Ndërlidhjet

A do të mbahen zgjedhjet në 38 komuna?


Përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor, thonë se zgjedhjet lokale do të organizohen në të gjitha komunat, përfshirë edhe ato të rejat. Megjithatë, kjo çështje mbetet e diskutueshme.




Përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve janë duke u bërë për 38 komuna, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës, thotë Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së.

“Komisioni Qendror Zgjedhor, sipas planit të paraparë të fushatës zgjedhore dhe të të gjithë procesit zgjedhor, parasheh që zgjedhjet të organizohen në teërë territorin e Kosovës".

"Realisht, kjo do të thotë se përgatitjet bëhen për 38 komuna, përfshirë edhe komunat që janë të parapara me Pakon e Ahtisarit. Se si do të rrjedhë procesi, do të shohim; çështja e themelimit të komunave të reja është një çështje institucionale që ju takon mekanizmave qeverisëse”,
thotë Ajvazi.

Përgatitjet po bëhen në të gjitha komunat dhe janë formuar edhe disa komisione komunale zgjedhore, shprehet Ajvazi.

“Interesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është që ta realizojë programin sipas afateve të parapara. Kontaktet janë, ka të nominuar persona, të cilët do të merreshin me këtë çështje dhe të shohim si po rrjedh procesi”, shpjegon Ajvazi.

Por, zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal, shprehen të jenë skeptikë sa i takon asaj se a do të ketë zgjedhje lokale në veri të Kosovës dhe në komunat e reja, që janë formuar në bazë të procesit të decentralizimit.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Shpend Tërdeva, pohon se mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës mbetet çështje e zhvillimeve politike.

“Formula politike është duke u zhvilluar dhe për pak kohë do të dihet gjithçka. Ministria e Pushtetit Lokal i ka bërë të gjitha përgatitjet, si për Mitrovicën, si për jugun, si për të gjithë. Ne e kemi kryer punën tonë, por mbetet çështje e zhvillimeve politike se a do të zhvillohen apo nuk do të zhvillohen”, u shpreh Tërdeva.

Zyrtarë të MPL-së, kohë më parë kanë bërë të ditur se deri më tash kanë arritur që t’i formojnë ekipet përgatitore në tri komuna të reja: Kllokot, Graçanicë dhe Ranillugë, por jo edhe në Partesh, Novobërdë dhe në Mitrovicën e Veriut.

Zoti Tërdeva nga MPL, megjithatë thotë se, sa i takon punës së tyre, zgjedhjet mund të mbahen edhe në veri të Mitrovicës, por, siç shprehet ai, çështja mbetet në vullnetin e vetë banorëve atje dhe vlerësimeve të lidershipit të Kosovës.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të KQZ-së, në zgjedhjet e 15 nëntorit do të marrin pjesë edhe partitë politike serbe dhe të komuniteteve të tjera që veprojnë në Kosovë.

“Shtatë subjekte boshnjake, gjashtë subjekte serbe dhe nga një të komuniteteve të tjera. Ky numër në ndërkohë është rritur; si Iniciativa Qytetare, por qoftë edhe si kandidatë të pavarur, numri është rritur. KQZ-ja, në mbledhjen e vet të djeshme ka certifikuar dy subjekte qytetare të komunitetit serb”, thotë Ajvazi.

Ndërkaq, analistët politikë kanë thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Mitrovicës, Qeveria, së pari, duhet të shtrijë autoritetin e saj atje, të formojë komunën në atë pjesë të qytetit dhe më pas edhe të ketë mbarëvajtje të procesit zgjedhor.
XS
SM
MD
LG