimin e Qeverisë amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që do t’i japin zhvillimit të shtetit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG