Ndërlidhjet

Prelec: EULEX-i të përfshinte Prishtinën në protokoll


“Qeveria e Kosovës, kur mori vesh për procesin, duhej të këmbëngulte që të kishte një rol aktiv në negocimin e protokollit dhe jo të rrinte mënjanë e të përpiqej ta sabotonte, ashtu siç edhe bëri”, thotë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

RADIO EVROPA E LIRË
A e cenon sovranitetin e Kosovës protokolli EULEX-Serbi?

MARKO PRELEC
Jo, nuk shkon kundër sovranitetit të Kosovës dhe nuk besoj se duhet vlerësuar me këto kritere. Megjithatë, ky protokoll i ka dëmtuar plotësisht pa nevojë marrëdhëniet mes EULEX-it dhe Kosovës. Kjo është përgjegjësi e të dyja palëve, por, para së gjithash, është përgjegjësi e EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse EULEX-i u soll në mënyrë të tillë? Pse nuk u këshilluan autoritetet e Kosovës? Cilat janë arsyet?

MARKO PRELEC
Nuk i di arsyet, por këto nuk janë shenja të mira. Bëhet fjalë për një protokoll ku, për të gjitha pikat e tij, të dyja palët do të mund të binin dakord. Askush nuk është, realisht, kundër bashkëpunimit mes EULEX-it dhe policisë serbe.

Nga ana tjetër, ka ekzistuar një lloj mirëkuptimi brenda Qeverisë së Kosovës se nuk mund të këmbëngulnin për një njohje të plotë e formale të tyre në këtë fazë.

Por, EULEX-i ka mundur dhe duhej të ishte shumë më transparent lidhur me procesin. EULEX-i do të duhej ta përfshinte Qeverinë e Kosovës në proces sa më shpejt që të ishte e mundur, qetësisht e zyrtarisht.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës kur mori vesh për një proces të tillë, duhej të kishte këmbëngulur që të kishte një rol aktiv në negocimin e protokollit dhe jo të rrinte mënjanë e të përpiqej ta sabotonte, ashtu siç edhe bëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht kritikave të shumta, ka nga ta që besojnë se protokolli në fjalë do të ndihmojë në vënien nën kontroll të veriut të Kosovës. A ka diçka të vërtetë në këto qëndrime?

MARKO PRELEC
Kjo është ajo që thotë BE-ja në Bruksel dhe zëdhënësi i tyre në Prishtinë. Personalisht, nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim, pasi veriu është një problem i vështirë që do të marrë shumë kohë për t’u zgjidhur. Protokollet e ardhshme, ai mbi doganat, e veçanërisht ai mbi gjykatat, janë edhe më të rëndësishëm sesa protokolli për bashkëpunimin policor.

Derisa u humb mundësia që punët të bëheshin si duhet me protokollin policor, duhen bërë korrigjimet e nevojshme, që gjërat të shkojnë mirë me dy protokollet e tjera. Për këtë duhen dhënë garancitë se gjithë të ardhurat që vijnë nga doganat, në veri, nuk do t’i anashkalojnë institucionet e Kosovës.

Pavarësisht nëse këto të ardhura do të shfrytëzohen nga komunat në veri, ashtu siç e parasheh Plani Ahtisari, kjo është në rregull, por e rëndësishme është që ato të ardhura duhet të kalojnë zyrtarisht përmes Kosovës. Mendoj se kjo do të ndihmojë në stabilizimin e kësaj pjese.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni parë ndonjë shenjë se BE-ja do të ndryshojë qasjen kur vjen puna te dy protokollet e tjera; ai i doganave dhe gjykatave?

MARKO PRELEC
Mendoj se ka një lloj ndërgjegjësimi se gjërat nuk shkuan mirë. Megjithatë, nuk jam i inkurajuar dhe nuk kam përshtypjen se ajo pjesë e BE-së, përgjegjëse për këtë sektor, e ka kuptuar se sa shumë e ka dëmtuar misionin e vet me mënyrën si rrodhën ngjarjet rreth protokollit.

Kjo është shqetësuese. Ka nevojë për më shumë fleksibilitet. Kemi dëgjuar shumë të thuhet nga BE-ja se po e ndihmojmë Kosovën, po përpiqemi së tepërmi dhe se qëllimet tona janë të mira. Deklarata të tilla nuk ndihmojnë.

Është e rëndësishme që njerëzit, që duhet t’i ndihmosh, të të shohin si të ndershëm. Momentalisht, evropianët e misionit të EULEX-it nuk po shihen si të tillë. Është përgjegjësi e tyre që ta rregullojnë dëmin e shkaktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga shqetësimet kryesore që nxori në pah ky proces është ai se qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk janë faktor vendosës. Si mund të adresohet ky shqetësim? Ju, personalisht, a mendoni se institucionet e Kosovës nuk janë lojtarë?

MARKO PRELEC
Padyshim që ata janë lojtarë. Kjo përshtypje pafuqie, për të cilën flisni, deri në një farë shkalle është krijuar qëllimisht nga disa institucione të Kosovës. Këto institucione menduan se do të ishte më mirë të paraqitej procesi i protokollit në këtë mënyrë, me qëllim që t’i rrisin tensionet me EULEX-in.

Ndoshta mund të jetë spekulim, por një nga synimet e një sjelljeje të tillë, është mundësia e përfitimit në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Mendoj se ka ekzistuar dhe një opsion tjetër. Nëse Qeveria e Kosovës do të kishte këmbëngulur që të konsultohej lidhur me protokollin, pa diskutim që do të kishte pasur ndikim. Ata nuk e zgjodhën këtë rrugë dhe vepruan gabim.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse do të mund ta thjeshtonim situatën, sa për qind e përgjegjësisë i takon EULEX-it dhe sa institucioneve të Kosovës për gjendjen e krijuar?

MARKO PRELEC
Nuk ka dyshim se të dyja palët kanë përgjegjësi substanciale për gjendjen e krijuar. Nuk do ta ndaja në përqindje, por do të thosha se përgjegjësia e BE-së dhe EULEX-it është më e madhe.

Kjo ka të bëjë me faktin se EULEX-i përfaqëson 27 demokraci të zhvilluara e stabile, të cilat dinë të sillen më mirë se kaq. Institucionet e Kosovës janë vetëm dyvjeçare dhe kanë shumë më pak përvojë. Kjo e bën të kuptueshme se ato mund të bëjnë gabime të tilla.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG